OSHP-ja shkel ligjin për 'HIB Petrol'-in

Ekonomia June 29, 2017 - 08:43

Kompania “HIB Petrol” përmes Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP-së) sërish po kërkon që në dosje të tenderit për “Furnizim me derivate”, të shpallur nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP-ja), të futen kriteret e vitit 2014 dhe 2015, kur kjo kompani kishte fituar tender prej më shumë se 12 milionë eurosh për furnizim me derivate të institucioneve të vendit. Diana Metushi, nga KDI-ja, thotë se vendimi i fundit i OSHP-së mund të shihet si favorizues ndaj palës ankimore e që bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik

Kompania “HIB Petrol” sërish i është drejtuar Gjykatës së Tenderëve, duke kërkuar nga këta të fundit që në dosje të tenderit për furnizim me derivate, të iniciuar nga Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP-ja), t’i fusin disa kritere shtesë për t’iu pamundësuar kompanive të vogla që të jenë pjesë e këtij tenderi prej më shumë se 10 milionë eurosh. 

Gjatë viteve të kaluara, duke vendosur kritere shumë të larta, sidomos të qarkullimit financiar, shumë kompani kosovare që merren me tregti të derivateve nuk kanë mundur të aplikojnë fare në këtë proces të prokurimit.

Por, në tenderin e fundit AQP-ja e ka ndarë në lote në bazë të regjioneve, ku dhe janë zvogëluar kriteret për t’u dhënë mundësi kompanive lokale që të aplikojnë në këtë proces. 

Mirëpo, një gjë e tillë po kundërshtohet ashpër nga kompania “HIB Petrol”. Para disa muajsh me OSHP-ja kishte aprovuar kërkesën e kompanisë “HIB Petrol” rreth kritereve të vendosura në dosje të tenderit, ku dhe procesi prokurimit ishte kthyer në pikën zero.

Por, edhe me kriteret e reja të vendosura në procesin e ri të prokurimit sërish nuk po pajtohet kompania që aktualisht është duke furnizuar me derivate një pjesë të madhe të institucioneve të shtetit.

Madje në kërkesën e fundit drejtuar OSHP-së, e cila është publikuar në uebfaqe të këtij institucioni, “HIB Petrol” po kërkon që në dosje të tenderit të vendohen kritere të viteve 2014 dhe 2015, ku kompania nga AQP-ja pati fituar tenderin prej më shumë se 12 milionë eurosh.

Në ankesën e kompanisë “HIB Petrol” thuhet se në bazë të analizimit të dosjes së tenderit, respektivisht fletën e të dhënave të tenderit, edhe një herë shprehim pakënaqësitë tona me monopolin e jashtëm të krijuar si pasojë e kërkesave nga Autoriteti Kontraktues.

“Deklaratat tona bazohen në marrjen e deklaratave nën betim dhe krijimit të grupeve nga persona (kompani) që qëndrojnë mbrapa këtyre furnizimeve. Monopoli është i dënuar me ligj, si direkt ashtu edhe indirekt. Kriteret e ulëta dhe të thjeshta për këtë aktivitet voluminoz kanë mundësuar krijimin e këtij monopoli. Kërkesat të cilat kompania jonë kërkon që të jenë të përfshira nuk dëmtojnë konkurrencën, sepse kërkesat e tilla janë përcaktuese si në aspekt teknike ashtu edhe në ato profesionale”, thuhet në ankesën e kompanisë “HIB Petrol”.

Sipas tyre, vendosja e kërkesave administrative e teknike dhe profesionale ndalon monopolin e pjesëmarrjes së kompanive të vogla të mbështetura në prapavijë nga kompania pjesëmarrëse në këtë aktivitet të prokurimit.

“Kërkojmë nga Autoriteti Kontraktues në mënyrë që moskrijimit të këtij monopoli apo tendence për krijimin e saj ta marrë parasysh kërkesën për shtimin e kritereve:

Autorizim prodhuesit, referenca dhe kontrata të natyrës së lëndës në fjalë (të caktohen shumat sipas loteve), mjetet transportuese, licenca për deponim.

Mbështetur në propozimet tona janë edhe dosja e tenderit të AQP-së 2014 dhe 2015, ku ka pasur konkurrencë dhe kosorcioume. Në asnjë moment nuk jemi e vetmja kompani që mund të posedojmë dokumentacione të kërkesave të lartpërmendura.

Padi ndaj OSHP-së

Por, të pakënaqur me anulimin e tenderit një kompani private, “DHF Company”, ka paditur Organin Shqyrtues të Prokurimit për shkak të shkeljeve që kanë hasur në vendimin e datës 16 shkurt 2017.

Në padi thuhet se vendimi i OSHP-së për aprovimin e pjesshëm të ankesës së kompanisë “HIB Petrol” dhe anulimi i njoftimit për kontratë të AQP-së është i jashtëligjshëm.

“Paneli shqyrtues, duke mos u lëshuar shumë në arsyetimin e vendimit të marrë krejt në fund, thekson se ‘Autoriteti Kontraktues nuk ka vendosur kërkesa tipike për natyrën e aktivitetit të prokurimit, duke ua mundësuar që t’u ofrojnë edhe shumë operatorëve tjerë joprofesionalë dhe që nuk janë të kualifikuar, dhe që nuk kanë kapacitete të nevojshme, për të përfunduar kontrata të kësaj natyre’. Pa dhënë asnjë bazë ligjore OSHP-ja anulon  aktivitetin e prokurimit, AQP 16/001/111. Për më tepër, Paneli Shqyrtues nuk ka marrë për bazë argumentet e prezantuara nga eksporti i shqyrtues i OSHP-së, i cili ka deklaruar ‘Bazuar në Nenin 66 dhe 69 të LPP-së dhe Nenit 24 të rregullatorit të UOPP-së kjo është e drejtë dhe përgjegjësi e Autoritetit Kontraktues të specifikojë kritere për kualifikimin e operatorëve ekonomikë, varësisht prej natyrës së aktivitetit të prokurimit”, thuhet në padinë e kompanisë në fjalë kundër OSHP-së.

Aty më tutje thuhet se po ashtu Paneli Shqyrtues i Prokurimit nuk ka vlerësuar deklarimin e përfaqësuesit të Autoritetit Kontraktues, i cili ka deklaruar se kushdo që ka informacione për marrëveshje të  fshehta, në bazë të Nenit 130 të LPP-së, duhet t’i drejtohet Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Më tutje, në padinë e siguruar nga gazeta “Zëri” thuhet se duke u bazuar në faktin që në njoftimin për kontratë shuma e tenderit është paraparë prej 14 milionë e 650 mijë eurosh.

“Pra, për këtë rast, në bazë të rregullores së punës së OSHP-së kryetari është dashur ta caktojë panelin shqyrtues prej 5 anëtarëve, e jo 3 anëtarëve. Përkundër këtij vendimi të kundërligjshëm Paneli Shqyrtues i Prokurimit vendimin e PSH-së 25/17 e merr në kundërshtim me vendimin për caktimin e panelit shqyrtues, pasi që ky vendim është nxjerrë nga Blerim Dina, kryetar, Nuhi Paçarizi, referues si dhe Goran Milenkovic, anëtar. Ndërsa vetë kryetari i OSHP-së, Blerim Dina, me vendim kishte caktuar Tefik Sylejmanin, kryetar, Nuhi Paçarizin, referues dhe  Ekrem Salihun, anëtar. Pra, ky vendim i OSHP-së është marrë nën shkelje flagrante të rregullores së punës së OSHP-së dhe Ligjin për Prokurimin Publik”, thuhet në padinë e siguruar nga gazeta “Zëri”.

Metushi: Vendimi OSHP-së mund të shihet si favorizues ndaj palës ankimore

Diana Metushi, nga KDI-ja, ka thënë se sipas Ligjit për Prokurim Publik (LPP), Neni 105, OSHP-ja ka të drejtë ta anulojë apo ta korrigjojë një aktivitet të prokurimit lidhur me specifikat e dosjes së tenderit nëse dëshmohet se dosja e tenderit ka përmbajtur kushte dhe specifika të paligjshme, specifikimet diskriminuese teknike, ekonomike, financiare ose të përzgjedhjes.

“Megjithatë, ajo çfarë është shqetësuese rreth vendimit të OSHP-së është se anulimi i procedurës së prokurimit, i datës 16 shkurt 2017, nuk është bazuar në shkelje faktike të Ligjit të Prokurimit Publik për përfshirje të kritereve apo specifikave të paligjshme, por referohet në (citat) ‘konstaton se Autoriteti Kontraktues nuk ka vendosur kërkesa tipike për natyrën e aktivitetit të prokurimit dhe ua ka mundësuar të ofertojnë edhe shumë operatorëve të tjerë joprofesionalë dhe që nuk janë të kualifikuar, dhe që nuk kanë kapacitetet e nevojshme për të përfunduar kontrata të kësaj natyre’ OSHP-ja nuk prezanton me fakte se cilat janë specifikat e domosdoshme që duhet t’i përmbajë një veprim i tillë prokurimi dhe kërkesat tipike të referuara janë të ndërlidhura me kriteret e kontratave paraprake të AQP-së, të cilat, që të dyja, përforcohen nga pala ankimore”, ka thënë Metushi për gazetën “Zëri”.

Sipas saj, nëse i krahasojmë kontratat e ndryshme të aplikuara nga autoritetet kontraktuese të ndryshme në Kosovë, para aplikimit të procedurave të centralizuara, shohim se nuk ka një standard të specifikuar apo tipik të këtyre kërkesave, mirëpo, ato i janë adaptuar institucionit përfitues të produktit dhe shërbimit.

Sipas saj, dosja e tenderit ka përmbajtur të detajuara specifikat teknike rreth produkteve të kërkuara, specifikat funksionale rreth liferimit të shërbimeve dhe ato që kanë qenë të mangëta janë specifikat operacionale dhe specifika tjera të preferueshme.

“Aludimi se mungesa e kritereve më të ashpra në dosje të tenderit u ka mundësuar ofertimin operatorëve joprofesionalë dhe të pakualifikuar është i pabazë meqë operatorët ekonomikë duhet të jenë të licencuar nga një autoritet profesional (MTI) për një fushëveprim të tillë dhe për sa i përket kapaciteteve kërkesa e listuar në disa lote është aq e vogël saqë do të mundë të përballohej edhe nga një furnitor i vogël apo i mesëm. Madje nëse kthehemi dhe i rishikojmë kontratat ekzistuese të AQP-së për karburante do të vërejmë se shumë nga këta pika janë të nënkontraktuara nga vetë pala ankimore me po këta operatorë ekonomikë të vegjël”, ka thënë më tutje Metushi nga KDI-ja.

Sipas saj, në mungesë të prezantimit të shkeljeve faktike vendimi i OSHP-së mund të shihet si favorizues ndaj palës ankimore, e që bie ndesh me Ligjin e Prokurimit Publik, Neni 104, Parimet Themelore, paragrafi 1, sipas të cilit “Zbatimi i ndonjë procedure të shqyrtimit dhe asnjë vendim i OSHP-së nuk do të merret ose bëhet në mënyrën me të cilën diskriminohet në të mirë ose në dëm të një pjesëmarrësi në procedurë ose të një personi ose ndërmarrjeje tjetër”.

Specifikat përcaktohen nga Autoriteti Kontraktues

Diana Metushi nga KDI-ja thotë se sipas Ligjit për Prokurim Publik specifikat teknike përcaktohen nga Autoriteti Kontraktues dhe nuk duhet të përmbajnë kritere favorizuese, si dhe duhet t’i ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të mos krijuar apo imponuar rrethana apo kushte favorizuese apo diskriminuese. 

Ajo thotë se sipas po të njëjtit ligj dhe nen Autoriteti Kontraktues nuk do të ekzekutojë asnjë aspekt të aktivitetit të prokurimit në një mënyrë që redukton apo eliminon konkurrencën në mes të operatorëve ekonomikë ose që diskriminon në dëm ose në të mirë të një ose më shumë operatorëve ekonomikë.

“Një kërkesë e tillë mund të konsiderohet si një presion i jashtëm dhe një tentativë që bie ndesh me parimet bazë të përcaktuara me Ligjin për Prokurimin Publik”, ka thënë më tutje ajo.

Po ashtu Metushi më tutje sqaron se meqë ky veprim i prokurimit nuk ka të bëjë me blerjen e një produkti të veçantë, por të një produkti që ka një gamë të madhe të ofertës si në tregun lokal edhe atë global, kriteret e kësaj kontrate duhet të jenë të atilla që ta sigurojnë liferimin dhe kualitetin e produktit dhe shërbimeve lidhur me këtë prokurim.

“Duke e marrë parasysh se njëra nga metodat më të mira të rritjes ekonomike të një vendi është përmes stimulimit dhe rritjes së ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, sidomos përmes aplikimit të prokurimit publik apo edhe partneritetit publiko-privat, si dhe në përputhje me Ligjin për Prokurim Publik, Neni 7, Barazia në Trajtim/ Jo-Diskriminimi, paragrafin 1, sipas të cilit ‘Autoriteti kontraktues do t’i trajtojë operatorët ekonomikë në mënyrë të barabartë dhe jodiskriminuese dhe do të veprojë në mënyrë transparente’, sa më të ashpra që të jenë kriteret, aq më i pabarabartë për OE-të do të jetë ky veprim prokurimi. Ne edhe më parë kemi rekomanduar që në situatat e mundura të bëhet ndarja në sa më shumë llote, me qëllim të stimulimit të NMV-ve dhe rritjen e konkurrencës. Ajo që kemi vërejtur nga monitorimi i kontratave ekzistuese të AQP-së për furnizim me derivate është që kriteret ‘tipike’ kanë favorizuar operatorët ekonomikë të mëdhenj dhe kanë stimuluar një lloj ta quajmë ‘monopoli’, ku të njëjtat kompani të mëdha kanë ofertuar në të gjitha rastet, sepse kriteret e vendosura në dosje të tenderit kanë qenë të papërballueshme për ndërmarrjet e mesme dhe të vogla, duke eliminuar konkurrencën”, ka shtuar ajo.

Për këtë çështje, gazeta “Zëri” iu ka dërguar pyetje edhe OSHP-së, por nga këta të fundit nuk ka arritur të marrë përgjigje.