480 euro për bartjen e veturës së prishur

Ekonomia July 01, 2017 - 08:42

Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Kulturës për vitin 2016 ka gjetur se për bartjen e një veture nga vendi i prishjes deri në servis, në distancën prej 182 km, është faturuar me 480 euro. Po ashtu, sipas ZKA-së, nuk dihet as lokacioni prej nga dhe deri ku është bartur vetura, shkruan sot, gazeta Zeri.

Shkelje të shumta ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS) për vitin 2016. Gjatë auditimit të pagesës, “Riparimin e automjeteve” me vlerë 9.186 euro, janë hasur parregullsi të shumta, të cilat janë evidentuar në raport, shkruan gazeta Zeri.

Sipas ZKA-së, bartja e një veture nga vendi i prishjes deri në servis, në distancën prej 182 kilometrash, është faturuar me 480 euro. Po ashtu nuk dihet as lokacioni prej nga dhe deri ku është bartur vetura. Po ashtu, në dy raste çmimi i faturuar ishte më i lartë se i kontraktuar.

Çmimi i faturuar për vajin e motorit ishte 14.24 euro, ndërsa i kontraktuar 9 euro, ndërsa Semeringut diferencial, çmimi i faturuar ishte 45.78 euro ose pothuajse dyfishi i çmimit të kontraktuar, 25 euro.

“Në shumicën e rasteve pranimi i veturave të servisuara nuk është bërë si duhet. Përveç që nuk kishte komision të pranimit, mungon nënshkrimi i personit të autorizuar me rastin e pranimit të veturave të servisuara. Në tri (3) raste fletëpranimi kishte vetëm nënshkrim dhe nuk kuptohet emri i zyrtarit që ka bërë pranimin, tetë (8) fletëpranime kishin nga një mbishkrim ‘Zyrtari i MKRS-së’ dhe një (1) fletëpranim ishte pa nënshkruar fare. Përveç kësaj, automjetet e dhëna si donacion nga EULEX-i ishin servisuar pa kontratë. Vlera e servisimeve të tyre ishte 5.670 euro”, thuhet në raportin e ZKA-së për MKRS-në.

Sipas ZKA-së, këto kanë ndodhur për shkak të mosaplikimit të kontrolleve efektive.

“Mosaplikimi i kontrolleve përgjatë procesit të servisimit të automjeteve rrit rrezikun që të ndodhin pagesa të parregullta. Kjo mund të shkaktojë dëmtim eventual të buxhetit. Ministri duhet ta iniciojë një rishikim të zbatimit të kontratës për riparimin e automjeteve për t’i përcaktuar shkaqet e ndodhjes së lëshimeve. Njëherësh duhet të shtohen kontrollet menaxheriale për t’u siguruar se veturat vërtet riparohen dhe se faturimet për riparimin e tyre bëhen konform kontratës së nënshkruar. Asnjë pagesë nuk duhet të bëhet nëse veturat e riparuara nuk janë pranuar nga personat e autorizuar”, thuhet në raport.

Shpenzime të parregullta

Sipas ZKA-së, shpenzimi i mjeteve në vlerë prej 410.000 euro, të cilat ishin ndarë për gjashtë projekte të Institutit Arkeologjik të Kosovës, ishin bërë në kundërshtim me legjislacionin për shkak se: Stafi që kishte punuar në realizimin e projekteve ishte angazhuar pa ndonjë procedurë të caktuar të rekrutimit, ndërsa kontratat e tyre ishin nënshkruar pas përfundimit të punëve dhe shpenzimet tjera të projektit (material shpenzues; mjete për punë dhe shpenzime tjera që janë duhur gjatë gërmimit) ishin bërë pa ndonjë procedurë të prokurimit, duke anashkaluar Ligjin e Prokurimit Publik.

Sipas auditorit, për më tepër Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK) dhe MKRS-ja kanë kompensuar punëtoret profesionalë dhe punëtorët ndihmës në terren, të angazhuar në realizimin e projekteve të trashëgimisë kulturore të lartpërmendura, me vlerë prej 254.795 euro, sipas rregullores nr. 01/2009 për pagesën e punëtorëve në terren, e cila është shfuqizuar me vendim të kryeministrit.

“Menaxhimi i mangët i procesit të shpenzimeve nga institucionet vartëse, moszbatimi i procedurave të prokurimit dhe mungesa e rregulloreve për angazhimin e punëtorëve rrezikon arritjen e objektivave të Ministrisë. Kompensimi i punëtorëve në terren, duke u bazuar në rregullore të shfuqizuar, shkakton shpenzimin e parasë publike në mënyrë joligjore. Ministri duhet të sigurojë që, procedurat e prokurimit janë aplikuar gjatë realizimit të projekteve dhe të kërkojë nga këshilli drejtues i IAK-së që të hartojë politika apo udhëzime gjithëpërfshirëse për angazhimin dhe pagesën e stafit për projekte të ndryshme, e cila në mënyrë të qartë do t’i përcaktojë detyrat, obligimet dhe kompensimet e punonjësve”, thuhet në raport.

 Aprovimi i subvencioneve, pas mbajtjes së aktivitetit

Në shtatë (7) projekte të subvencionuara nga MKRS-ja, me vlerë 16.514 euro, vendimet, kontratat dhe pagesat për subvencionim ishin bërë pas përfundimit të aktiviteteve të subvencionuara. Sipas ZKA-së, edhe përkundër faktit që aktivitetet veçse ishin zhvilluar, arsyetimi i shpenzimeve nuk ishte bërë në dy raste, me vlerë 4.000 euro. “Këto raste kanë ndodhur për shkak të bashkëpunimit të dobët në mes të Departamentit të Kulturës dhe Rinisë dhe Zyrës Ligjore, gjatë procesit të përpilimit të kontratave. Dhënia e subvencioneve pas përfundimit të aktiviteteve të përkrahura ndikojnë në menaxhim jo të mirë të buxhetit dhe mund të shkaktojnë përdorimin e fondeve në kundërshtim me synimet e planifikuara. Ministri duhet të sigurojë që për projektet e përkrahura financiarisht, fillimisht të bëhen vendimet, kontratat, pagesat, pastaj të zhvillohen aktivitetet dhe pas aktivitetit të arsyetohen shpenzimet”, thuhet në raport.

Më tutje thuhet se, sipas marrëveshjeve të nënshkruara, me rastin e dhënies së subvencioneve për projekte të ndryshme bartësit e projekteve obligohen që t’i arsyetojnë shpenzimet e ndodhura në afat prej 30 ditësh pas realizimit të aktiviteteve të subvencionuara.

“Ne kemi gjetur dhjetë (10) raste, me vlerë 28.735 euro, ku subvencionet nuk janë arsyetuar edhe pse aktivitetet e subvencionuara kishin kohë që kishin përfunduar. Mosarsyetimi i subvencioneve mund të ndikojë në mosarritjen e objektivave dhe synimeve të Ministrisë dhe po ashtu rrit rrezikun që fondet të përdoren për qëllime tjera nga ato të planifikuarat. Ministri duhet të sigurojë që projektet e subvencionuara të monitorohen nga zyrtarët e departamenteve përkatëse në kuadër të Ministrisë, në mënyrë që të respektohen afatet ligjore për raportimin dhe arsyetimin e shpenzimeve nga përfituesit e projektit”, thuhet në raport.

Pagesa pa i kryer punët

Sipas ZKA-së, MKRS-ja ka vazhduar pagesat ndaj OE-së, e cili nuk i ka përfunduar punët. Bëhet fjalë për Palestrën Sportive në Istog, për të cilën ishte paguar shuma 46.680 euro. Sipas auditorit, kryerja e pagesave për punët e papërfunduara është në kundërshtim me normat ligjore dhe mund të ndikojë që kontratat të mos përfundohen. Pagesat e parregullta shkaktojnë humbje financiare.