Rreth 1 milion euro për dy zona ekonomike

Ekonomia May 23, 2017 - 08:58

Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka nënshkruar të hënën dy marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e një zonë ekonomike në fshatin Shirokë të Suharekës dhe një tjetër në fshatin Qylagë, të komunës së Lipjanit, shkruan sot, gazeta Zeri.

 Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, vizitoi të hënën Komunën e Suharekës e cila u prit nga kryetari i kësaj Komune Sali Asllanaj.

Me këtë rast ministrja Bajrami dhe kryetari Asllanaj nënshkruan marrëveshjen për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e zonës ekonomike në Shirokë, të komunës së Suharekës.

Në fjalën e saj ministrja Bajrami theksoi se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përkatësisht Qeveria e Kosovës, e ka si objektiv parësor krijimin dhe funksionalizimin e zonave industriale në Republikën e Kosovës me qëllim të krijimit të kushteve optimale për punë të bizneseve të vendit, si dhe të tërheqjes së investitorëve nga jashtë.

Sipas saj, funksionalizmi i kësaj zone ekonomike do të kontribuojë shumë në rritjen e aktivitetit biznesor të ndërmarrjeve duke sjellë të mira ekonomike jo vetëm për komunën e Suharekës, por për mbarë vendin.

Ajo shtoi se “përmirësimi i deritashëm i mjedisit rregullativ për të bërit biznes në vendin tonë po përcillet me hapa konkretë investues edhe në përmirësimin e infrastrukturës për punë të bizneseve dhe kjo po prodhon rezultate inkurajuese për ekonominë e vendit tonë”.

Vlera e investimit në këtë projekt për vitin 2017 është 391,071.29 euro, ku prej kësaj shume MTI-ja kontribuon me 345,000.00 euro, ndërsa Komuna e Suharekës me 46,071.29 euro.

Po ashtu në kuadër të angazhimeve për themelimin e zonave industriale nëpër komunat e Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, nënshkroi sot marrëveshje për bashkëfinancimin e projektit “Parku Industrial” në Qylagë, të komunës së Lipjanit.

Me këtë rast, ministrja Bajrami tha se Qeveria e Kosovës ka shënuar rezultate të konsiderueshme ekonomike dhe është e kënaqur që po e çojnë më tej procesin e ndërtimit të zonave industriale përmes të cilave lehtësohet shumë puna e bizneseve.

Parku i Biznesit në Lipjan do të mundësojë lokacion shumë të përshtatshëm dhe me kosto tejet të ulët për kompanitë vendore dhe të huaja që të zhvillojnë afarizëm në vendin tonë, duke mundësuar krijimin e vendeve të reja të punës.

Vlera e investimit në këtë projekt për vitin 2017 është 385,000.00 euro, ku prej kësaj shume MTI-ja kontribuon me 345,000.00 euro, ndërsa Komuna e Lipjanit me 40,000.00 euro.