Potenciali në bujqësi

Ekonomia April 24, 2017 - 10:16

Bujqësia vlerësohet si shtylla kryesore për zhvillimin ekonomik të Kosovës, ku ka mundësi të hapen vende të reja të punës, të rritet prodhimi vendor si dhe eksporti. Edhe bankat komerciale janë më proaktive në zhvillimin e këtij sektori, duke lansuar kampanja të veçanta me norma atraktive interesi.

Vetëm zhvillimi i sektorit të bujqësisë vlerësohet se ka kapacitet ta zvogëlojë shkallën e lartë të papunësisë në Kosovë, duke hapur vende të reja të punës si dhe t’i zëvendësojë prodhimet e importit me ato vendore.

Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural bëjnë të ditur se grantet dhe subvencionet për bujqësi janë në rritje nga viti në vit, të cilat, siç thonë ata, i kanë dhënë shtytjen më të madhe rigjenerimit dhe zhvillimit të bujqësisë prej kur kanë filluar të aplikohen.

“Mjafton t’i kujtojmë vitet para vitit 2008 kur nuk ka pasur asnjë masë mbështetëse për fermerët, kohë kur bujqësia në vendin tonë ka qenë në gjendje të mjerueshme”, thotë ministri i Bujqësisë, Memli Krasniqi.

Përpos anës institucionale të sektorit të bujqësisë, ministri Krasniqi thotë se është në kontakte të vazhdueshme me bankat komerciale dhe me akterët e tjerë relevantë të sektorit, duke u angazhuar në forma të ndryshme për krijimin e kushteve sa më të favorshme dhe për lehtësim të qasjes në financa për fermerët.

“Kjo është bërë përmes krijimit të Autoritetit të Zhvillimit të Kredisë, me një fond garantues për kreditë bujqësore në vlerë prej 26 milionë dollarësh, ku MBPZHR-ja kontribuoi me 2.5 milionë euro. Mund të themi se ky fond i garantimit të kredive ka pasur një efekt të mirë në uljen e kamatave në kreditë bujqësore dhe në rritjen e numrit të tyre”, ka pohuar numri një i Ministrisë së Bujqësisë në Kosovë.

Sipas statistikave të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës( BQK) vlera e përgjithshme e kredive për bujqësi sillet rreth 60 milionë euro.

BQK-ja bën të ditur se edhe normat e interesit në kredi për këtë sektor kanë rënë dukshëm, krahasuar me vite më parë.

“Norma mesatare e interesit për kredi në sektorin e bujqësisë në fund të vitit 2016 ka qenë 6.7%, derisa në periudhën e njëjtë të vitit 2015 ka qenë 7.1%”, bën të ditur zëdhënësi i BQK-së, Besnik Kada.

Nga 60 milionë euro kredi për bujqësinë, 40 milionë euro vetëm nga “ProCredit Bank”

Nga 60 milionë euro sa është shuma e përgjithshme e kredive për bujqësi të aprovuara nga të gjitha bankat komerciale në Kosovë, vetëm “ProCredit Bank” i ka dhënë 40 milionë euro kredi për agrobiznesin.

Agan Azemi, zëvendës-udhëheqës i departamentit për Klientë Biznesi në “ProCredit Bank”, ka bërë të ditur se për bankën “ProCredit” rëndësi të veçantë ka ofrimi i shërbimeve për agrobizneset të cilat, siç thotë ai, kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, duke krijuar vende të reja pune, duke ngritur prodhimin vendor dhe duke rritur eksportin e produkteve vendore.

Ai ka shtuar se Banka synon ta rrisë bashkëpunimin dhe të mbajë relacione afatgjata bashkëpunimi me përpunues të produkteve bujqësore, përpunues të lëngjeve, përpunues të produkteve të qumështit, përpunues te produkteve të mishit, etj. të cilat kanë arritur rezultate dhe janë storie suksesi në vendin tonë.

“Po ashtu ne angazhohemi në vazhdimësi të krijojmë hallkë bashkëpunimi në mes të fermerëve, prodhuesve dhe bizneseve tregtare në vendin tonë dhe në nivel regjional, që përfshin shtetet fqinje, ku grupi ‘ProCredit’ operon”, ka thënë Azemi.

Sipas tij, “ProCedit Bank” i  mbështet investimet në të gjitha fushat e agrobiznesit, duke filluar nga prodhimi i produkteve bujqësore e deri te përpunimi i tyre dhe plasimi i tyre në tregun vendor dhe atë të jashtëm.

Po ashtu, sipas zyrtarit të lartë në “ProCredit Bank”, interesimi më i madh është investimi në përmirësimin e kushteve të fermave, blerje të mekanizmit bujqësor, ndërtim i serrave për prodhimin e kulturave të ndryshme, shtim i sipërfaqeve të mbjella me pemë, rritje e numrit të bagëtive, etj.

Duke folur për favorizimin e sektorit të bujqësisë në kredidhënie, Azemi ka thënë se “ProCredit Bank” në vazhdimësi ka zhvilluar dhe ka ofruar shërbime dhe produkte të veçanta financiare për agrobiznesin.

Po ashtu, sipas tij, gjatë këtyre viteve kanë arritur marrëveshje të ndryshme bashkëpunimi me Ministrinë e Bujqësisë, USAID-in etj., për të ofruar lehtësira në financimin e projekteve të fituara si grante.

Image

Sfidat

Si sfidë me rëndësi për fermerët Azemi thotë se mbetet ofrimi i kolateralit të luajtshëm dhe të paluajtshëm për shkak të problemeve me pronësi, regjistrimit të tokave bujqësore si dhe formalizmit të fermerëve.
Mirëpo, sipas tij, me marrëveshjet e arritura si ajo me EIF-in (Fondin Evropian për Investime), USAID-in (fondi garantues) si dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore është lehtësuar qasja në financimin e agrobizneseve.

Duke folur për normat e interesit në kredi ai bën të ditur se në Kosovë gjatë dy vjetëve të fundit kanë rënë dhe kjo vlen edhe për sektorin e agrobiznesit.

‘“ProCredit’ ka pas rol shumë proaktiv në këto zhvillime. Banka për këtë sektor çdo vit ka lansuar kampanja të veçanta me norma atraktive interesi për të tërhequr investimet në ngritjen e kapaciteteve prodhuese dhe në financimin e projekteve të tjera bujqësore. Nëse krahasojmë normën mesatare të interesit për kreditë e agrobiznesit në vitet e fundit në ‘ProCredit Bank’, ka pësuar rënie të konsiderueshme. Vetëm në dy vitet e fundit norma mesatare e interesit ka rënë mesatarisht për rreth 2% në vit. Këto norma tanimë janë përafruar me ato të bizneseve’, ka potencuar ai. 

Sa i përket periudhës kohore për kreditë e agrobiznesit, Azemi bën të ditur se “ProCredit Bank” ka krijuar lehtësira në planet e pagesave për fermerët, duke u bazuar në sezonalitetin e produkteve bujqësore, kohën kur fermerët marrin rendimentet e prodhimeve të tyre dhe i plasojnë ato ne tregje. “Kështu kemi mundësuar që fermerët të marrin kredi më “grejs periudhë” deri në 18 muaj, duke  llogaritur kohën që nevojitet për disa produkte që të jenë të gatshme për treg. Maturiteti për kreditë bujqësore varet nga plani investiv ku ndryshon prej investimit në asete fikse, në investime për blerje të mallrave dhe lëndëve të para. Për investimet në rritjen e sipërfaqes së tokës bujqësore mund të marrin kredi investive me maturitet deri në 15 vjet”, thotë ai.

Ndërsa prej problemeve me të cilat ballafaqohet sektori i agrobiznesit, sipas tij, janë kushtet atmosferike të paparashikuara që për fermerin mund të rezultojë në humbje të prodhimit, zvogëlim të rendimentit dhe si pasojë mund të sjellë probleme në kthimin e kredisë me kohë.

Image

Promovimi i produkteve ushqimore

Besian Mustafa, drejtor i përgjithshëm i Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), e cila funksionon në kuadër të Ministrisë e Tregtisë dhe Industrisë, thotë se sektori i bujqësisë është ndër sektorët më të rëndësishëm dhe më strategjik në Kosovë, të cilën Qeveria e Republikës së Kosovës ka vendosur ta mbështesë përmes subvencioneve dhe granteve në një shumë mbi 40 milionë euro në vit, si dhe përmes promovimit të këtij sektori dhe të prodhimeve bujqësore brenda dhe jashtë vendit.

Sipas tij, agjencia KIESA, që nën mandatin e saj ka mbështetjen dhe promovimin e investimeve, eksportit, turizmit, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme (NVM) dhe zonave ekonomike, promovon produktet ushqimore, kryesisht të përpunuara dhe paketuara, për eksport në tregjet ndërkombëtare përmes subvencionit të pjesëmarrjes së kompanive kosovare në panaire ndërkombëtarë në Evropë, SHBA, Lindje të Mesme dhe deri në Japoni. “Çdo vit agjencia KIESA subvencionon rreth 20-30 përpunues kosovarë të agroprodukteve për pjesëmarrje në katër ose në pesë panairet më të mëdha ndërkombëtare për t’i promovuar produktet e tyre si dhe imazhin e Kosovës si një vend ku prodhohet me cilësi”, shprehet ai.

Përveç sektorit të bujqësisë, KIESA subvencionon edhe sektorët ekonomikë, eksportues tjerë për pjesëmarrje në panaire ndërkombëtare si sektorin e përpunimit të drurit, sektorin e turizmit, sektorin e tekstilit, etj. “Vetëm gjatë vitit 2016 kemi subvencionuar pjesëmarrjen e rreth 200 kompanive kosovare në 17 panaire ndërkombëtare, përmes të cilave janë nënshkruar mbi 30 marrëveshje për eksport në vlerë prej mbi 3 milionë eurosh dhe janë duke u negociuar mbi 90 marrëveshje tjera për eksport”, shprehet Mustafa.

Sipas shefit të Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë mbështetja ndodh për shkak se bujqësia është sektor shumë strategjik për Kosovën, pasi që, siç thotë ai, ky sektor përbën 12% të bruto prodhimit vendor, 20% të gjithsej punësimit, 5% të rritjes së përgjithshme ekonomike si dhe krijon rreth 4.000 vende të reja pune çdo vit.