Po krijojmë kushte që bizneset të jenë të barabarta

Ekonomia April 21, 2017 - 08:41

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, vizitoi panairin e përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2017”, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës. I shoqëruar nga zëvendëskryeministri Ramiz Kelmendi, ministri i Infrastrukturës Lutfi Zharku, dhe kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, kryeministri Mustafa fillimisht ka vizituar bizneset e shumta nga Kosova dhe më gjerë që kanë ekspozuar prodhimet e tyre në këtë panair.

Me këtë rast kryeministri Mustafa falënderoi Odën Ekonomike për punën e bërë dhe për organizimin e panairit, në të cilin janë rreth 150 firma të rëndësishme të Kosovës. “Kur e shohim këtë, në një ambient të tillë të duket që nuk je në Kosovë, por në një vend perëndimor, sepse kemi produkte që jo vetëm përngjajnë, por edhe për nga cilësia dhe konkurrenca janë ato siç prodhohen edhe në fabrikat në shtetet e Bashkimit Evropian dhe unë jam shumë i lumtur që kemi një ekonomi të tillë, kemi biznesmenë të tillë, kemi ndërmarrës të tillë”, tha kryeministri. 

Më tutje, kryeministri Isa Mustafa është njoftuar nga përfaqësuesit e bizneseve se është rritur interesimi i qytetarëve dhe i vizitorëve për produkte e po ashtu është rritur edhe gama e produkteve, të cilat po i ekspozojnë firmat në këtë panair. Prodhuesit vendorë janë interesuar të dëgjojnë nga kryeministri Mustafa se kur do të hyjë në fuqi Pakoja Fiskale 2. 

“Gati të gjithë më pyetën se çfarë po bëhet me Pakon Fiskale. Vetë fakti që e mora këtë pyetje se kur do të miratohet Pakoja Fiskale 2 flet se ata e kanë përjetuar shumë mirë Pakon Fiskale 1 dhe presin që përmes Pakos Fiskale 2 t’i zgjidhin disa nga pabarazitë që i kanë pasur deri më tani në treg. Unë i sigurova që deri në fund të këtij muaji më së largu ne do të aprovojmë atë në Qeveri dhe se bizneset sa i përket kësaj do ta kenë të përfunduar këtë kërkesë. Po ashtu do të punojmë edhe në kërkesa të tjera, gjithherë të krijojmë kushte që bizneset tona të jenë të barabarta ose të jenë para bizneseve tjera në tregun e Bashkimit Evropian dhe në tregjet tjera”, tha kryeministri. 

 Kryeministri Isa Mustafa falënderoi edhe mediet për përcjelljen e sektorit ekonomik, gjë që, siç tha kryeministri, flet se së bashku po ndërtohet një klimë e mirë e zhvillimit ekonomik në Kosovë. 

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, tha se vizita e kryeministrit në këtë panair është motivim shtesë për biznesmenët që të avancojnë komunikimin dhe dialogun me strukturat më të larta institucionale në Kosovë. “Jemi të bindur se ky panair po rritet me shtetin dhe besoj se në të ardhmen e afërt Kosova do të ketë nevojë për zgjerim të këtyre kapaciteteve sepse interesimi për të ekspozuar jo për tregtinë, por për prodhim dhe promovim të vlerave të prodhimit po rritet me kohë”, tha Gërxhaliu. 

Ai, po ashtu, tha se në këto dy vjet janë bërë hapa pozitivë në krijimin e ambientit të të bërit biznes në Kosovë. “Është një disiplinë financiare, është një ndalje e tenderomanisë masive Pakoja Fiskale numër 1 dhe besoj se së shpejti do ta kemi të miratuar edhe Pakon Fiskale 2. Është Ligji për Investime Strategjike, Ligji për ‘Trepçën’ dhe besoj se me Ligjin për Tregti të Brendshme dhe Ligjin për Antidamping po përmbyllet një cikël i krijimit të një ambienti që është në funksion të zhvillimit ekonomik, duke u bazuar në dijeni, në sundim të rendit, të ligjit dhe në prodhim”, tha Gërxhaliu.