Thaçi: Pa siguri s’ka as ekonomi të fuqishme

Ekonomia April 20, 2017 - 17:03

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mysafir nderi në edicionin e 7-të të Forumit Botëror Strategjik, sot para rreth 1200 pjesëmarrësve nga dhjetëra shtete të botës ka folur për energjinë, infrastrukturën dhe zhvillimin e qëndrueshëm.

Kryetari i Kosovës  ka thënë se ekonomia amerikane është motor i ekonomisë globale, ndërsa politika amerikane është fanar udhëzues për politikën botërore.

Për aktivitetet e Forumit Botëror Strategjik, Thaçi ka thënë se ishin dy ditë interesante të debateve se si ta kontrollojmë ndryshimin dhe si të kemi rritje më të mëdha ekonomike.

“Shteti im është i vogël, por kemi pak eksperiencë që ndoshta ka përdorim edhe në suaza globale. Kam qenë kryeministër i vendit për 8 vjet dhe hapi i parë ka qenë ta shpalli vendin tim republikë sovrane dhe të pavarur. Kjo shpallje ka ndodhur më 2008, vetëm disa muaj para se të kolapsonte banka Lehman Brothers. Pra, nuk ka qenë koha më fatlume të shpallim të pavarur një shtet, ngase ekonomia e tërë rajonit dhe e të gjithë fqinjëve tanë po kalonte nëpër krizë të thellë”

” Megjithatë, gjatë shtetndërtimit tonë, ne arritëm të krijojmë rritje mesatare ekonomike prej rreth 4 për qind për 8 vjet me radhë. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kosova ka shënuar rritjen më të madhe ekonomike në Evropë në ato vite, derisa shumë shtete tjera kanë shënuar rënie ekonomike”, është shprehur ai.

“Mund të pyesni si arriti që Kosova e vogël, një vend prej dy milionë banorë, sa Virxhinia Perëndimore këtu në Amerikë, ka shtuar presidenti Thaçi, të ketë një rritje solide në kohën e krizës së madhe ekonomike dhe financiare që kaploi tërë botën para gati 10 vjetësh?”

“Fillimisht e nisëm një program shumë të gjerë dhe të thellë të investimeve në infrastrukturë. Me kompaninë amerikane Bechtel, ndërtuam dy autostrada që ta lidhnim vendin tonë me fqinjët, ashtu që të mundësonim lidhje më të mira të tregjeve, njerëzve dhe mallrave”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai është shprehur krenar që për një kohë rekorde, pa marrë asnjë cent borxh, janë ndërtuar mbi 800 kilometra rrugë dhe autostrada, që është gjatësia e njëjtë e ndërtuar nga viti 1945 e deri në vitet e para të shekullit 21.

“Po ashtu, filluam edhe një program të renovimit dhe ndërtimit të shkollave. Pra, ne investuam disa miliardë dollarë në infrastrukturë fizike. Ky investim mundësoi hyrjen e mjeteve në ekonomi, krijim të vendeve të reja të punës, por krijoi edhe një platformë afatgjate për rritje ekonomike”, u shpreh presidenti Thaçi.

Në Forumin Botëror Strategjik, duke e marrë si shembull Kosovën, numri një i Kosovës foli edhe për përpjekjet e presidentit Trump dhe kongresit amerikan për gjetjen e një gjuhë të përbashkët në përpilimin e një Plani Nacional për Infrastrukturë.

“Rreth 40 për qind të tërë buxhetit të Kosovës ne ia kemi dedikuar investimeve kapitale, duke krijuar kështu një makrocikël pozitiv ekonomik. Kemi refuzuar të marrim borxhe publike dhe sot Kosova ka borxhin me të ultë publik në Evropën Lindore. Vetëm 10 për qind e GDP-së sonë është borxh publik. Mund ta krahasoni këtë me fqinjët tanë, ku për shembull Serbia dhe Shqipëria kanë 60 për qind të GDP-së në borxh publik, ndërsa Greqia tashmë ka arritur 160 për qind të GDP-së ta ketë në borxh”, u shpreh presidenti Thaçi.

“Si arritëm të paguajmë faturën e investimeve shumëmiliardëshe në infrastrukturë?” – shtoi presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit theksoi se nuk janë rritur as taksat, por thjeshtë janë bërë përpjekje që të mbyllen vrimat e zeza në sistemin e tatimeve, duke rritur të hyrat e tatimeve të rregullta dhe luftuar ekonominë gri.

“Banka Botërore ka lavdëruar Kosovën në mënyrën sesi kemi lehtësuar pagimin e tatimeve dhe tani jemi në pozitën e 43-të nga 200 ekonomitë botërore sa i përket progresit në pagim të tatimeve. E tërë kjo, mund të them, nuk është keq për një shtet që para 18 vjetësh ishte në mes të luftës dhe gjenocidit”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi ka folur edhe për çështjen e energjisë, duke thënë se Kosova është shumë e pasur me thëngjill.

Kreu i shtetit ka thënë se Kosova nuk do të ishte storie e suksesit pa ndihmën e miqve nga mbarë bota.

“Amerika edhe më tutje na qëndron pranë dhe ne jemi falënderues që së fundmi, Agjencia Federale Amerikane (MCC) ka vendosur të përkrah Kosovën me disa dhjetëra milionë dollarë në fusha si energjia apo sundimi i ligjit, me synim që Kosova të zbatojë politika të favorshme për rritje ekonomike”, ka shtuar presidenti Thaçi.

Duke i marrë si shembuj dy bulevardet kryesore në Prishtinë, atë me emrin e presidentit Klinton dhe tjetrin me emrin e presidentit Bush, presidenti Thaçi ka thënë se për popullin në Kosovë nuk ka republikanë apo demokratë, por ka vetëm amerikanë.