Komuna fali 114 mijë euro borxhe që nuk parashihen me ligj

Ekonomia June 29, 2017 - 08:46

Gjatë vitit 2016 Komuna e Skenderajt kishte falur borxhe në vlerë 8,520 euro nga taksat e ngarkuara në biznes duke u bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve. Gjithashtu, në vitin 2015 janë falur 106,000 euro. Por sipas Auditorit, Komuna nuk kishte bazë të qartë ligjore për faljen e këtyre borxheve, për shkak se këto kategori borxhesh nuk përfshihen në Ligjin për Faljen e Borxhit

Shumë shkelje ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) gjatë auditimit të pasqyrave financiare për vitin 2016 për Komunën e Skenderajt.

Në këtë Komunë ZKA-ja ka gjetur se ajo kishte falur borxhe në vlerë 8,520 euro nga taksat e ngarkuara në biznes duke u bazuar në Ligjin për Faljen e Borxheve. Gjithashtu, në vitin 2015 janë falur 106,000 euro.

Por sipas Auditorit, Komuna nuk kishte bazë të qartë ligjore për faljen e këtyre borxheve, për shkak se këto kategori borxhesh nuk përfshihen në Ligjin për Faljen e Borxhit.

“Gjatë vitit 2016 Komuna nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim për t’i zvogëluar llogaritë e arkëtueshme për taksat e biznesit dhe për shfrytëzuesit e pronave publike. Falja e borxheve të taksave në biznes pa mbështetje ligjore mund të shkaktojë humbje financiare për Komunën. Mosarkëtimi i borxheve mund të ndikojë në mospërmbushjen e planit të shpenzimeve dhe në reduktimin e projekteve investive të Komunës”, thuhet në raportin e ZKA-së.

Sipas ZKA-së, kryetari i Komunës duhet ta shqyrtojë rastin pse falja e borxheve është bërë edhe për kategoritë e borxheve që nuk parashihen me ligj dhe të sigurojë procese adekuate për faljen e tyre.

“Një nga mënyrat e faljes së këtij lloj borxhi është përmes Kuvendit Komunal. Po ashtu, duhet të sigurojë vendosjen e mekanizmave efektivë për mbledhjen e borxheve”, thuhet më tutje në raportin e siguruar nga gazeta “Zëri”.

Vonesa në pagesën e faturave

Sipas Rregullës Financiare 01/2013 MF, shpenzimi i parave publike, organizata buxhetore duhet që çdo faturë të vlefshme për pagesë ta paguajë brenda 30 ditësh kalendarike nga data e pranimit të faturës.

Auditimi i disa faturave ka rezultuar me faktin se Komuna nuk është duke ju përmbajtur Rregullës së Thesarit.

Pagesa “Mirëmbajtja e pajisjeve” në vlerë 1,204 euro ishte paguar me 93 ditë vonesë; pagesa “Shërbimet tjera kontraktuese” në vlerë 9,741 euro ishte paguar me 64 ditë vonesë; “Mirëmbajtja e shkollave” në vlerë 1,040 euro ishte paguar me 41 ditë vonesë; pagesa “Makinë fotokopjuese” në vlerë 1,600 euro ishte paguar me 19 ditë vonesë dhe pagesa “Derivate (naftë) për ngrohje” në vlerë 2,475 euro ishte paguar me 13 ditë vonesë.

“Ne kemi identifikuar dy (2) fatura në vlerë 270,542 euro, të cilat janë lëshuar nga OE-ja më datë 02.02.2016, ndërsa sipas Komunës këto dy fatura janë pranuar më datë 28.12.2016. Ne nuk ishim në gjendje të konfirmonim datën e saktë të pranimit të faturave për arsye se faturat me rastin e pranimit nuk u protokolluan nga Komuna. Vonesa në ekzekutimin e pagesave rrit rrezikun e ekspozimit të Komunës ndaj padive të mundshme por edhe në dëmtimin e reputacionit. Ndërsa mungesa e protokollimit me rastin e pranimit të faturave rrit rrezikun e mosevidentimit me kohë, konfirmimin e saktë të datës së pranimit dhe humbjes së faturave apo edhe pagesat e dyfishta të faturave”, thuhet më tutje në raportin e ZKA-së për Komunën e Skenderajt.

Dobësi në faturim dhe në pagesa

Më tutje në raportin e Auditorit thuhet se në një rast është vërejtur se janë paguar 522 euro për punë të cilat nuk ishin kryer (për dy ditë në të cilat nuk ishte punuar fare OE-ja i kishte faturuar Komunës 9 orë pune të makinerisë me çmim 58 euro për orë).

Auditimi i pagesave për projektin “Asfaltimi i rrugës Klinë-Llaushë” ka rezultuar me tejkalim prej 3,204 eurosh.

Ky tejkalim kishte ndodhur para se Komuna të revidonte pozicionet në kontratë. (Fillimisht në kontratën fillestare ishte përcaktuar sasia 360*6=2,160€, ndërsa ishte realizuar dhe paguar 900*6= 5,400€).

Mirëpo pas revidimit të projektit ky pozicion ishte hequr nga kontrata.

Sipas ZKA-së po ashtu në pagesën për “Asfaltimin e rrugëve në fshatin Klinë” kanë konstatuar se ka pasur tejkalime në disa pozicione.

“Shuma prej 2,707 eurosh ishte paguar mbi pozicionet e kontraktuara, pra kishte tejkalim të pozicioneve të kontraktuara dhe të njëjtat nuk ishin vërejtur nga organi mbikëqyrës i Komunës e madje as nga Komisioni i Pranimit Teknik. Në një mostër kemi vërejtur se faturimi i pozicionit ishte bërë gabim nga operatori dhe ai nuk ishte vërejtur nga menaxheri i kontratës e as nga certifikuesi. Në vend se të faturohej sasia prej 2,300 njësish me çmim prej 0.20 eurosh është faturuar me çmim 0.50 euro, gabim i cili ka rezultuar me mbipagesë prej 690 eurosh. Komuna kishte paguar vlerën 4,713 euro për kontratën mirëmbajtje investive, mirëpo zotimi për këtë pagesë i takonte një kontrate tjetër”, thuhet në raportin e ZKA-së.