Prokuroria ‘mbyll’ sytë karshi skandalin 3-milionësh

Ekonomia May 16, 2017 - 09:37

Rreth 10 kompani farmaceutike kosovare janë në hall me institucionet e shtetit, pasi që prej më shumë se tre vjetësh nëpër depot e tyre janë bllokuar një sasi e madhe e barnave me origjinë nga Serbia.

Tri kompani serbe të barnave “Hemofarm”, “Jugoromedia” dhe “Zdravlje”, duke falsifikuar Certifikatat e Kualitetit të Produkteve (CPP) për një kohë të gjatë u kanë shitur kompanive kosovare sasi të madhe të barnave esenciale, të cilat janë përdorur kryesisht nëpër institucionet publike shëndetësore në vend.

Por pas një hetimi ndërkombëtar, ku kanë qenë të përfshira Policia e Kosovës, EULEX-i dhe INTERPOL-i, ka rezultuar se CPP-të që kanë sjellë ato në Agjencinë e Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM) kanë qenë të falsifikuara, ku dhe me vendim të autoriteteve kosovare është bllokuar një sasi e barnave në vlerë prej më shumë se 3 milionë eurosh. Në bazë të dokumenteve që ka siguruar gazeta “Zëri” shihet se në vitin 2011 Policia e Kosovës ka hetuar rastin dhe më pas ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurori.

“Ju njoftoj se Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit nga fundi i vitit 2011 ka filluar hetim lidhur më verifikimin e CPP-së nga shteti i Serbisë për produktet farmaceutike të tri kompanive ‘Hemofarm’, ‘Jugoromedia’ dhe ‘Zdravlje’. Andaj ju njoftoj se nga shteti i Serbisë përmes Drejtorisë për bashkëpunim ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit kemi pranuar raportin se tri kompanitë nuk janë pajisur më CPP nga Agjencia për Produkte Medicinale Serbi, por këto kompani në AKPMM kanë deponuar CPP-në si origjinale, ku për të njëjtat kanë deklaruar se ‘Ne garantojmë për origjinalitetin e dokumentacionit’. Në konsultim me prokuroren Drita Hajdari, e njëjta rekomandon që AKPM-ja do të merret me procedurat e mëtutjeshme, ndërsa Hetuesia do të merret me hetimin e veprës penale”, thuhet në shkresën e Policisë drejtuar ish-kryeshefit të AKPM-së Ilir Dushit.

Derisa Policia ka hetuar rastin, në anën tjetër shihet se Prokuroria “ka mbyllur” sytë karshi skandalin 3-milionësh.

Për këtë çështje gazeta “Zëri” i ka dërguar pyetje të detajshme Prokurorisë së Shtetit, por këta edhe më tutje nuk kanë informacione rreth skandalit në fjalë, ndonëse për këtë kanë marrë një kallëzim penal nga Policia e Kosovës.

“Sa u përket pyetjeve tjera, ju informoj se kam kërkuar informacion nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

Nga PSRK-ja ende nuk kam pranuar asnjë informatë, ndërkaq nga Prokuroria Themelore e Prishtinës më kanë informuar se duke u bazuar në të dhënat që i keni ofruar është pothuajse e pamundur që të identifikohet rasti. Andaj, nëse keni informata më të hollësishme mund të na i dërgoni”, ka thënë Liridona Kozmaqi, zyrtare për media në Prokurorinë e Shtetit./Zeri/.