Qendra tregtare i jepet “Emona City”-t, qiraja mujore 41.100 euro

Ekonomia May 15, 2017 - 09:52

Gjithë hapësira e qendrës tregtare në Mitrovicë prej 20.583 metrash katrorë i është dhënë në shfrytëzim kompanisë “Emona City” nga Vushtrria për 15 vjet, ndërsa qiraja mujore është 41.100 euro. Në konkursin që është shpallur para 3 muajve nuk është paraqitur asnjë kompani tjetër përveç “Emona City”-t

Pas më shumë se tre muaj qëkur është shpallur konkursi për dhënie në shfrytëzim të hapësirave në qendrën tregtare në Mitrovicë, një projekt që është financuar nga Bashkimi Evropian dhe i cili ka përfunduar para pak ditëve, Komuna e Mitrovicës ka arritur marrëveshje me kompaninë “Emona City” nga Vushtrria dhe ka lidhur kontratë me të për dhënie në shfrytëzim të të gjithë hapësirës së qendrës kësaj kompanie. Komuna e Mitrovicës ka lidhur kontratë me “Emona City”-n, së cilës i jepet në shfrytëzim 20.683 metra katrorë sa ka gjithsej hapësirë qendra për 15 vjet. Qiraja mujore, sipas kontratës, është 41.100 euro.

Kjo marrëveshje në mes të Komunës së Mitrovicës dhe “Emona City”-t u jep fund të gjitha dilemave, pasi që nuk kishte fare të interesuar për t’i marrë ato në shfrytëzim. Komuna e Mitrovicës për më shumë se 3 muaj ishte vënë në kërkim të bizneseve për t’ua dhënë në shfrytëzim hapësirat në qendrën tregtare dhe më në fund kishte arritur që ta gjejë vetëm një, kompaninë “Emona City”, e cila ka të shtrirë rrjetin e dyqaneve në gjithë Kosovën.

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, i tha “Zërit” të premten se në konkursin e shpallur para tre muajve është paraqitur vetëm një kompani e interesuar për t’i marrë hapësirat në shfrytëzim. “Po, ka pasur vetëm një kompani të interesuar, ‘Emona City’, dhe ne kemi arritur marrëveshje me të. Kompania në fjalë ka marrë në shfrytëzim gjithë hapësirën për 15 vjet dhe do të paguajë 41.100 euro qira në muaj”, ka thënë Mujka.
Pasi kanë përfunduar të gjitha procedurat e nevojshme ligjore dhe janë kryer formalitetet e duhura, kryetari i Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri, dhe drejtori i operatorit ekonomik “Emona City”, sh.p.k, nga Vushtrria, Shaip Mikullovci, kanë nënshkruar kontratën për dhënien e pronës së paluajtshme të Komunës në shfrytëzim afatshkurtër, përkatësisht për dhënien me qira të qendrës së re tregtare afër Ibrit operatorit ekonomik “Emona City” sh.p.k. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se me këtë akt bëhet  zgjidhje më e mirë për funksionalizimin e pronës së paluajtshme të Komunës së Mitrovicës - qendrës tregtare.

“Presim që këtë ndërtesë të bukur dhe shumëfunksionale operatori ekonomik ‘Emona City’ ta funksionalizojë dhe kjo të bëhet një qendër moderne afariste, atraktive për qytetarët e të dyja komunave të Mitrovicës, asaj veriore dhe kësaj jugore. Qytetarët do të kenë mundësi për të bërë tregti dhe për t’i plotësuar kërkesat e tyre të ndryshme sa i përket furnizimit dhe të shfrytëzimit të shërbimeve që qendra do tua ofrojë”, tha ndër të tjera Bahtiri
Objekti afarist qendra tregtare ka një sipërfaqe të tërësishme prej 20.583 metrash katrorë dhe pjesën e parkingut të jashtëm në sipërfaqe prej 2.439 metrash katrorë. Çmimi total i qirasë mujore do të jetë 41.100 euro, të cilat operatori ekonomik do t’i paguajë në konton e Komunës, si dhe Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Kontrata është nënshkruar për periodën 15-vjeçare.

Kompania “Emona City” nga Vushtrria ka paralajmëruar ndërtimin edhe të një objekti të ngjashëm në pronën e vet në hyrje të qytetit të Vushtrrisë, në të cilin do t’i investojë 5 milionë euro, ndërsa do t’i punësojë 250 vushtrrias. Por krahas që prona e blerë nga AKP-ja ishte uzurpuar deri vitin e kaluar kur ishte liruar gjatë një aksioni të AKP-së për lirimin e pronave të uzurpuara e në të cilin aksion merrte pjesë edhe vetë kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, Komuna e Vushtrrisë me Planin Zhvillimor Komunal ka paraparë që e gjithë toka e “Emona City”-t, mbi 1 hektar, të shpallet zonë e gjelbëruar.

Opozita, si dhe disa këshilltarë të pozitës kanë dalë kundër, ndërkohë që janë zhvilluar disa seanca të Kuvendit dhe në asnjërën prej tyre nuk ka mundur të vendoset nëse ajo zonë do të mbetet e gjelbëruar ose zonë ndërtimore, siç ka propozuar opozita në Vushtrri. Ky problem pritet të zgjidhet në fillim të këtij muaji.

Ndryshe, qendra tregtare e Mitrovicës është një prej 4 projekteve të financuara nga Bashkimi Evropian. Përfundimi i punëve ka zgjatur shumë, pasi ka pasur ngecje në realizimin e tyre. Anëtarët e Komitetit Drejtues të Projekteve që BE-ja i financon në Komunën e Mitrovicës kanë thënë se ka përfunduar edhe objekti i qendrës multifunksionale, i cili është i karakterit sportiv. Një problem lidhur me këtë objekt për të cilin flasin anëtarët e këtij Komiteti është formimi i kompanisë publike, e cila do të menaxhojë me objektin multifunksional, pasi që Ministria përkatëse ende nuk i ka kthyer përgjigje Komunës lidhur me kërkesën për formimin e kompanisë së re. Për pasojë, siç thanë anëtarët e  Komitetit Drejtues të Projekteve të BE-së dhe vetë kryetari Bahtiri, nuk ka mundur të bëhet as pranimi i stafit që do të punonte në objekt. Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, tha se shpreson se ky problem do të zgjidhet shpejt./Zeri/