Haradinaj në Rahovec: Do ta rrisim menjëherë buxhetin për bujqësinë

Ekonomia May 27, 2017 - 21:08

Kandidati për Kryeministër i koalicionit PDK-AAK-Nisma, Ramush Haradinaj ka premtuar rritjen e buxhetit për bujqësinë. Duke bashkëbiseduar me qytetarët e Rahovecit, të cilëve Haradinaj u ka kërkuar besimin më 11 qershor, tha se i menjëhershëm do të jetë rritja e buxhetit për bujqësinë.

“Ju kanë thanë shumë se kanë me e rrit buxhetin për bujqësi. Unë po ju them se kam me e rrit, edhe jo dikur. Kam me e rrit menjëherë”, tha Haradinaj.

Ai ka premtuar edhe ndihmë për fermerët të cilëve ditë më parë iu shkatërruan të mbjellat nga kushtet e këqija atmosferike.

E gjithë kjo tha se do të bëhet në muajin tetor.

Haradinaj theksoi se kosovarët me qeverisjen e PDK-AAK-Nismës do të jenë zot shtëpie në vendin e tyre.

“Gjithkush është ma zot shpie se na në Kosovë. Krejt tjerët merren më shumë me ne, përfshirë edhe kojshinë e keq sesa na vetë. Ka me ndërru kjo punë. Kur po tham ka me ndërru, vërtetë ka me ndërru. Çdo shtet që na ka njoft për të pavarur nuk pranoj mem kallxu mu çka mendon Serbia për Kosovën. Nuk pranoj. Nëse m’ke njoft për shtet, unë s’po të kallxoj çka mendoj për atë atje, qysh i kryn ai punët e veta, mos më kallxo ti mua për të. Kësaj pune i ka ardhë koha si thotë populli me u kry”, tha Haradinaj.

Koalicioni i madh mes PDK'së, AAK'së dhe Nismës është arritur pak minuta para se të përfundojë afati zyrtar i KQZ'së për lidhjen e koalicioneve parazgjedhore.

Përveç koalicionit me AAK'në dhe Nismën, PDK'ja ka arritur marrëveshje edhe me shtatë parti të tjera të vogla.

Zgjedhjet do të mbahen me 11 qershor.