Rryma falas për serbët e veriut mund të ndërpritet

Ekonomia June 14, 2017 - 09:04

 Avokati i Popullit ka kërkuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) që urgjentisht t’i ndalë praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës te konsumatorët në pjesën tjetër të vendit, shkruan sot, gazeta Zeri.

Avokati i Popullit ka publikuar të martën raportin me rekomandime lidhur me energjinë elektrike që shpenzohet në veri të Kosovës, e cila me vendim të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRRE) u shpërndahet nëpër fatura të gjithë qytetarëve të Kosovës.

Fillimin e hetimeve për këtë çështje Avokati i Popullit e ka nisur duke u bazuar në shkrimin e gazetës “Zëri”, të datës 7 prill 2017, me titull: “KEDS-i na faturon 8 milionë euro në vit për rrymën e serbëve të veriut”.

Më 7 prill të këtij viti gazeta “Zëri” kishte raportuar se më shumë se 8 milionë euro energji elektrike, e cila shpenzohet nga serbët në veri të Kosovës edhe më tutje vazhdon t’u shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën.

Nga përfundimi i luftës e deri më tash serbët në veri kanë shpenzuar energji elektrike prej më shumë se 100 milionë eurosh. Humbjet komerciale dhe teknike të energjisë elektrike në vend edhe më tutje vazhdojnë të jenë tejet të larta, ndonëse sipas kontratës së privatizimit ato është dashur të ulen nga viti në vit.

Zvogëlimi i humbjeve të energjisë elektrike dhe modernizimi i rrjetit të shpërndarjes ishte njëri nga arsyet e privatizimit të distribucionit.

Por, ndonëse kanë kaluar disa vite nga privatizimi i rrjetit ndryshimet pothuajse nuk po vërehen fare.

Madje ditë më parë KEDS-i është gjobitur nga ZRRE-ja pasi ka aplikuar reduktime në emër të punimeve në rrjet e që në realitet një gjë të tillë nuk e ka bërë fare.

Sipas të dhënave zyrtare, të marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), nga viti 2013 deri në vitin 2015 humbjet kanë rënë për  4,5 për qind derisa caku i përcaktuar nga ZRRE-ja që duhet të arrihej për këtë periudhë ishte 8,5%.

Pra, 3% për vitin 2013, 3% për vitin 2014 dhe 2,5% për vitin 2015.

ZRRE-ja kishte konfirmuar skandalin

Në anën tjetër, zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) kishin konfirmuar për gazetën “Zëri” se brenda një viti qytetarët serbë në veri të Kosovës shpenzojnë energji elektrike në vlerë prej rreth 8 milionë eurosh, e cila shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë.

Adelina Murtezaj, zyrtare për medie në ZRRE, thotë se humbjet në veri të vendit janë humbje që shkaktohen për arsye politike dhe janë jashtë mundësive të operatorit për të ndikuar në uljen e tyre.

“Ato nuk llogariten as si humbje teknike dhe as si komerciale. Operatorët e dinë sasinë e energjisë që hyn në rrjet në këtë pjesë të vendit, por për shkak se nuk mund t’i lexojnë njehsorët e secilit konsumator kjo energji sipas strukturës tarifore nuk mund të kthehet në vlerë financiare të saktë. Megjithatë, duke marrë parasysh çmimin me shumicë të energjisë elektrike llogaritet që vlera e sasisë së energjisë së konsumuar në këtë pjesë të vendit të jetë rreth 8 milionë në vit”, kishte thëne Murtezaj për gazetën “Zëri”.

Në pyetjen e gazetës “Zëri” se pse KEDS-i energjinë që po ua dërgon serbëve në veri po ua faturon qytetarëve shqiptarë, Murtezaj thotë se ligjet e energjisë kanë paraparë që gjatë llogaritjes së të hyrave maksimale të lejuara të operatorëve të rregulluar të konsiderohen te humbjet e arsyeshme, të cilat janë jashtë ndikimit të operatorit, siç është rasti me veriun e vendit.

“Prandaj është e paarsyeshme dhe do të ishte e papërballueshme financiarisht për operatorin që këto humbje t’i lihen atij si barrë”, ka thënë ajo.

Për këtë çështje gazeta ia ka dërguar disa pyetje edhe Zyrës për Medie të KEDS-it, por këta janë përgjigjur shumë shkurt rreth skandalit në fjalë.

“Fatkeqësisht, për shkak të arsyeve politike dhe të sigurisë ne ende nuk jemi duke operuar në veri. Kjo çështje i tejkalon kompetencat tona dhe ne ju lusim që pyetjet që kanë të bëjnë me veriun t’i adresoni tek autoritetet relevante”, ka thënë Viktor Buzhala, zyrtar për medie në KEDS.

Humbjet u zvogëluan vetëm për 4,5%

Adelina Murtezaj, zyrtare për medie në Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike, thotë se para privatizimit të OSSH-së ka përcaktuar caqet që duhet të arrihen nga operatori në mënyrë që të ulen humbjet në rrjetin e energjisë elektrike.

“Humbjet e lejuara nga ZRRE-ja për vitin 2013 janë aprovuar në nivelin prej 27,40% ndërsa Operatori i Distribuimit i ka rritur ato në nivel prej 31,03%. Për vitin 2014 humbjet e lejuara kanë qenë në nivel prej 24,40%, ndërsa niveli i realizuar është 28,46%, ndërsa për vitin 2015 niveli i lejuar i humbjeve nga ZRRE-ja ka qenë 21,90%, ndërsa niveli i realizuar është 26,55%. Pra në përqindje Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nga viti 2013 deri në vitin 2015 ka reduktuar humbjet në nivelin prej 4,5% pikë, ndërsa caku i përcaktuar nga ZRRE-ja që duhet të arrihej për këtë periudhë ishte 8,5% (3% për vitin 2013, 3% për vitin 2014 dhe 2,5% për vitin 2015)”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në mosrealizimin e këtyre humbjeve një pjesë e tyre është e trashëguar nga mbajtësi paraprak i licencës për OSSH (KEK) në vlerë prej 1,8%.

“Është me rëndësi të theksohet se për pjesën e parealizuar të uljes së humbjeve operatorit nuk i pranohen në të hyrat e lejuara maksimale, pra konsumatorët nuk paguajnë për pjesë që nuk është investuar në përmirësimin e rrjetit dhe përforcimin e operimeve të operatorit”, ka thënë më tutje Murtezaj.

E në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it nuk dëshirojnë të japin shumë informacione rreth humbjeve të energjisë elektrike në vend, prej momentit të privatizimit e deri më tash.  

“Humbjet teknike dhe komerciale gjithashtu janë të rregulluara dhe të njohura nga ZRRE-ja. Për vitin 2016 humbjet e njohura nga ZRRE-ja ishin 19,4 për qind. Edhe pse ky numër ishte më i lartë, kjo është shifra që ZRRE-ja e njeh dhe i ka ngarkuar konsumatorët si pjesë e tarifave.Diferenca është mbuluar nga KEDS-i. Edhe pse përqindja e humbjeve është duke rënë çdo vit, është ende e lartë dhe vjen si pasojë e shumë konsumatorëve të papërgjegjshëm që keq e shfrytëzojnë energjinë elektrike”, ka thënë zëdhënësi KEDS-it, Viktor Buzhala, ka raportuar gazeta “Zëri” më shtatë prill të këtij viti.

Por të martën në raportin e publikuar thuhet se pas konfirmimit që Avokati i Popullit ka marrë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) që energjia e shpenzuar në veri u faturohet qytetarëve në pjesët tjera të vendit, si dhe pas komunikimit me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, respektivisht me Departamentin e Energjisë dhe me Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, gjegjësisht me Departamentin për Mbrojtjen e Konsumatorit, lidhur me çështjen në fjalë ka konstatuar se një veprim i tillë është në kundërshtim me ligjet në fuqi që e rregullojnë sektorin e energjisë elektrike, si dhe në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit.

Cenohen dispozitat kushtetuese

Sipas Avokatit të Popullit po ashtu me këto veprime cenohen edhe dispozitat kushtetuese dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, që kanë të bëjnë me të drejtën për të mos u diskriminuar dhe të drejtën pronësore.

“ZRRE-ja urgjentisht t’i ndalë praktikat e kundërligjshme të faturimit të energjisë elektrike të shpenzuar në veri të Republikës së Kosovës tek konsumatorët në pjesën tjetër të vendit. Qeveria e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me ZRRE-në dhe KEDS-in, ta gjejë një mënyrë alternative për t’iu shmangur humbjeve në veri të vendit, duke trajtuar të gjithë konsumatorët në mënyrë të barabartë sipas normave kushtetuese dhe ligjore kundër diskriminimit. ZRRE-ja, në pajtim me Ligjin Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, ta nxjerrë një vendim me anë të së cilit do të miratohej zbritja e tarifave deri në atë masë që do ta mundësonte kompensimin e konsumatorëve, të cilët padrejtësisht janë faturuar dhe vazhdojnë të faturohen për energjinë elektrike të shpenzuar në katër komunat veriore”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.

Autoritet krijuan kushte të favorshme për KEDS-in

Më tutje në raport thuhet se meqenëse faturimi i rrymës së shpenzuar në veri nuk ka mbështetje në ligj, Avokati i Popullit (AP) ka analizuar edhe vendimin e ZRRE-së, V_399_2012, të datës 6 shkurt 2012, që sipas ZRRE-së përbën bazë për faturimin e rrymës në veri të Kosovës.

“Me sa mund të kuptohet vendimi ka të bëjë me rritjen e investimeve të KEDS-it për t’i evituar humbjet të cilat përcaktohen me ligj. Po ashtu, vërehet se vendimi është nxjerrë më 6 shkurt 2012, ndërsa Operatorit i Sistemit të Shpërndarjes (KEDS) dhe kompania e furnizimit publik (KESCO) kanë marrë funksionet e shpërndarjes dhe furnizimit në mars të vitit 2013. Vërehet se autoritetet përkatëse të Republikës së Kosovës paraprakisht kanë krijuar kushte të favorshme për KEDS-in dhe KESCO-n, duke garantuar investime për t’i mbuluar humbjet që përcaktohen me ligj. Vendimi V_399_2012, i datës 6 shkurt 2012, është akoma në fuqi”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit, të cilin e ka siguruar gazeta “Zëri”.

Aty më tutje thuhet se arsyetimi i ZRRE-së se vlera prej 8 milionësh është e papërballueshme për KEDS-in nuk është i qëndrueshëm.

“Lidhur më këtë arsyetim Avokati i Popullit gjatë takimit të zhvilluar me ZRRE-në, më 22 maj, ka pyetur për shumën e përfitimeve vjetore të KEDS-it. Përfaqësuesit e ZRRE-së nuk kishin informatë për këtë çështje. Në mungesë të këtij informacioni kyç AP-ja refuzon ta marrë si të mirëqenë pretendimin se humbjet në fjalë janë të papërballueshme për KEDS-in. Nuk janë të qëndrueshme as pretendimet se shpenzimet e rrymës së shfrytëzuar në veri janë humbje të arsyeshme, që duhet të mbulohen nga qytetaret në pjesë tjera të territorit të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë arsyetohen se këto humbje kanë kosto të lartë të papërballueshme. Kjo për shkak se dihet mirë se KEDS-i është një kompani fitimprurëse për të cilën nuk dihet se çfarë fitimesh vjetore të saj janë”, thuhet më tutje në raportin e Zyrës së Avokatit të Popullit.

Gjithnjë duke u bazuar në raport thuhet se Avokati i Popullit konsideron se pretendimet e ZRRE-së dhe Departamentit të Energjisë së Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik (MZHE) se furnizimi me energji elektrike i qytetarëve është obligim ligjor sipas AP-së duhet të jenë të qarta dhe të bazuara.

Më tutje Avokati i Popullit konsideron se më gjithë perceptimin e mundshëm të publikut se pabarazia bazohet mbi përkatësinë etnike, Avokati i Popullit konsideron se në rastin në fjalë kemi të bëjmë me një pabarazi jo në bazë të përkatësisë etnike, por në bazë të vendbanimit.

“Banoret në veri të Kosovës nuk detyrohen të  paguajnë për sasinë e energjisë që harxhojnë, ndërsa banoret në pjesën tjetër të Kosovës detyrohen të paguajnë për sasinë e energjisë që harxhojnë vetë si dhe atë që e kanë harxhuar banoret në veri. Kjo nuk mund të cilësohet si një pabarazi në baza etnike, përderisa në veri ka edhe banorë të komiteteve tjera”, thuhet në raport.