Skandali 600 mijë eurosh me barna i ministrit Rrahmani

Ekonomia May 30, 2017 - 10:30

Ministria e Shëndetësisë (MSH) ka përzgjedhur ofertën e një kompanie për furnizim me barna nga Kina, derisa barnat e kompanisë amerikane “PFIZER” që u ofruan me një çmim më të lirë prej rreth 630 mijë euro u refuzuan

Ministri i Shëndetësisë (MSH) Imet Rrahmani, po e dëmton rëndë buxhetin e shtetit, duke rekomanduar për kontratë të tenderit për furnizim me “Heparin”, kompaninë më të shtrenjtë për 627 mijë euro.

Zyra e Prokurimit e ministrisë që drejton Rrahmani, për lotin e 24 të tenderit për furnizim me barna të Listës Esenciale (LE) “Low Molecular Weigt Heparin – 2000IU-6000IU,04ml”, e ka shpallur si fitues të tenderit kompaninë “Liri Med”, e cila përfaqëson barnat e prodhueseve kinez, e cila kishte ofertuar me 1 milionë e 26 mijë euro, e ku çmimi ofruar për njësi ishte 3,83 euro, raporton zeri.info.

Ndërkaq, është vlerësuar si e papërgjegjshme kompania “Medical Group”, e cila përfaqëson barnat e prodhuesit amerikan “PFIZER”. Kjo e fundit në tenderin për furnizim me 268 mijë Heparina, kishte ofertuar me 399 mijë e 320 euro, apo me çmim prej 1,49 euro për njësi.

Në njoftimin dërguar nga ministria e Shëndetësisë thuhet se Operatori Ekonomik “Medical Group” për lotin 24 nuk e ka në Autorizimin për Marketing, që dozat e produkteve të ofruara të jenë në përputhje të plotë si në Dosje të tenderit.

“Është kërkuar doza 2000-6000IU/0.4 ML, ndërsa është ofruar 2000IU/0.2ml”thuhet në njoftim për eliminim që ministria e Shëndetësisë i ka dërguar kompanisë “Medical Group” , raporton zeri.info.

MSH: Tenderi nuk ka përfunduar

Por, ndonëse ministria ka publikuar njoftimin për dhënie të kontratës në ueb faqe të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), por kontrata mes ministrisë dhe kompanive të rekomanduara nuk është nënshkruar ende për shkak të ankesave që kompanitë e pakënaqura kanë dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP).

Gazeta “Zëri” për këtë çështje iu ka dërguar pyetje ministrisë së Shëndetësisë, por këta nuk kanë pranuar të flasin rreth çështjes në fjalë.

 “Lënda nga tenderi për furnizim me Heparin nuk ka përfunduar ende, me që e njëjta është për shqyrtim në Organin Shqyrtues të Prokurimit Publik. Pas shpalljes së vendimit nga ky organ, mund të ju sigurohet qasje në dosjen e tenderit, sipas Ligjit për Qasje në Dokumente Publike”shkruan përmes postës elektronike drejtori i zyrës për Informim në këtë ministri Faik Hoti, raporton zeri.info.

Po ashtu, pyetjeve të gazetës nuk iu janë përgjigjur as përfaqësuesit e kompanisë së rekomanduar për kontratë “Liri Med”. Të hënën gazeta iu ka dërguar pyetje në adresën elektronike të kompanisë në  fjalë, por deri më tash nga ta nuk ka marrë përgjigje.

Por, në anën tjetër përfaqësues të kompanisë “Medical Group” që janë cilësuar si të papërgjegjshëm kanë dyshimet e tyre për kurdisje të tenderi për shkak të çmimit shumë më të lartë të kompanisë së rekomanduar për kontratë

108% më shtrenjtë se në tenderët e kaluar

Përfaqësues të kompanisë “Medical Group” në ankesën të cilën e kanë dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) thonë se deri më tash Heparina nuk është paguar asnjëherë më shtrenjtë.

“Produkti në lotin 24 nga Lista Esenciale asnjëherë nuk është paguar më shtrenjtë se sa është rekomanduar për këtë aktivitet ‘Liri Med’. Çmimi për njësi i ofertës së ‘Liri Med’ rekomanduar për kontratë për këtë aktivitet tenderues është 3,83 euro për njësi. Në anën tjetër nëse shikohet se sa është blerë i njëjti produkt në vitet paraprake del se çmimi i këtij produkti ka qenë 1,84 euro. Kjo sipas statistikave të vetë MSH-së, analiza e produkteve të listës esenciale. Andaj në krahasim me vitet paraprake kemi një shtrenjtim prej 108 %”thuhet në ankesën e kompanisë drejtuar në OSHP e të cilën e ka siguruar “Zëri”

Aty me tej thyhet se ministria e Shëndetësisë pa të drejtë eliminon si të papërgjegjshme ofertën e “Medical Group” e cila sipas autorizimit ka përfaqësuar kompaninë farmaceutike liderë dhe më serioze në botë, kompaninë Amerikane “PFIZER”, dhe shpërblen operatorin Ekonomik “Liri Med”, i cili sipas autorizimit ka përfaqësuar kompaninë Kineze shumë më të shtrenjtë, duke dëmtuar buxhetin e Kosovës saktë për 627 mijë euro.  “Doza e ofertuar me ‘2500 IU’, sikurse dëshmohet me Autorizim Marketing, është në tersi me përputhje me dosjen e tenderit. Kjo përkundër se në letrën standarde për tenderuesin e eliminuar MSH-ja tregon se fare nuk e ka analizuar ofertën e ‘Medical Group’, pasi vlerëson se ka dorëzuar tender me dozë ‘2000 IU’. Kjo tregon se Autorizim Marketingu i ‘Medical Group’ nuk është analizuar dhe vlerësua fare”, thuhet në ankesën që kompania ankuese e ka dorëzuar në OSHP.

“Medical Group”: Volumi i pa rëndësishëm

Aty më tutje thuhet se volumi në të cilin është dispersuar doza, 0.2 dhe 0.4 ml është kriter tërësisht i parëndësishëm as nga aspekti teknik dhe as nga aspektin klinik mjekësor, raporton zeri.info.

“Duke filluar nga 2000IU njëri deri në deri në 6000IU njësi janë në përputhje të plotë me dosjen e tenderit. Andaj ofertat e OE të dorëzuar me doza brenda këtyre njësive 2000 IU deri në 6000 IU janë të përgjegjshme”thuhet më tutje në ankesë. Përfaqësues të kompanisë “Medical Group” në ankesën e tyre pretendojnë se volumi në të cilin është dispresuar doza është tërësisht i parëndësishëm dhe nga aspekti mjekësor dhe nga aspekti klinik. “Si ilustrim nëse merren dy doza 2500 IU dhe atë njëra me volum 0,2ml dhe tjetra me volum 0,4ml, në të dy produktet gjithmonë do ti kesh 2500 IU dhe asnjëherë efekti klinik i këtyre 2500 IU nuk do të ndryshoj pa marrë parasysh volumin 0,2 ose 0,4 ml. Sa më i vogël volumi në dozë të njëjtë gjithmonë rekomandohet më tepër nga klinicistët për shkak të efekteve anësore që volumi madh i ka gjatë administrimit”thuhet më tutje në ankesë, raporton zeri.info / Zëri