Pasuria e politikanëve kosovarë 300 milionë euro!

Ekonomia June 15, 2017 - 08:03

Pasuria e kabinetit qeveritar, si dhe e 120 deputetëve të Parlamentit të Kosovës vlerësohet rreth 300 milionë euro. Vetëm zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi ka deklaruar pasuri në vlerë prej 106 milionë eurosh, shkruan sot Gazeta "Zëri"

Pothuajse çdonjëri nga 120 deputetët e Parlamentit të Republikës së Kosovës ka pasuri milionëshe, duke përfshirë këtu patundshmërinë e deklaruar, si dhe depozitat e majme që i mbajnë në sistemin bankar.

Sipas formularëve të deklarimit të pasurisë të publikuar dje nga Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKK), gazeta “Zëri” ka bërë një kalkulim të pasurisë së deklaruar të zyrtarëve të lartë shtetërorë në Kosovë, e cila rezulton të jetë rreth 300 milionë euro.

Më i pasuri nga të gjithë politikanët është zëvendëskryeministri në largim Ramiz Kelmendi, i cili ka deklaruar aksione në rrjetin e supermarketeve “ETC”, që vlejnë hiç më pak se 106 milionë euro.

Ai po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi dy shtëpi në vlerë prej 230 mijë eurosh, toka në vlerë prej 45 mijë eurosh, si dhe 3200 euro para të gatshme në bankë.

Pas Kelmendit me pasuri aktualisht prin kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore Agim Bahtiri dhe pasuria, të cilën ky e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit, është më e madhe se 7 milionë euro.

Ai ka deklaruar se ka në pronësi 4 shtëpi në vlerë prej 1 milion e 360 mijë eurosh, si dhe një sipërfaqe të madhe të tokës në vlerë prej 6.2 milionë eurosh.

Lekaj, 1.8 milion euro pasuri

Keq me pasuri nuk qëndron as ish-shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Kuvendin e Kosovës, Pal Lekaj.

Ky i fundit në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se pasuria e tij është rreth 1.8 milion euro.

Lekaj ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 280 mijë eurosh, një sipërfaqet të tokës në vlerë prej 1.5 milion eurosh, si dhe dy automjete në vlerë prej 37 mijë eurosh.

Me pasuri nuk qëndron keq as bashkëpartiaku i Kelmendit, ministri në largim i Punës dhe Mirëqenies Sociale Arban Abrashi.

Ky i fundit në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 200 mijë eurosh, tri banesa në vlerë prej 380 mijë eurosh, 250 mijë euro troje, si dhe 100 mijë euro pronë e përbashkët.

Po ashtu Abrashi ka vetëdeklaruar se në llogaritë e tij bankare ka të depozituara më shumë se 60 mijë euro para të gatshme.

Pasuri prej më shumë se gjysmë milioni eurosh ka deklaruar edhe ministri në largim i Punëve të Brendshme të Kosovës Skender Hyseni.

Ky ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 350 mijë eurosh, një banesë në vlerë prej 120 mijë eurosh, si dhe një automjet në vlerë prej 35 mijë eurosh.

Po ashtu pasuri prej rreth gjysmë milioni eurosh në AKK ka vetëdeklaruar edhe ministrja në largim e Drejtësisë Dhurata Hoxha.

Kjo ka deklaruar se në pronësi ka një shtëpi familjare në vlerë prej 200 mijë eurosh, si dhe një shtëpi personale në vlerë prej 200 mijë eurosh. Hoxha po ashtu ka deklaruar se në pronësi ka një veturë në vlerë 16 mijë e 900 euro, si dhe 57 mijë euro aksione në dy biznese private.

Në kompaninë “Abellardo” Hoxha ka deklaruar se është pronare e 100% të aksioneve, derisa në kolegjin “ESLG” ajo ka deklaruar se është pronare e 56% të aksioneve në vlerë prej 56 mijë eurosh.

Ministrja në largim po ashtu në llogaritë e saj bankare ka arritur të kursejë rreth 35 mijë euro.

Grabovci, Reçica, Lushtaku, Deliu fshehin pasurinë

Adem Grabovci, ish-shef i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK)  në formularët e deklarimit të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit (AKK), të cilat janë publikuar të mërkurën, ka prezantuar pasurinë që ai posedon.

Mirëpo, ashtu sikurse në vitin e kaluar Grabovci dy banesat, disa trojet e pronat familjare, një automjet “BMW” i kishte vlerësuar me zero euro.

Mirëpo ai nuk kishte vepruar kështu vite më parë kur në formularët e njëjtë pasurinë e njëjtë ai e kishte deklaruar me vlerë prej më shumë se 1.5 milionë eurosh, duke hyrë kështu në grupin e politikanëve më të pasur në institucionet e vendit.

Njëjtë sikurse Grabovci kanë vepruar edhe disa tashmë ish-deputetë të tjerë të Kuvendit të Kosovës, siç është Blerta Deliu-Kodra.

Kjo në formularët e AKK-së ka deklaruar se posedon disa troje, një shtëpi prej 240 metrash katrorë, ku këto të gjitha i ka vlerësuar me zero euro.

Mirëpo, në vitin 2014 deputetja Deliu-Kodra në atë kohë pasurinë e njëjtë e kishte deklaruar me vlerë prej rreth 3 milionë eurosh.

Pasuri të madhe posedon edhe deputeti tjetër i PDK-së Nuredin Lushtaku.

Ai në formularët e AKK-së ka vetëdeklaruar se posedon shtëpi, tokë, kontroll teknik të automjeteve, truall, objekt afarist prej 7000 metrash katrorë, por edhe ky njëjtë ka vepruar si bashkëpartiakët e tij duke e vlerësuar ato me vlerë prej zero eurosh.

Hasani, mbi 1.3 milion euro pasuri

Në top-listën e politikanëve më të pasur në institucionet e vendit hyn edhe ish-deputeti i PDK-së Nait Hasani.

Ai në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi dy shtëpi 650 mijë euro, dy banesa 120 mijë euro, tokë 550 mijë euro, dy automjete 17 mijë euro, si dhe mbi 20 mijë euro para të gatshme në bankë.

Po ashtu, pasuri prej më shumë se 1 milion eurosh ka deklaruar edhe ish-nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së Xhavit Haliti.

Ky ka deklaruar se ka në pronësi dy shtëpi familjare 500 mijë euro, banesë 200 mijë euro, tokë bujqësore 500 mijë euro, tokë pyjore 20 mijë euro, stoli ari 25 mijë euro, automjet 7 mijë euro, para të gatshme 128 mijë euro.

Keq me pasuri nuk qëndron as ish-deputeti tjetër i PDK-së Hajdar Beqa.

Ky në formularët e AKK-së ka deklaruar se posedon pasuri prej rreth 1 milion eurosh.

Beqa ka deklaruar se ka në pronësi dy banesa në vlerë prej 148 mijë eurosh, shtëpi familjare në vlerë prej 250 mijë eurosh, truall 300 mijë euro, tokë të pyllëzuar në vlerë prej 150 mijë eurosh, si dhe 3 vetura në vlerë prej 64 mijë eurosh.

Po ashtu edhe ish-deputeti i PDK-së Besim Beqaj në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi një shtëpi në vlerë prej 232 mijë eurosh, si dhe dy shtëpi, toka, male, objekte afariste, por që për të gjitha këto i ka vlerësuar me zero euro.

Beqaj po ashtu ka deklaruar se në llogaritë e tij bankare ka të depozituara më shumë se 234 mijë euro.

Limaj, 820 mijë euro pasuri

Fatmir Limaj, kryetar i Nismës për Kosovën, po ashtu gjendet në krye të listës së zyrtarëve më të pasur në institucione e ku pasuria e tij të cilën ky vetë e ka deklaruar në Agjencinë Kundër Korrupsionit është 820 mijë euro.

Limaj ka deklaruar se ka në pronësi  banesë 70 mijë euro, shtëpi 250 mijë euro, si dhe tokë në vlerë prej 500 mijë eurosh.

Po ashtu keq në këtë drejtim nuk qëndron as bashkëpartiaku i Limajt, deputeti Zafir Berisha, i cili ka deklaruar një pasuri prej 680 mijë eurosh.

Haradinaj me dy shtëpi

Daut Haradinaj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në formularët e AKK-së ka deklaruar se ka në pronësi dy shtëpi ku njëra ka vlerë prej 195 mijë eurosh derisa tjera që e ka përfituar në vitin 2016 ka vlerë prej 200 mijë eurosh. Haradinaj po ashtu ka deklaruar se ka në pronësi veturë në vlerë prej 10 mijë eurosh, si dhe gjësende personale në vlerë prej 16 mijë eurosh.

Po ashtu Teuta Rugova, ish-deputete e LDK-së në Kuvendin e Kosovës, prin për nga pasuria e deklaruar në raport me koleget e saj të Grupit Parlamentar.

Pasuria që Rugova ka deklaruar në formularët e AKK-së është rreth 1.6 milion euro.

Ajo ka deklaruar se ka në pronësi shtëpi familjare në vlerë prej 1.5 milion eurosh, banesë në vlerë prej 68 mijë eurosh, veturë në vlerë prej 25 mijë eurosh. /ZËRI/

Image

Image