Dogana e Shqipërisë jep sqarimin për patatet nga Kosova

Ekonomia July 11, 2017 - 18:31

Gjatë ditëve të fundit është ngritur shqetësimi lidhur me çmimet e vlerësimit të artikullit patate me origjinë nga Kosova.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave të Shqipërisë sqaron që materiali i referuar i takon çmimeve të të dhënave të disponueshme (çmime reference) të cilat janë dhe zbatohen vetëm në metodën e fundit (Metoda 6) të vlerësimit doganor, në pamundësi të zbatimit të metodave të tjera. Kjo do të thotë që jo automatikisht të ketë rritje të vlerësimit doganor për këtë artikull, por kur vetëm operatori ekonomik nuk paraqet dokumentacionin e duhur pranë Doganës.

Legjislacioni Doganor për vlerësimin doganor të mallrave ka parashikuar gjashtë metoda për vlerësimin e mallrave.

Metoda e parë është ajo e transaksionit (faturës) dhe vetëm në rast të mospranimit të faturës mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme dhe mosdokumentimit të duhur vijohet me metoda të tjera të vlerësimit doganor nga mallrat identike, të ngjashme, lëndëve etj dhe deri tek ajo e fundit, dosja e të dhënave të disponueshme- për të cilën është ngritur dhe ky shqetësim.

 Administrata doganore rreth 88 % e totalit të importeve e trajton me metodën e transaksionit ose çmimit të deklaruar dhe vetëm 12 % me metodat e tjera duke përfshirë dhe çmimet e referencës.

Administrata Doganore Shqiptare dhe Administrata Doganore Kosovare kanë një bashkëpunim shumë të mirë në funksion të zbatimit të detyrave funksionale dhe shkëmbim të rregullt të informacionit mes palëve. Në këtë kuadër kërkohet një ndërgjegjësim i të gjithë operatorëve ekonomik në të dyja vendet për plotësimin e saktë dhe të duhur të dokumentacionit doganor në mënyrë që të mundësohet zbatimi sa më korrekt i procedurave doganore, që pa dyshim nxisin dhe tregun e lirë ndërmjet dy vendeve tona.

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka kërkuar në degët e saj doganore marrjen e masave për ndërgjegjësimin e operatorëve dhe zbatim sa më korrekt të legjislacionit për vlerësimin doganor të mallrave duke aplikuar çmimin e transaksionit si metodën e parë dhe më korrekte për vendet ku kemi shkëmbim informacioni.