Aksioni i ATK-së ndaj biznesit në Ferizaj që lëshoi fatura fiktive

Ekonomia July 11, 2017 - 15:44

Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, sot ka zhvilluar një aksion me ç ‘rast ka bërë bastisjen e një lokacioni në qytetin e Ferizajt. Rasti në fjalë dyshohet për evazion fiskal-konkretisht për transaksione fiktive.

Departamenti i Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës me autorizimin e Prokurorisë Themelore në Ferizaj, ka qenë duke zhvilluar hetime për dyshimin e shmangies tatimore ndaj një personi, i cili është pronar i një subjekti tatimor dhe i cili dyshohet për lëshimin e faturave me transaksione fiktive, si dhe ndërmjetësime mes subjekteve.

Nga aksioni i bastisjes i realizuar sot, nën dyshimin se kemi të bëjmë me transaksione fiktive, ku përmes këtyre transaksioneve janë bërë shmangie nga tatimi, apo ju ka mundësuar të tjerëve të bëjnë shmangie nga tatimi. Në cilësinë e provave janë sekuestruar këto dokumente dhe pajisje: 3 llaptop,1 telefon, 7 kartela bankare, vula e subjektit, 1 kopje e letërnjoftimit të një personi tjetër, 1 gjendje e përgjithshme e ATK-së, për një subjekt tjetër, 1 kopje e gjendjes së bankës për një person tjetër, marrëveshje, fatura, si dhe dokumentacione tjera financiare.

Hetimet lidhur me këtë rast do të vazhdojnë, bazuar nga provat e siguruara.

ATK, në mënyrë që të jetë edhe më e suksesshme në zbatim e ligjit, mbetet e hapur për bashkëpunim me qytetarët dhe institucionet tjera të zbatimit të ligjit. Për këtë qëllim ftojmë qytetarët që të gjitha informatat e korrupsionit në lidhje me ATK-në dhe evazionin fiskal, t’i paraqesin në linjën pa pagesë 0800-80-800.