Lumezi: Kushdo që u përfshi në 'dallaveren Z-Mobile/PTK' do të dalë para drejtësisë

Ekonomia April 20, 2017 - 11:27

Kryeprokurori Aleksandër Lumezi ka treguar se Prokuroria Speciale po merret me trajtimin e rastit të humbjes së rreth 30 milionë eurove në Gjykatën e Arbitrazhit nga Telekomi i Kosovës ndaj kompanisë Z Mobile.

Lumezi ka thënë se në momentin e parë që vërtetohet se ka dyshime të bazuara, pavarësisht personave që janë të përfshirë në këtë rast, për këtë rast do të merren të gjitha hapat e nevojshme.

“Nevojat e politikës dallojnë nga kërkesat e drejtësisë, por do të merren masa të nevojshme në rast se vërtetohet se ka dyshime të bazuara për hetim të mëtutjeshëm të rastit, pavarësisht personave të përfshirë në këtë rast”, ka thënë Lumezi në një konferencë për media.

Të mërkurën, gjatë seancës së Kuvendit, kryeministri Isa Mustafa kishte thënë se fajtorët për humbjen e këtyre dhe mjeteve të tjera në proceset që zhvillohen në Arbitrazh duhet të mbajnë përgjegjësi ligjore.

"Z Mobile" është kompani, pjesë e korporatës "Devolli".