OSHP-ja shqipton gjoba vetëm në letër

Ekonomia April 25, 2017 - 08:21

Për shkak të shkeljes së Ligjit të Prokurimit Publik (LPP) Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ka gjobitur Telekomin e Kosovës (TK) dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) me nga 25 mijë euro, por deri më tash OSHP-ja nuk ka arritur t’i marrë mjetet nga asnjeri institucion, shkruan sot, gazeta Zeri.

Hiç më pak se 216 mijë euro, gjoba këto të shqiptuara nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) ndaj institucioneve të ndryshme e të cilat kanë shkelur Ligjin e Prokurimit Publik (LPP), nuk po inkasohen nga Gjykata e Tenderëve në vend.

Gjobat e shqiptuara prej kohësh së paku deri më tash kanë mbetur vetëm në letër.

Në raportin vjetor të OSHP-së thuhet se duke u bazuar në Nenin 118 të Ligjit për Prokurimin Publik të Republikës së Kosovës nr. 04/L-042, i ndryshuar dhe i plotësuar me Ligjin Nr. 04/L-237, Ligjin Nr. 05/L-068 dhe Ligjin Nr. 05/L-092, Organi Shqyrtues i Prokurimit krijon të hyra nga gjobat të cilat u shqiptohen autoriteteve kontraktuese me rastin e moszbatimit të vendimeve të OSHP-së, të cilat derdhen drejtpërdrejti në buxhetin e Kosovës dhe të hyra nga depozitat lidhur me ankesat e shqyrtuara për të cilat merret vendim për konfiskim.

“Në vitin 2016 një gjobë është shqiptuar për Postën dhe Telekomin e Kosovës në shumën prej 25,000 eurosh dhe një për Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës në shumën prej 25.000 eurosh, por nuk janë inkasuar pasi që Thesari nuk inkason mjetet financiare pa vendim gjykate. OSHP-ja në vitin 2016 ka pranuar 481 ankesa dhe nga ky numër dy operatorë ekonomikë nuk kanë depozituar shumën e ankesës për shkak se i kanë dorëzuar me postë”, thuhet në raportin vjetor të OSHP-së për vitin 2016.

Më tutje në raport thuhet se OSHP-ja ka gjithsej 23 pozita të lejuara me Ligjin për Buxhetin për vitin 2016 dhe nga ky numër 18 pozita janë shërbyes civilë, ndërsa 5 pozita janë me anëtarë bordi, të cilët propozohen nga Qeveria e Kosovës dhe emërohen nga Kuvendi i Kosovës.

“Për numrin e të punësuarve sipas Ligjit për Buxhetin e vitit 2016 mjetet e ndara kanë qenë në vlerë prej 210,428 00 eurosh, ndërsa pagesa totale për këtë kategori është 195,264.48 euro dhe shuma e planifikuar nuk ka arritur të shpenzohet për shkak se në fillim të vitit kanë qenë tri pozita të paplotësuara me anëtarë bordi, të cilët janë emëruar në muajin mars 2016 dhe një punëtor është i pezulluar me 50% të pagës bazë”, thuhet më tutje në raport.

108 mijë euro për mallra dhe shpenzime

Më tutje në raportin vjetor të OSHP-së për vitin 2016 thuhet se në kategorinë mallra dhe shërbime buxheti i planifikuar vjetor ka qenë 114,355 euro, ndërsa janë shpenzuar në shumën prej 108,638 eurosh.

“Shpenzimet kanë të bëjnë me furnizim me materiale për zyrë, furnizim me karburante, shërbime sigurimi, mirëmbajtje objekti, si dhe shpenzime kontraktuese, të cilat tejkalojnë shpenzimet e planifikuara për vitin 2016, si dhe shërbimet intelektuale (këshillimore) të cilat i referohen ekspertëve të jashtëm. Për më tepër i referoheni tabelës së shpenzimeve, në bazë të së cilës do të prezantohen shpenzimet sipas strukturës dhe kodeve ekonomike. Në kategorinë mallra dhe shërbime disa kode e kanë tejkaluar dyfishin e vlerës së parashikuar, siç është kodi 13460, pasi që me vendim gjykate kemi paguar shumën 6,734 € për kompensim për pagë për shkak se i është ndërprerë marrëdhënia e punës një punëtori dhe gjithashtu janë kaluar disa kode të tjera, por kjo ka ndodhur për shkak të ndërrimit të objektit. Gjatë vendosjes në objekt të ri kanë dalë disa nevoja për shërbime dhe furnizime, siç ka ndodhur te kategoria e mobilieve, shërbime kontraktuese ku kemi një tejkalim të shpenzimeve të planifikuara dhe atyre të shpenzuara”, thuhet në raport. 

Për paga u shpenzuan 307 mijë euro

Në raportin vjetor të OSHP-së për vitin 2016 thuhet se nga totali i përgjithshëm i buxhetit te alokuar, i cili ka qenë në shumën prej 329,883 eurosh, nga Thesari janë alokuar mjete ne vlerë prej 315,882.98 eurosh, ndërsa janë shpenzuar 307,925 euro dhe përqindja në mes buxhetit të shpenzuar në raport me buxhetin e alokuar është 97,5%.

“Shuma e mjeteve të paalokuara për kategorinë paga dhe mëditje në shumën prej 14.000 eurosh me vendim të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 07/112, të datës 18.10.2016 janë identifikuar si kursime buxhetore pasi që nuk kemi arritur t’i shpenzojmë për shkak të mosplotësimit të numrit të anëtarëve të bordit në fillim të vitit. Në buxhetin e vitit 2016 përmes Parasë se Imët ( kodi 13810) janë shpenzuar 3,780 euro, në kode ekonomike si 13310; 13509; 13610; 14310 ;13470 etj. Ndërsa në kodin 13820 avance për udhëtime zyrtare janë shpenzuar 6,783.63 €, të cilat janë shpërndarë në kode 13141- mëditje (reprezentacion),13142 - akomodim dhe 13143 - tjera”, thuhet më tutje në raportin vjetor.