Shefi i Ujësjellësit ‘Mitrovica’ i’a punëson familjarin me diplomë të falsifikuar shefit të ‘Trepçës’ (Dokument)

Ekonomia June 22, 2017 - 17:49

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” në vazhdën e punësimeve skandaloze familjare, ka bërë shkelje ligjore, duke bërë punësimin e një punëtori me diplomë të falsifikuar.

Në muajin shkurt KRU “Mitrovica” kishte shpallur disa pozita të lira për punësim, ku përveç punësimit të vajzës së zëvendës Kryeshefit Ekzekutiv, Muharrem Peci, kjo kompani ka kryer një shkelje të rëndë ligjore, duke punësuar Mirsad Tmavën në pozitën ‘Operator (Dispeqer)’.

Për këtë vend pune ishte kërkuar që aplikuesit të posedonin diplomë të studimeve Bachelor në lëmin e IT-së, ndërsa roli i kësaj pozite është shumë i ndjeshëm, pasi që i punësuari do të kujdeset për energjinë elektrike të stacionit thithës dhe do të siguroj punën e pandërprerë të thithjes, do të kontrolloj punën e pompave, kryej pastrimin e filterëve dhe rivendosjen e tyre në proces, të kontrolloj aplikacionit Antivirus, të menaxhoj sistemet Harduerike, Softuerike dhe të planifikon zhvillimin e tyre, si dhe një varg detyrash tjera.

Më 28 prill 2017 ishin shpallur rezultatet e personave të pranuar në konkurs, ku në këtë pozitë ishte pranuar Mirsad Tmava, për të cilin në ankesën e bërë më 4 maj 2017 nga Nezir Ahmeti, thuhej se nuk posedon diplomë të studimeve Bachelor. Përveç në KRU ‘Mitrovica’, Nezir Ahmeti, i cili është i diplomuar në teknologji informative, ankesën e tij e ka prezantuar edhe në redaksinë e portalit Veriu.info dhe të njëjtën ia ka drejtuar edhe gjykatës kompetente.

Veriu.info më datë 19 maj ka kërkuar nga Kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Mitrovica’, Sami Miftari, që të përgjigjet në pretendimet e aplikuesit Nezir Ahmeti, se i pranuari në punë Mirsad Tmava nuk posedon diplomë të studimeve Bachelor, mirëpo, ai për një muaj e ka prolonguar dhënien e informacioneve për këtë rast të punësimit.

Tek me datë 20 qershor Kryeshefi Ekzekutiv i KRU ‘Mitrovica’, Sami Miftari, i’a ka dorëzuar personalisht gazetarit të portalit Veriu.info, një diplomë në bazë të së cilës është pranuar në punë Mirsad Tmava, i cili është familjar i afërt i menaxherit të Trepçës, Ahmet Tmava.

Kur është pyetur për pretendimet e Nezir Ahmetit se konkurrenti i tij i pranuar në punë, Mirsad Tmava nuk ka diplomë, Kryeshefi Ekzekutiv Sami Miftari, i ka dalë në mbrojtje familjarit të Ahmet Tmavës, duke thënë: “Qe ku e ki diplomën”, duke ofruar një kopje të saj.

Ndërkaq, sa i përket ndikimit në punësimin e Mirsadit nga kolegu i tij Ahmet Tmava, i cili është ndër menaxherët kryesor në Mitrovicë, pasi që drejton ndërmarrjen Trepça, Kryeshefi Miftari e ka mohuar këtë, duke thënë: “Kosova është shumë e vogël, edhe unë e ti mundemi me dalë familjar diçka. As s’ka ndiku Ahmeti e as kerkush hiq. Do me thanë i ka plotësuar kushtet”.

Pas prezantimit të diplomës së Mirsad Tmavës nga Kryeshefi Ekzekutiv, Sami Miftari, i cili këmbëngulte se ai i ka plotësuar kushtet e konkursit, Veriu.info ka kontaktuar prapë me ankuesin Nezir Ahmeti.

“Nuk e di për çfarë diplome është kjo, por unë jam i bindur se ai nuk ka diplomë dhe konform këtyre argumenteve të mia, unë kam bërë edhe ankesë në gjykatë. Nuk është e mundshme se ai ka diplomë. Pas rezultateve te dala për pozitën Operator, Menaxhmenti i KRU “Mitrovica“ përkatësisht Kryeshefi Ekzekutiv, e pranon në mënyrë të tërthortë gabimin që ka bërë si për rastin ‘Inxhinier Përgjegjës i Teknologjisë Informative’, po ashtu edhe për pozitën ‘Operator’ dhe në kompensim të kësaj kërkon që unë të pranoj qe ta hesht rastin dhe të ja filloj të punoje si inkasant për këtë kompani pa hapur konkurs fare. Normal që unë nuk kam pranuar një gjë të tillë, sepse për këto pozita që kam aplikuar kam pas shkollim dhe përgatitje profesionale superiore në krahasim me kandidatët tjerë. Pas refuzimit të ankesës, rastin e kam paraqitur në gjykatë ku besoj në një vendim të drejtë të tyre në lidhje me këtë rast”, kishte thënë Nezir Ahmeti për Veriu.info.

Mirëpo, diploma e prezantuar nga Kryeshefi Sami Miftari, kishte një fakt të papranueshëm, pasi që data e noterizimit të saj ishte 22 maj 2017, që i bie se ajo është futur në dosjen e të punësuarit gati një muaj pas pranimit të tij në punë, ani pse asnjë dokument nuk mund të futet në dosje të kandidatëve pas përfundimit të afatit të konkursit. Ndërkaq, konkursi ishte shpallur qysh me datë 10 shkurt 2017.

Kjo tregonte se në momentin e shpalljes së rezultateve, Mirsad Tmava, nuk ka pasur diplomën në dokumentet me të cilat ka aplikuar, por ajo është futur në dokumente vetëm tri ditë pasi që gazetari i Veriu.info kishte kërkuar për herë të parë nga Kryeshefi Ekzekutiv, Sami Miftari, që ta prezantoj diplomën e të punësuarit.

Për t’i vërtetuar pohimet e palëve, që ishin krejtësisht të kundërta dhe me shumë pikëpyetje, Veriu.info ka kontaktuar me Institucion jopublik të Arsimit të Lartë në emër të të cilit figuronte diploma e prezantuar nga Kryeshefi Ekzekutiv, por që për të mos e dëmtuar këtë institucioni nuk do t’ia publikojmë emrin.

“Në institucionin tonë në bazë të databazës elektronike që kemi si dhe librave amë të të regjistruarve që nga 2003, emrin te cilin e keni cekur ju nuk gjendet askund. Pra, kjo tregon se nuk është regjistruar dhe as student i asnjërit program e sidomos programi Menaxhment dhe informatikë –IT”, thuhet në përgjigje.

Ndërsa, në pyetjen se a ka ky institucion arsimor drejtim të studimeve Bachelor “Menaxhment dhe Informatikë – IT”, sekretari i këtij institucioni ka thënë: “Institucionin ynë nuk ka program të llojit të tillë që nga viti akademik 2009/2010. Në departamentin e Ekonomisë sa i përket studimeve në nivel Baçelor apo të studimeve themelore ka dy programe: a) Menaxhment dhe b) Banka, Financa dhe Kontabilitet. Kurse me emër të tillë të programit nuk kemi (Menaxhment dhe informatikë -IT). Diploma me nr. te protokollit 293/1114 të datës 06.11.2014 të cilën e ka lëshuar institucioni ynë , gjithmonë duke u bazuar ne databazen elektronike dhe librin e protokollit të të diplomuarve, diploma nuk është e lëshuar me emër të tillë dhe nuk është e personit Mirsad (Ismet) Tmava, një përgjigje më të thelle nuk mund të ta japë, duke pasur parasysh ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale”.

Falsifikimi shihet edhe me faktin, se diploma e prezantuar nga Kryeshefi Sami Miftari, shkruan se është lëshuar në vitin 2014, pasi që Mirsad Tmava ka regjistruar studimet në vitin akademik 2011/2012, edhe pse institucioni i Arsimit të Lartë që nga viti 2010 nuk e kishte këtë drejtim të studimeve.

Image

Image