Kriminalizohet veriu

Ekonomia May 12, 2017 - 10:30

Gjatë prillit dhe brenda tri ditëve të fundit në veri të Mitrovicës kanë ndodhur 19 sulme fizike, tri zjarrvënie, një vrasje e rëndë dhe një plaçkitje. Autorët e këtyre akteve nuk janë identifikuar akoma, por dyshohet se sulmet fizike mbi shqiptarët i kanë kryer pjesëtarë të organizatave “Mosto-klinci” dhe “KM Firm-28”, të cilat janë formuar pas shpërbërjes së “Civilna Zastita”

Incidente të rënda përfshirë edhe një vrasje kanë ndodhur në veri të Mitrovicës brenda tri ditëve të fundit. Në këtë mënyrë seria e sulmeve mbi qytetarët e pjesës veriore të Mitrovicës kanë vazhduar edhe në maj, pas incidenteve të njëpasnjëshme në muajin prill, ku 17 qytetarë shqiptarë dhe dy qytetarë serbë janë sulmuar fizikisht nga grupe të serbëve dhe nga persona të paidentifikuar, ndërkohë që dy makinave u është dhënë flaka, njëra prej të cilave e një pjesëtari të Policisë së Kosovës në veri.

Gjatë prillit në lagjen shqiptare “Kodra e minatorëve” në veri të Mitrovicës persona që nuk janë zbuluar akoma ia kanë dhënë flaken ambulancës, një shtëpie të një shqiptari si dhe objekteve të cilat shërbejnë si shkollë për fëmijët shqiptarë, por që falë intervenimit të menjëhershëm objekti-shkollë ka shpëtuar pa u djegur. Serinë e sulmeve mbi të rinjtë shqiptarë në pjesën veriore të Mitrovicës si dhe zjarret në lagjen “Kodra e minatorëve” po dyshohet t’i kenë kryer pjesëtarë të organizatës së ashtuquajtur “Mosto-klinci” (“Vogëlushët e Urës”), përkatësisht të organizatës “KM Firm-28”, të cilat janë formuar pas shpërbërjes së organizatës ilegale “Civilna Zastita”.

Pjesëtarët e këtyre dy organizatave, siç thotë edhe kryetari i QR të KMDLNJ-së në Mitrovicë, Halit Barani, kanë zëvendësuar të ashtuquajturat “Roja të Urës”, organizatë të cilën e ka themeluar Oliver Ivanoviq pas përfundimit të luftës dhe e cila përbëhet nga ish-pjesëtarë të MUP-it dhe të Xhandarmërisë së Serbisë...(Shkrimin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës Zëri)