Nis realizimi i projektit 7-milionësh

Ekonomia May 16, 2017 - 08:27

Kompleksi 7-milionësh i pishinave olimpike, në një hapësirë prej rreth 4 hektarë, është kompleksi i parë i këtij lloji në këtë pjesë të Ballkanit dhe përfshin ndërtimin e një pishine të hapur olimpike, një pishinë të mbyllur gjysmëolimpike, pishinën për vaterpolo, kërcimoren, lumin “dembel” për fëmijë, lojëra të ndryshme për fëmijë dhe një hotel. Edhe në Shupkovc është duke u ndërtuar një pishinë gjysmëolimpike, shkruan sot, gazeta Zeri.

Kompania “ACI” e kontraktuar për realizimin e projektit të kompleksit të pishinave në afërsi të Ibrit në Mitrovicë ka filluar përgatitjet për fillimin e realizimit të projektit disamilionësh.

Përfaqësues të kompanisë “ACI” SHA, e cila do të ndërtojë kompleks të pishinave dhe objekte të tjera rekreative sportive afër lumit Ibër, Afrim Durmishi dhe Jusuf Haxhimehmeti, gjatë një takimi që kanë pasur me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, kanë siguruar se projekti do të realizohet në afatin e paraparë.

Ata thanë se janë kryer të gjitha përgatitjet për të filluar me projektin, ndërsa kanë shtuar se janë në kontakte me kompani të njohura botërore për kontraktimin e projekteve.

Por, ata potencuan se për të filluar me realizimin e projektit kërkohet pëlqimi i Komunës së Mitrovicës si dhe i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, në mënyrë që pastaj të fillohen me punën sipas dinamikës së paraparë.

Kompleksi disamilionësh në një hapësirë prej rreth katër hektarësh është kompleksi i parë i këtij lloji në këtë pjesë të Ballkanit dhe përfshin ndërtimin e një pishine të hapur olimpike, një pishinë të mbyllur gjysmëolimpike, pishinën për vaterpolo, kërcimoren, lumin “dembel” (i ngadalshëm) për fëmijë, lojëra të ndryshme për fëmijë dhe një hotel.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se sa i përket Komunës së Mitrovicës gjithçka do të kryhet me kohë, edhe pëlqimi për realizimin e projektit.

“Ne duam që kompania të punojë pa u ndalur dhe të bëjë punë cilësore. Komuna do ta pajisë me kohë kompaninë me të gjitha dokumentet e nevojshme. Unë garantoj se kompania do ta ketë mbështetjen e plotë të Komunës, e cila ka ndarë hapësirën prej 4 hektarësh për ndërtimin e kompleksit të pishinave”, ka thënë Bahtiri.

Ndërkaq Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, i tha “Zërit” se kompania e cila do ta realizojë projektin dhe e cila do të investojë në ndërtimin e pishinave olimpike do të fillojë me punën menjëherë.

Ai tha se ka shkuar në vendin që është planifikuar të realizohet projekti dhe ka kërkuar nga operatorët të cilët grumbullojnë rërën për shitje që të zhvendosen në një hapësirë tjetër me të njëjtat kushte.

“Ne i kemi bindur shitësit e rërës që të zhvendosen në hapësira të tjera, në Zhabar, ku ata mund të vazhdojnë me veprimtarinë e tyre. Atyre ua kemi bërë të ditur se është e domosdoshme zhvendosja nga ajo pjesë, respektivisht nga pjesa e lumit që shpie për në Suhadoll, pasi që në atë pjesë do të realizohet projekti i madh i pishinave të tipit të hapur dhe të mbyllur, vlera e të cilit kap shumën prej 7 milionë eurosh”, ka thënë Mujka.

Ndryshe, sipas kontratës, në bazë të vendimit që ka marrë Kuvendi i Komunës në mbledhjen e mbajtur më 31.08.2016 Komuna i jep në shfrytëzim afatgjatë prej 99 vjetësh hapësirën prej 17.137 metrash katrorë, që shtrihet në zonën afër lumit Ibër, përkatësisht në Lagjen Fidanishte dhe hapësirën prej 2.554 metra katrorë që shtrihet në zonën kadastrale të Zhabarit.

Operatori ekonomik ndërkaq obligohet që ndërtimin e objekteve të Kompleksit të Pishinave sipas kushteve urbane, të paraparë dhe të lejuar me Planin Rregullues Urban, ta përfundojë në vitin 2017. Sipas kontratës parashihet që në kompleksin e pishinave të ndërtohet një pishinë e hapur olimpike, një pishinë e mbyllur gjysmëolimpike, një pishinë rekreative dhe një pishinë për fëmijë, si dhe objekte tjera përcjellëse, siç janë fushat e sportit, fusha për tenis, fusha për basketboll, fusha për volejboll e të tjera. 

Sipas përfaqësuesve të kompanisë, për ndërtimin e kompleksit të pishinave do të investohen 7 milionë euro, ndërsa do të punësohen 75 të rinj të Mitrovicës.

Kur ishte nënshkruar kontrata përfaqësuesit e kompanisë kishin premtuar se pishinat do të jenë të gatshme për verën e vitit 2017.

Në anën tjetër, një pishinë gjysmëolimpike është duke u ndërtuar në Shupkofc të Mitrovicës nga një bashkëatdhetar.

Nexhat Çela nga Rashani i Mitrovicës, i cili ndodhet me punë në Vjenë të Austrisë, gjatë një takimi që ka pasur me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka siguruar se do të investojë në ndërtimin e pishinës. 

“Këtë pronë e kam blerë me paratë e kursyera dhe meqë këtu është një vend jashtëzakonisht i mirë, prej nga shihet i tërë qyteti dhe terreni është shumë i përshtatshëm për pushim e rekreacion, vendosa që këtu ta ndërtoj një pishinë gjysmëolimpike. Ka disa probleme rreth infrastrukturës rrugore, por shpresoj se me ndihmën e Komunës dhe të tjerëve edhe ky problem do të tejkalohet dhe besoj se pishina do të jetë e gatshme për shfrytëzim në fillim të qershorit, kur do t’i punësoj fillimisht mbi 10 persona, për të shtuar më pastaj numrin e tyre”, tha ai.

E ndërkaq kryetari i Mitrovicës tha se ky projekt ka rëndësi për zhvillimin e komunës pasi që mundëson punësimin e disa të rinjve nga ky mjedis.

“Në Mitrovicë është shtuar numri i biznesmenëve që kërkojnë të investojnë në projekte të ndryshme. Ne si Komunë kemi bërë dhe po bëjmë përpjekje për krijimin e kushteve sa më të mira për joshjen e investitorëve dhe kjo po jep rezultate, pasi që kohëve të fundit ka shumë kërkesa për investime. Këto investime pa dyshim se do të ndikojnë në zhvillimin e ekonomik të komunës dhe shtimin e numrit të të punësuarve”, ka thënë Bahtiri, duke premtuar mbështetjen e tij dhe të Komunës.