Stavileci: Nuk do të lejojmë që bizneset të humbin miliona për mungesë të energjisë

Ekonomia April 20, 2017 - 14:36

Fakti se vite më parë bizneset kosovare kanë humbur miliona euro si pasojë e mungesës se energjisë po vazhdon ta brenë ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavilecin. Një gjë e tillë sipas ministrit Stavileci më nuk do të lejohet të ndodhë në vendin tonë.

"Ne jemi duke punuar në atë drejtim që Kosova të mos ketë probleme të tilla që i kushtojnë rënd zhvillimit të vendit. Bizneset kosovare kanë humbur rreth 300 milionë euro si pasojë e mungesës së energjisë elektrike. Këto humbje kanë qenë pengesa numër një në të bërit biznes, por nuk do të lejojmë më", ka thënë Stavileci në konferencën “ Rrugëtimi i Tregut të Lirë” që po mbahet në Prishtinë.

Ministri Stavileci ka përmendur edhe interkonektivitetin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke thënë se kjo e bënë bashkëpunimin mes këtyre shteteve. “Kostoja e transportit dhe ajo e energjisë janë dy komponentët kryesore që hyjnë në koston e prodhimit. 

Autostrada në drejtim të Shqipërisë, ajo për Shkup, hekurudhat dhe Aeroporti janë pjesë e agjendës evropiane të cilat Kosova duhet t’i përfundojë”, ka thënë Stavileci, duke përmendur që Kosova ka përfunduar autostradën me Shqipërinë dhe ka dhënë Aeroportin me koncesion.