Lirohen edhe gjashtë banesa të uzurpuara

Ekonomia July 11, 2017 - 09:32

Ka vazhduar edhe të hënën (dje) aksioni për largimin e familjeve nga banesat e uzurpuara në lagjen “Dardania”, në Prishtinë. Gjatë kësaj dite ishte planifikuar të largohen 6 familje, por për dallim nga herët e tjera këtë herë familjet u larguan pa intervenim të Policisë së Kosovës.

Disa nga fqinjët e këtyre banorëve kanë thënë për “Zërin” se të gjashtë familjet janë larguar që në orët e hershme të mëngjesit të së hënës. “Që në orët e hershme të mëngjesit janë larguar nga ndërtesat dhe askush nuk e di së ku kanë shkuar, pasi nuk i kemi parë”, thonë fqinjët.
Edhe në Ndërmarrjen Publike Banesore kanë treguar se këtë herë aksioni ka shkuar shumë mirë, me ç’rast nuk është nevojitur as asistenca e Policisë.
 “Familjet janë vetëdijesuar se duhet t’i lirojnë këto banesa, të cilat nuk kanë qenë të tyret dhe sot vetë janë larguar ato 6 familje. Ndërsa gjërat dhe orenditë e tyre janë larguar dhe janë të vendosura në depo të Ndërmarrjes dhe banorët mund të vijnë e t’i marrin ato. Në bazë të informatave që i kemi disa nga këto familje janë kthyer në fshatrat e tyre”, ka pohuar Rajmonda Ahmetaj, nga Ndërmarrja Publike Banesore (NPB).

Zyrtarët e NPB-së bëjnë të ditur se disa nga këto familje më herët e kanë zgjidhur çështjen e banimit, ndërsa ka pasur raste kur banesat e uzurpuara janë lëshuar me qira. 

Ahmetaj ka bërë të ditur se aksioni i tyre do të vazhdojë derisa të largohen 130 familjet që kanë qenë në këto banesa tash e 18 vjet.
Zëdhënësja e Ndërmarrjes Banesore ka thënë së pasi të largohen të gjitha familjet këto banesa do t’u kthehen kompanive, të cilat kanë paguar për ndërtimin e tyre. “Pasi të largohen të gjitha familjet do të fillohen të rindërtohen këto banesa dhe një pjesë e tyre do t’u kthehet kompanive siç janë: Ujësjellësi, Posta dhe Termokosi, të cilat kanë paguar për ndërtimin e këtyre banesave, ndërsa ato banesa të cilat nuk janë paguar do të mbesin nën menaxhimin e Ndërmarrjes”.

Lidhur me familjet të cilat janë raste sociale Ahmetaj ka shtuar së ato mund të lajmërohen në Komunën e Prishtinës për ndihmë. “Lidhur me rastet sociale, ato mund të lajmërohen në Komunë të Prishtinës dhe të kërkojnë ndihmë”.