Shkëputen kontratat me kompanitë që nuk fillojnë të ndërtojnë në ZLE

Ekonomia April 26, 2017 - 08:12

Komuna e Mitrovicës ua ka tërhequr vërejtjen kompanive që kanë marrë truall në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës se duhet t’i përmbushin kontratat dhe të fillojnë të ndërtojnë, përndryshe ka kërcënuar se do t’i shkëpusë kontratat të cilat i ka lidhur me 19 kompani të vendosura në ZLE

Ndonëse Komuna e Mitrovicës ka lidhur kontrata dhe u ka ndarë troje deri edhe me 10 hektarë në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër 19 kompanive, asnjë nga ato nuk ka filluar të ndërtojë. Edhe pas një viti në Zonën e Lirë Ekonomike gjendja është e njëjtë, nuk ka asnjë ndërtim. Ndonëse Komuna e Mitrovicës nuk ka arritur akoma ta kompletojë infrastrukturën, nuk ka pasur energji elektrike derisa është vendosur një trafostacion elektrik javën që shkoi, ndërsa edhe kanalizimi dhe furnizimi me ujë nuk është rregulluar, i pari i Mitrovicës ka kërkuar nga kompanitë që të fillojnë të ndërtojnë.

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, ka thënë se Komuna e Mitrovicës ka bërë dhe është duke bërë maksimumin që të krijojë kushte sa më të mira për investime për bizneset vendore dhe ato ndërkombëtare, të cilat duan të investojnë në Mitrovicë.

“Investimet e bizneseve janë shtylla të zhvillimit ekonomik të qytetit tonë dhe të ngritjes së cilësisë së jetës për secilin qytetar. Në kemi bërë të pamundurën që të krijojmë kushte për kompanitë që kanë aplikuar dhe që tashmë janë vendosur në Zonën e Lirë Ekonomike. Atyre u kemi ndarë parcelat e nevojshme dhe punët mund të fillojnë menjëherë për zbatimin e projekteve, posa të krijohen kushtet infrastrukturore. Kjo është një formë e re e gjenerimit të vendeve të punës, gjë që nuk është bërë më parë. Ne kemi takuar pronarët e bizneseve të cilët sot janë shtylla e zhvillimit ekonomik. Kemi nënshkruar kontratat me zotimin që secili nga ne do të bëjmë maksimumin t’i përmbushim ato pikë për pikë aq sa na takon dhe në këtë mënyrë të kontribuojmë në zhvillimin ekonomik të Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri. 

19 bizneset e vendosura në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës, të cilat sipas të parit të Mitrovicës do të duhej të fillojnë menjëherë të ndërtojnë, kanë planifikuar të investojnë 19.5 milionë euro, si dhe t’i punësojnë 1500 mitrovicas. Por ka gjasa që kjo të mos ndodhë, pasi bizneset po hezitojnë të fillojnë me punën dhe kjo ka bërë që Komuna e Mitrovicës t’ua tërheq vërejtjen për obligimet që kanë sipas kontratave. Kryetari i Mitrovicës pretendon se ka kryer obligimet e saj dhe se ka përgatitur hapësirën për ndërtimin e objekteve.

“Shumë shpejt aty do të ketë edhe ujë dhe do të rregullohet kanalizimi. Kemi mundur ta asfaltojmë edhe rrugën, por këtë nuk po e bëjmë me qëllim pasi qarkullimi i automjeteve të rënda me materiale të ndryshme që u duhet bizneseve për ndërtim do ta dëmtonin atë. Prandaj, kur punimet të përfundojnë, asfaltimi i rrugës do të bëhet menjëherë”, i ka thënë “Zërit” kryetari i Mitrovicës. Ai ka shtuar se pronarë të kompanive kanë qenë të obliguar sipas kontratës t’i fillojnë procedurat për marrjen e lejeve përkatëse nga Komuna dhe fillimin e ndërtimit të objekteve për çka edhe u është dhënë prona komunale.

“Kushtet për fillimin e punëve për ndërtimin e fabrikave dhe të objekteve tjera ekzistojnë. Ata kanë qenë të obliguar që deri më tash të pajisen me lejet përkatëse nga Komuna. Ato brenda dy-tri ditësh merren, pasi që stafi është i obliguar që me prioritet të punojë për këto kompani. Nëse nuk i marrin lejet dhe nëse nuk e fillojnë punën për ndërtimin e objekteve në afatin e kontraktuar, menjëherë do të rishqyrtohen kontratat e atyre dhe ato  mund të shkëputen”, ka thënë mes tjerash kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, i cili për këtë vendim i ka njoftuar të gjitha kompanitë e vendosur në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës./Zeri/