Bizneset shqiptare, të shtrira në katër kontinente

Ekonomia April 22, 2017 - 08:36

“President Nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare” dhe njëherësh president i kompanisë "Ecolog", Lazim Destani, ka thënë se Rrjeti i Bizneseve të Diasporës, i krijuar para 4 vjetësh në Prishtinë, tash është degëzuar në 4 kontinente, 25 shtete në botë me mbi 2500 anëtarë-kompani me pronarë shqiptarë, shkruan sot, gazeta Zeri.

Biznesmenë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Shqipëria, por edhe biznesmenë të shumtë shqiptarë, të cilët bëjnë biznes nëpër shtete të ndryshme të botës, janë mbledhur të premten në Pejë në forumin e parë të prodhuesve shqiptarë.

Biznesmenët e shumtë problemet e tyre me të cilat ata përballen çdo ditë ia paraqitën kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit dhe ministrit të Diasporës Valon Muratit, të cilët ishin zyrtarët e vetëm pjesëmarrës në këtë forum ekonomik.

Po ashtu ata kërkuan ndihmë nga Veseli në zgjidhjen e problemeve të tyre e ky i fundit i siguroi ata se do të jetë 100 për qind në shërbim të tyre.

Bashkim i forcave për ta përballuar konkurrencën

Në fjalën e tij hyrëse Lazim Destani, “President Nderi i Rrjetit të Bizneseve të Diasporës Shqiptare” dhe njëherësh president i kompanisë "Ecolog", thotë se Rrjeti i Bizneseve të Diasporës, i krijuar para 4 vjetësh në Prishtinë, tash është degëzuar në 4 kontinente, 25 shtete në botë me mbi 2500 anëtarë-kompani me pronarë shqiptarë dhe me tendencë zgjerimi e zhvillimi të vazhdueshëm.

Ai më tej bëri të ditur se krahas selisë qendrore në Nju-Jork, tanimë funksionon edhe zyra koordinuese me seli në Prishtinë. “Rrjetëzimi, kontaktet dhe komunikimet midis afaristëve krijojnë fuqinë e partneritetit dhe mundësitë për t’i bashkuar forcat për ta përballuar më mirë konkurrencën, tejet të ashpër në ekonominë e sotme globale. Ne si afarist shqiptarë kemi nevojë më shumë se gjithkush tjetër për këtë sinergji dhe bashkëpunim deri në bashkim idesh, kapitali dhe veprimi. Arsyeja për këtë nevojë të madhe rezulton edhe nga vetë historia jonë e zhvillimit si komb. Si 7-8 milion shqiptarë autentikë në trojet e  të parëve tanë, në këtë hapësirë na kanë ndarë në më shumë se 4 shtete, me kushte krejtësisht të ndryshme të zhvillimit edhe ekonomik” ka thënë presidenti Destani.

Ai më tej para të pranishmëve të shumtë ka thënë se të shtypur me shekuj qytetarët shqiptarë janë detyrua t’ia mësyjnë botës dhe të shpërndahen gjithandej.

“Pa e zgjatur fare kjo histori sa e hidhur, po aq edhe sfiduese, na ka mësuar të veprojmë në kushte të konkurrencës dhe pa pasur ndonjë përkrahje si vendorë nga institucionet e shteteve ku operojmë. Megjithatë, u jemi mirënjohës që nuk na kanë penguar. Të tillë jemi zhvilluar, por të vetmuar dhe të ndarë, jo vetëm në hapësirë, por edhe gjithë kohës”, ka thënë Destani.

Ai më tej tha se në këto rrethana u është mundësuar të krijojnë korporata dhe kompani të mëdha të biznesit që mund të depërtojnë në sektorë dhe në tregje globale.

“Forma më e lehtë e depërtimit me sasi, cilësi dhe çmime konkurrente është bashkimi i fuqive dhe forcave tona, jo për folklor dhe patriotizëm, por për interes ekonomik. Në tregun gjerman, p.sh. në rrjetin e marketeve të ‘Aldi’-t nuk mund të depërtojmë duke prodhuar me dhjetëra tonelata djathë, prodhime qumështi apo pemë e perime! Për këtë nevojiten sasi prej disa mijë tonelatash, që ne kështu si jemi të fragmentuar (të ndarë) vështirë mund t’i sigurojmë dhe të depërtojmë. Krijimi, ngritja dhe zhvillimi i pikave regjionale të grumbullimit, ambalazhimit, përpunimit dhe transportimit do të ishin mundësia më e mirë për rritje të eksportit në këto tregje”, ka thënë presidenti Destani. 

“Vezë Sharri” eksportohen në Lindjen e Mesme 

Sipas tij, natyra e trojeve tona na ka falur mbi 250 ditë me diell në vit, ku shpesh mund të prodhojmë edhe nga më shumë se dy rendimente në vit, por që mungesa e konsolidimit të hapësirave bujqësore, organizimit të shitjes dhe ambalazhimit-përpunimit për eksport na vështirëson këtë.

Sipas tij, në këto rrethana bujqit e paorganizuar në pranverë mbjellin pa një plan orientimi për shitje, tregtarët orientohen te marzhat dhe përfitimet më të larta të momentit, ndërsa përpunuesit orientohen në importimin e lëndëve të para.

“Këtu mungojnë institucionet (disenjatorët) që do t’i lidhin këto hallka dhe të krijojnë zinxhirin e vlerave. Projekti ‘AlbExpo’ që fillon sivjet në suaza të Rrjetit, ka për qëllim prodhimet shqiptare t’i eksportojë te diaspora gjithandej. Me këtë dyfishohet edhe tregu shqiptar. Në këtë aspekt, me iniciativën tonë edhe me mbështetjen e institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare (si p.sh. USAID-i apo Banka Botërore) do të mundnim të krijojmë potenciale të përmasave më të mëdha me efekte përfituese individuale, institucionale dhe gjithëkombëtare. Unë edhe si pronar i kompanisë ‘Ecolog’, që furnizohemi nga Turqia deri në Kinë, shpesh i kam orientuar zinxhirët e furnizimeve në trojet tona, por fatkeqësisht mungesa e sasive dhe e cilësive me standarde ndërkombëtare e bëjnë të paqëndrueshëm këtë kah. Vitin e kaluar nga kompania e Pollogut ‘Veze Sharri’ dërguam në Lindjen e Mesme disa kontingjente vezë, kurse nga Prespa mollë të freskëta. Këto ishin hapat inicialë për të dëshmuar se mundemi”, ka thënë në fund të fjalimit të tij presidenti Destani.

Ankohen për çmim të energjisë

Biznesmenët e shumtë janë ankuar për problemet e tyre para kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli dhe kryetari në të shumtën e rasteve u ka dhënë të drejtë atyre.

Astrit Shabani, kryetar i Klubit të Prodhueseve të Kosovës, ka thënë se çmimi i energjisë në Kosovë është shumë më i lartë sesa i vendeve të tjera në regjion. Sipas tij, rritja e eksportit në masë të madhe do të ndryshonte për të mirë edhe imazhin e vendit tonë.

Po ashtu edhe Luan Leka, kryetar i Klubit të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se vështirësitë dhe mundësitë për të bërë biznes në Shqipëri janë të shumta.

“Biznesi privat në Shqipëri ka një histori jo të gjatë, rreth 25 vjet. Prodhimet vendore janë të një kualiteti më të lartë, por shteti duhet t’i eliminojë barrierat që ne të funksionojmë sa më mirë. Kërkojmë nga përfaqësuesit e institucioneve që të mbështetin prodhuesit  vendorë, të krijojnë klimë sigurie dhe të mos lejojnë krijimin e monopoleve”, ka thënë ai para biznesmenëve të shumtë që ishin të pranishëm në këtë forum të parë ekonomik të prodhueseve shqiptarë.

Po ashtu edhe Nebih Hoxha, kryetar i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, ka thënë se sfidat janë pak a shumë të ngjashme. Edhe ky ka bërë apel te institucionet që sa më shumë t’i përkrahin prodhuesit vendorë.

Nagib Fejzi, kryetar i Forumit Ekonomik të Prodhuesve Shqiptarë, thotë se institucionet e Kosovës, por edhe ato të Shqipërisë duhet të bëjmë më shumë për heqjen e barrierave. Sipas tij, rritja e eksporteve duke gjetur tregje të reja do të ishte katalizator i zhvillimit ekonomik të shteteve shqiptare. 

Ekonomia ka nevojë për një fillim të ri

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi në forumin ekonomik të prodhuesve shqiptarë, i cili po mbahet sot në Pejë, se ekonomia ka nevojë për një fillim të ri me vizion strategjik transformues. Kryetari Veseli tha se Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia aktualisht përbëjnë vendet me numrin më të madh të të papunëve dhe pikërisht po në këto vende është i shfaqur fenomeni i mungesës së veprimtarive prodhuese.

“Derisa konsumojmë maksimalisht produktet e huaja, ne prodhojmë fare pak, ose aspak. Të njëjtën kohë kemi papunësinë më të madhe në rajon dhe ndoshta në Evropë e në të njëjtën kohë kemi mungesën më të madhe të fuqisë së kualifikuar punëtore për tregun e punë”, theksoi kryetari Veseli.

Veseli tha se Kosova ka nevojë për një fillim të ri, i cili njeh progresin e arritur, por nuk pranon deformimet dhe degradimet që vijnë nga mosdija apo qëllimi i ngushtë përfitues i grupeve të ndërlidhura të burokratëve e tregtarëve, që krijojnë konkurrencë jolojale deri në monopole.

Ai tha se Kosova ka nevojë të domosdoshme për vizion strategjik transformues. Kjo, sipas tij, do të ndihmonte edhe politikën dhe politikanët e errësuar në luftën e tyre vetëm për pushtet dhe hendekun e marrjes me vetveten.

“Kjo gjendje duhet të ndryshojë shpejt dhe vendi duhet transformuar. Kosova shtet me ekonomi prodhuese e jo konsumuese. Kalimi nga vend supermarketesh në një vend fabrikash. Nga një vend fermerësh të vegjël, që mezi mbijetojnë, në një vend që konkurron në tregjet e huaja me prodhimet e veta bujqësore. Nga n-jë vend, ku rritja ekonomike vjen nga investimet publike, në një vend ku zhvillimi buron nga sektori privat, prodhues dhe minerar, ku të rinjtë marrin përgjegjësitë e tyre, jo vetëm për të gjetur punë, por për më tepër të aftë të krijojnë punë dhe vende pune”, theksoi kryetari i Kuvendit, duke shtuar se politikat ekonomike, ato fiskale dhe tatimore duhet t’i shërbejnë zhvillimit të ekonomisë vendore prodhuese, përpunuese dhe me prioritet promovuese dhe plasuese në tregun tonë dhe me gjerë.

Veseli tha se nevoja e bashkëpunimit me tregje regjionale është domosdoshmëri strategjike, si interes reciprok dhe avantazh regjional.

Sa i përket bashkëpunimit ekonomik Kosovë - Shqipëri, ai tha se duhet filluar me vepra dhe jo me fjalë. Hezitimet e pakuptimta, pengesat burokratike reciproke, moszbatimi në praktikë i marrëveshjeve mes dy vendeve, shtoi kryetari i Kuvendit, janë evidente dhe kjo nuk mund të mbulohet me organizime të përbashkëta të qeverive përkatëse dhe retorikën e vëllazërisë kombëtare.

“Këmbimet tregtare duhet të shumëfishohen në mes të Kosovës dhe Shqipërisë. Partneritetet biznesore Kosovë - Shqipëri janë mundësi e mirë për të ndërtuar kompani të fuqishme, të cilat do ta ngrenë fuqinë eksportuese të vendeve tona. Zhvillimi ekonomik është rruga e vetme për të kaluar nga një shoqëri që eksporton jashtë njerëz dhe para në një shoqëri që eksporton produktet e saj, idetë inovative dhe shembullin e një shteti që funksionon”, tha Veseli