Po bien kamatat në bujqësi

Ekonomia April 24, 2017 - 10:18

Ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi, duke iu referuar një raporti të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, thotë se përmirësimet dhe lehtësimet më të mëdha nga bankat komerciale janë shënuar pikërisht tek kreditë bujqësore. Megjithatë, ai pret që lehtësimet e tilla të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në tri vjetët e fundit nëpërmjet granteve dhe subvencioneve e ka ndihmuar sektorin e bujqësisë me 140 milionë euro. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për shtojcën e specializuar për banka “iBank” ministri Memli Krasniqi, duke shtuar se falë subvencioneve të tilla edhe interesimi i të rinjve për t’u marrë me bujqësi është në rritje, siç po rriten vazhdimisht eksportet e prodhimeve bujqësore.

Gjatë kësaj interviste ministri Krasniqi ka folur edhe për mundësinë e zhvillimit të sektorit bujqësor nëpërmjet kredive bankare, si dhe për mundësinë e formalizimit të këtij sektori, duke i nxitur fermerët që t’i paguajnë tatimet dhe kontributet për punëtorët. Ai bën të ditur se shkalla e kredive joperformuese në bujqësi është në nivel edhe më të ulët sesa kreditë në sektorët tjerë prandaj, sipas tij, edhe një raport i Bankës Qendrore të Kosovës thekson se përmirësimet dhe lehtësimet më të mëdha nga bankat janë shënuar pikërisht tek kreditë bujqësore.

iBANK: Z.ministër, pavarësisht subvencione qeveritare për bujqësinë Kosova vazhdon të jetë e varur nga produktet e importit. Me cilat prodhime bujqësore i përmbushim nevojat e brendshme, e cilat duhet t’i importojmë?

Krasniqi: Nëse e krahasojmë gjendjen aktuale me atë të para disa viteve, jemi shumë më mirë edhe me këtë trend, në shumë nënsektorë do të kemi prodhim të mjaftueshëm vendor pas disa vitesh. Por, është po ashtu evidente se vazhdojmë të kemi import të lartë edhe për disa produkte ku kemi potencial të prodhojmë mjaftueshëm për nevojat e konsumit të brendshëm e ndoshta edhe të eksportojmë.

Megjithatë, gjendja ka ndryshuar për të mirë. Ta zëmë tek pemët, në veçanti ato të imëtat që edhe llogariten si sezonale, ne plotësojmë 100% nevojat e konsumit të brendshëm dhe pjesën më të madhe e eksportojmë. Sektori i prodhimit të vezëve është zhvilluar në vazhdimësi dhe ne sot plotësojmë nevojat e vendit pothuajse 100%. Prodhimi vendor i perimeve, veçanërisht gjatë sezonit, plotëson rreth 80% të nevojave vendore, ndërsa jashtë sezonit ende kemi import nga vendet e tjera, përveç të patates, prodhimi i së cilës mjafton për konsumin e brendshëm dhe po ashtu eksportohet. Kemi përmirësim në sektorin e qumështit si në prodhim, ashtu edhe në cilësi. Do ta veçoja këtu projektin që e filluam në dhjetor të vitit të kaluar për rritjen e prodhimit dhe konsumit të qumështit të freskët vendor nga industria jonë përpunuese, i cili është duke u zhvilluar shumë mirë. Vetëm brenda këtyre muajve plasimi dhe shitja e qumështit të freskët është rritur për mbi 200%, gjë që e tregon jo vetëm punën e mirë të qumështoreve që marrin pjesë në këtë proces, por edhe pritjen shumë të mirë të produktit nga ana e konsumatorit tonë si dhe rritjen e besueshmërisë në prodhimin vendor.

Në anën tjetër, vërehet prodhim vendor i mangët i mishit dhe produkteve të tij të përpunuara, për çka jemi duke u angazhuar për rritje të prodhimit të tij. Ne besojmë se me investimet që po bëhen rezultatet do të jenë shumë pozitive në vitet pasuese, sepse për shumë produkte cikli i prodhimit zgjat disa vite dhe efektet e investimeve nuk mund të vërehen në vitet e para të investimit. Kur jemi të subvencionet, duhet të kemi parasysh së numri i fermerëve përfitues është duke u rritur nga viti në vit, gjë që dëshmon rritjen e sektorit në përgjithësi. Kështu, në vitin 2016 kanë qenë rreth 45.000 aplikacione të kualifikuara për mbështetje, me rreth 20.000 ekonomi bujqësore përfituese të subvencioneve, që dëshmon mbështetjen e konsiderueshme të bujqësisë në vendin tonë.

Eksporti i produkteve bujqësore u rrit 9%

iBANK: Cilat prodhime bujqësore vendore po eksportohen në tregun evropian dhe si të rritet eksporti i prodhimeve vendore?

Krasniqi: Është e rëndësishme të përmendim se kemi një trend të rritjes së eksportit të produkteve bujqësore nga viti në vit dhe ky është një zhvillim mjaft inkurajues. Vitin e kaluar, krahasuar me një vit më parë, kishim rritje të eksportit të produkteve bujqësore me rreth 9%, përkundër rënies së eksportit të përgjithshëm. Po ashtu, duhet të kemi parasysh se përmes prodhimit vendor ne jemi duke zëvendësuar vazhdimisht edhe produkte të shumta që më parë janë importuar, gjë që është prioritet qendror i yni.

Frutat dhe perimet janë produkte që në sezonin e tyre dominojnë eksportet, qoftë si produkte primare apo të përpunuara. Gjithashtu eksporti i verërave është duke u rritur për çdo vit në tregjet evropiane, por dhe gjetiu. Edhe produktet e tjera të përpunuara, sikurse pijet joalkoolike, janë duke depërtuar në tregjet e huaja çdo vit e më shumë. Një histori suksesi po ashtu janë edhe bimët mjekuese dhe aromatike, të cilat eksportohen kryesisht në vendet e BE-së.  Hyrja në fuqi e MSA-së ka hapur një mundësi të shkëlqyeshme për rritjen e eksporteve, meqë mbi 2500 produkte bujqësore tashmë janë të liruara nga tarifat doganore për eksport në BE. Por, po ashtu, duhet të kemi parasysh se depërtimi në tregjet ndërkombëtare nënkupton ballafaqimin me një konkurrencë të madhe, në të cilën cilësia dhe marketingu efikas janë segmente të rëndësishme dhe përcaktuese për sukses. Si Ministri jemi fokusuar që pikërisht në këto aspekte të mbështesim në forma të ndryshme bizneset dhe fermerët tanë, qoftë duke i dërguar ata nëpër panaire ndërkombëtare, duke i informuar për rrjedhat e zhvillimeve ndërkombëtare në sektor, duke ndihmuar certifikimin e produkteve tona me standard ndërkombëtare apo edhe duke ndihmuar komunikimin e prodhuesve tonë me kompanitë e ndryshme të vendeve të BE-së.

iBANK: Sa është rritur interesimi i kosovarëve për t’u marrë me bujqësi. Për cilin sektor të bujqësisë ka interesim më të madh dhe në cilin rajon?

Krasniqi: Çdo vit ka një interesim në rritje dhe çka është më e veçanta ka rritje të interesimit nga të rinjtë, të cilët bujqësinë po e shohin si një mundësi të mirë biznesi dhe jo si një veprimtari demode, siç mund të jetë perceptuar në të kaluarën. Ne këtë e vërejmë nga aplikimet që bëhen në kuadër të programeve tona por edhe përmes kontakteve, vizitave dhe hulumtimeve të vazhdueshme në terren. Kjo për ne është mjaft e rëndësishme dhe inkurajuese, sidomos në krahasim me shumë vende të tjera, ku të rinjtë po e braktisin bujqësinë.

Përndryshe, interesimi i fermerëve është i ndryshëm, por më së shumti vërehet tendenca për t’u marrë me kulturat që kanë vlerë më të lartë dhe që sjellin përfitime më të mëdha, e që janë edhe prioritete tonat, si p.sh. pemëtaria, kultivimi i perimeve në serra, sektori i qumështit dhe sektori i mishit. Duhet theksuar se edhe bletaria, bimët aromatike dhe mjekuese, si dhe turizmi rural po shënojnë rritje të interesimit dhe performancë mjaft pozitive.

iBANK: Si të rritet punësimi legal në bujqësi, në mënyrë që bujqit t’i paguajnë edhe tatimet e nevojshme?

Krasniqi: Informaliteti është një sfidë e jona në tërë ekonominë dhe kjo reflektohet veçanërisht në bujqësi. Por, ka disa faktorë që ndikojnë në zvogëlimin e tij. Në radhë të parë, kjo varet edhe nga vetëdijesimi i pronarëve të fermave dhe agrobizneseve për t’i regjistruar të punësuarit e tyre dhe për t’i paguar obligimet legale për ta. Është e rëndësishme sidoqoftë edhe mbikëqyrja dhe stimulimi që shteti bën në forma të ndryshme në këtë proces. Kështu, ne si Ministri, tash e tri vjet kemi paraparë pika shtesë në kriteret e vlerësimit të projekteve për grante, për të gjithë ata që hapin vende të reja pune dhe të cilat janë të regjistruara sipas procedurave legale në fuqi. Për këtë ne kërkojmë dëshmitë nga secili përfitues i granteve dhe e monitorojmë mbajtjen e këtyre vendeve përgjatë periudhës 5-vjeçare, siç parashihet me rregullat tona. Kjo ka pasur ndikim direkt, sepse janë hapur vende të reja pune, por edhe janë legalizuar shumë prej atyre ekzistuese.

Kultivimi i mjedrës, rritje 500%

iBANK: Përpos investimeve qeveritare, në sektorin e bujqësisë janë të vogla investimet private. Cila është strategjia qeveritare për rritjen e investimeve private në bujqësi, e cila do të ndikonte në rritjen e prodhimit vendor dhe punësimit?

Krasniqi: Në fakt, edhe investimet private në bujqësi janë rritur në vitet e fundit. Veçanërisht Programi për Zhvillim Rural, përmes të cilit ne ndajmë grante investive, është një stimulim direkt në këtë drejtim, meqë ka karakter bashkëfinancimi me përfituesit. Përmes tij ne mbulojmë nga 50% deri në 75% të investimit të pranueshëm, ndërsa pjesën tjetër e mbulon vetë përfituesi. Kjo siguron një investim të qëndrueshëm dhe mbi të gjitha ndihmon fermerët dhe agropërpunuesit që me financat vetanake të investojnë edhe në segmente të tjera që atyre iu duhen për rritje të biznesit. Por, nga viti në vit ne vërejmë edhe një rritje të investimeve vetanake nga fermerët dhe agrobizneset vendore. Shembull konkret është shtimi shumë i shpejtë i sipërfaqeve të pemishteve me kulturën e mjedrës, që është rritur pothuaj 500% brenda 3-4 vjetëve.

iBANK: Përqindja e kredive për sektorin e bujqësisë nga bankat komerciale është e ulët dhe njëkohësisht normat e interesit janë më të larta. Kjo për faktin e pasigurisë së madhe që kanë bankat në kthimin e kredive. A parashihet ndarja e një fondi buxhetor për garantimin e kredive bujqësore?

Krasniqi: Qasja në financa e fermerëve dhe sidomos normat e larta të interesit për kreditë bujqësore janë ndër çështjet sfiduese për zhvillimin e bujqësisë në vendin tonë, andaj këtë problem ne e kemi vazhdimisht në fokus tonin. Në këtë drejtim, në kuadër të mandatit ligjor të Ministrisë, ne jemi në kontakte të vazhdueshme me bankat komerciale dhe akterët e tjerë relevantë të sektorit, duke u angazhuar në forma të ndryshme për krijimin e kushteve sa më të favorshme dhe për lehtësim të qasjes në financa për fermerët. Për këtë ne po punojmë edhe me partnerët tanë ndërkombëtarë. Do ta përmend këtu një aktivitet të filluar disa vite më parë, së bashku me USAID-in rreth garantimit të kredive për sektorin e bujqësisë. Kjo është bërë përmes krijimit të Autoritetit të Zhvillimit të Kredisë, me një fond garantues për kreditë bujqësore në vlerë prej 26 milionë dollarësh, ku MBPZHR-ja kontribuoi me 2.5 milionë euro.

Mund të themi se ky fond i garantimit të kredive ka pasur një efekt të mirë në uljen e kamatave në kreditë bujqësore dhe rritjen e numrit të tyre. Po ashtu, fermerët dhe agrobizneset do të përfitojnë nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, i themeluar me ligj vitin e kaluar dhe i sponzoruar nga  Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.Është evidente që kreditë bujqësore ende kanë norma të larta të interesit, mirëpo në dy vjetët e fundit ka një trend të zvogëlimit të tyre, pa dyshim ende jo në nivele të kënaqshme. Unë kam biseduar disa herë me përfaqësuesit e bankave komerciale dhe kam kërkuar nga ta që ta ndryshojnë qasjen konzervative ndaj kreditimit në bujqësi meqë, mes tjerash, shihet qartë se numri i kredive joperformuese në bujqësi është në nivel edhe më të ultë sesa kreditë në sektorët e tjerë. Më vjen mirë që një raport i para pak kohësh i Bankës Qendrore thekson se përmirësimet dhe lehtësimet më të mëdha nga bankat janë shënuar pikërisht tek kreditë bujqësore, por mendoj se duhen ende më shumë lehtësime dhe kamata më të ulëta. Besojmë dhe presim se kjo do të ndodhë në periudhën e ardhshme.

iBANK: Nëse Qeveria do t’i garantonte kreditë për bujqësinë, njëjtë siç kanë vepruar disa vende të rajonit, a do të zvogëlohej barra për Ministrinë e Bujqësisë në subvencionimin e këtij sektori, pasi që investimet do të bëheshin nëpërmjet sektorit bankar?

Krasniqi: Pa dyshim se një investim më i madh nga sektori bankar do ta lehtësonte punën, në radhë të parë të fermerëve, por edhe të Qeverisë, sepse më pas do të fokusoheshim në investime të tjera që ndihmojnë zhvillimin e bujqësisë. Gjithsesi, ne nuk do ta ndërpresim subvencionimin, sepse mendojmë se ka ende nevojë dhe fermerët tanë duhet të kenë një ndihmesë të vazhdueshme vjetore për të siguruar një qëndrueshmëri në fermë. Tek e fundit, shumica e shteteve anë e kënd botës e subvencionojnë bujqësinë, veçanërisht shtetet e BE-së.Format e subvencionimit janë çështje që do të diskutohen në të ardhmen, pra për t’i rishikuar në shumë sektorë, ashtu që subvencionimi të ndërlidhet me prodhimin dhe cilësinë dhe jo vetëm me sipërfaqen. Ky është një model që aplikohet në shumë vende dhe që ndihmon në rritjen e prodhimit, sepse sa më shumë që prodhon aq më shumë përkrahesh nga shteti. Në disa nënsektorë ne e aplikojmë këtë, por në shumë prej tyre, si tek drithërat, pemët dhe perimet, mbetet të analizohet më tutje, por edhe të sigurohen kapacitetet implementuese në momentin që bëhen ndryshime.

iBANK: Sa kanë ndikuar grantet qeveritare në zhvillimin e sektorit të bujqësisë?

Krasniqi: Lirisht mund të thuhet se kanë qenë grantet e MBPZHR-së që i kanë dhënë shtytjen më të madhe rigjenerimit dhe zhvillimit të bujqësisë, prej kur kanë filluar të aplikohen. Edhe subvencionet kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm. Mjafton të kujtojmë vitet para vitit 2008 kur nuk ka pasur asnjë masë mbështetëse për fermerët, kohë kur bujqësia në vendin tonë ka qenë në gjendje të mjerueshme. Natyrisht, kontributi kryesor është i fermerëve që nuk janë dorëzuar asnjëherë, kanë punuar pa u ndalur, duke u ballafaquar me shumë sfida. Përmes granteve, të cilat janë investime direkte në ngritjen apo në zgjerimin e fermave dhe agrobizneseve, vetëm në tri vjetët e fundit janë shtuar qindra hektarë tokë me pemë të ndryshme, qindra hektarë me serra, janë shtuar mijëra krerë gjedhe dhe lopë qumështore, përmes hapjes edhe të qindra fermave të reja dhe kompanive përpunuese. Gjithashtu, vetëm në këto tri vjetët e fundit, si rezultat i granteve tona, janë hapur rreth 7 mijë vende pune të qëndrueshme, si dhe me mijëra të tjera kanë siguruar vazhdimësi si rezultat i subvencioneve. Synimet tona janë më të mëdha, me fokus në rritjen e prodhimtarisë dhe ngritjen e cilësisë, veçanërisht në sektorët potencialë ku kemi edhe përparësi krahasuese, ashtu që të zëvendësojmë më shumë produkte nga importi dhe të rrisim eksportet edhe më tej.

Për tri vjet, 140 milionë euro grante dhe subvencione për bujqësinë

iBANK:  Sa është shuma e përgjithshme e granteve të ndara në tri vjetët e fundit?

Krasniqi: Në tri vjetët e fundit, pra në vitet 2015, 2016 dhe duke llogaritur planifikimet për vitin 2017, kemi ndarë rreth 140 milionë euro përmes granteve dhe subvencioneve. Nga kjo shumë, vetëm në grante janë ndarë rreth 66 milionë euro.

iBANK: Cili sektor i bujqësisë ka përfituar më së shumti grante nga MBPZHR-ja?

Krasniqi: Ne jemi përpjekur që herët të identifikojmë sektorët me potencialin më konkurrues dhe natyrisht aty investimet kanë qenë më të mëdha, por gjithmonë kemi treguar një kujdes në rritje edhe për sektorë të tjerë ku ka pasur një interesim në rritje nga ana e fermerëve.

Rreth 25% e investimeve tona kanë shkuar në sektorin e qumështit, i cili është konsoliduar mjaft përmes kësaj mbështetjeje. Po ashtu, pemëtaria, perimtaria, vreshtaria dhe verëtaria, si dhe sektori i mishit janë sektorët që kanë marrë mbështetje të konsiderueshme, si në prodhimtarinë primare, ashtu edhe në përpunim. 

iBANK: Në kuadër të procesit integrues për në BE-në a parashihet që të ketë rritje të fondeve të huaja për bujqësinë kosovare?

Krasniqi: BE-ja e ka mbështetur bujqësinë në Kosovë përmes programeve të veta, me një fokus në sektorin e përpunimit përmes granteve, por edhe me projekte të asistencës teknike. Kjo mbështetje ka qenë shumë e rëndësishme dhe ndihmuese për sektorin. Edhe në kuadër të IPA 2 bujqësia ka qenë ndër tre sektorët prioritarë, gjë që shpresojmë se do të vazhdojë të jetë deri në fund të kësaj faze për vitet 2014-2020.

Në raport me BE-në për ne prioritet mbetet akreditimi për qasje në fondet e IPARD II, për çka në javët e fundit i kemi intensifikuar angazhimet në nivel qeveritar.

iBANK: A po vazhdojnë donatorët ndërkombëtarë ta përkrahin bujqësinë?

Krasniqi: Unë e kam theksuar gjithmonë se një pjesë e mirë e rezultateve dhe avancimeve që janë bërë në bujqësi janë edhe falë mbështetjes financiare dhe teknike që kanë dhënë donatorë të ndryshëm, duke përfshirë Bankën Botërore, USAID-in, GIZ-in, BE-në, DANIDA-n, por edhe shtete të ndryshme si Italia, Austria, Suedia, Franca dhe vende të tjera. Ne kemi bashkëpunim të ngushtë në shumë projekte dhe kemi takime të rregullta ku diskutojmë për ide të ndryshme që mund t’i realizojmë bashkë. Edhe tani që po flasim ka disa projekte që financohen nga partnerë të ndryshëm dhe disa të tjera që besojmë do të implementohen në vitet e ardhshme.

iBANK: A ekziston ndonjë fond në kuadër të Ministrisë për garantimin e produkteve bujqësore, në rast të dëmtimit nga reshjet atmosferike dhe sa shfrytëzohet një fond i tillë? 

Krasniqi: Vitin e kaluar ne kemi kompensuar fermerët për dëmet që ata kanë pësuar nga fatkeqësitë natyrore me një shumë totale prej rreth 400.000 eurosh, sipas raporteve që kemi marrë nga komunat dhe bazuar në vendimin e Qeverisë për kompensim të pjesshëm prej 25% të dëmit të vlerësuar. Ne jemi në finalizim të një mase të veçantë, në kuadër të Programit për Zhvillim Rural, e cila do t’i parasheh kriteret dhe procedurat e sakta për kompensim të pjesshëm dhe si e tillë do ta parasheh edhe buxhetin vjetor që do të ndahet për kompensimin e dëmeve eventuale.

Dëshiroj që me këtë rast të ju njoftoj edhe me një tjetër projekt të rëndësishëm që MBPZHR-ja është duke u përgatitur që ta finalizojë këtë vit dhe që besojmë se do të ketë ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e sektorit të bujqësisë. Është fjala për themelimin e sistemit të sigurimit të prodhimtarisë bujqësore, sistem ky i cili do të fillojë të implementohet sipas praktikave më të përshtatshme për vendin tonë dhe përmes të cilit do të mundësohet që institucionalisht të menaxhohet rreziku që ndërlidhet me prodhimtarinë bujqësore dhe me të cilin fermerët ballafaqohen vazhdimisht, duke pësuar humbje, qoftë nga fatkeqësitë natyrore apo edhe nga faktorë të tjerë të rrezikut. Për fillimin e suksesshëm të themelimit dhe pastaj implementimit të tij po bashkëpunojmë edhe me institucione relevante ndërkombëtare, sikurse që është Banka Botërore, USAID-i, K-ja, etj., të cilat kanë shprehur gatishmërinë për të na ndihmuar në këtë drejtim. Me krijimin e këtij sistemi ne do ta krijojmë edhe një shtyllë të rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë të vendit tonë, e cila do të ndikojë pozitivisht në shumë drejtime, duke përfshirë këtu edhe uljen e normave të larta të interesit në kreditimin bujqësor dhe rural.