Mosmarrëveshjet mbajnë peng planin zhvillimor

Ekonomia April 20, 2017 - 08:17

Dy herë është miratuar plani zhvillimor komunal i Vushtrrisë, një herë nga pozita e një herë nga opozita, por që në të dyja rastet vendimet e Kuvendit të Vushtrrisë janë anuluar nga MAPL-ja. PZHK-ja është riproceduar në Kuvend nga opozita, e cila ka siguruar 18 nënshkrime të këshilltarëve komunalë, nga 35 sa ka Kuvendi i Vushtrrisë, shkruan sot Gazeta "Zëri"

“E treta, e vërteta” mund të jetë për planin zhvillimor komunal të Vushtrrisë, i cili ka shumë kohë që mbahet peng i mosmarrëveshjeve në mes të opozitës dhe pozitës së Vushtrrisë.

Mosmarrëveshjet lidhen përkitazi me Zonën e 8-të, e cila me planin zhvillimor komunal të propozuar ka mbetur zonë e gjelbëruar.

Dhe derisa pozita këmbëngul që ajo zonë të jetë zonë e gjelbëruar, opozita vazhdon të insistojë që Zona 8 të jetë zonë ndërtimore, në mënyrë që një kompanie të Vushtrrisë, e cila në atë zonë ka blerë një hektar tokë nga AKP-ja, t’i mundësohet një investim prej 5 milionë eurosh e ku do të punësoheshin mbi 200 punëtorë të Vushtrrisë, shkruan "Zëri"

Kjo pronë e kësaj kompanie është mbajtur e uzurpuar për shumë vjet dhe blerësi nuk kishte mundur ta shfrytëzojë derisa vitin që shkoi AKP-ja me një aksion të lirimit të pronave kishte liruar edhe pronën e blerë nga kjo kompani, e cila ndodhet në hyrje të qytetit të Vushtrrisë.

Dy herë është miratuar plani zhvillimor komunal i Vushtrrisë, një herë nga pozita e një herë nga opozita, por që në të dyja rastet vendimi i Kuvendit të Vushtrrisë, një herë pa opozitën e herën tjetër pa pozitën, është anuluar nga MAPL-ja. 

 Herën e parë MAPL-ja, përkatësisht Departamenti Ligjor dhe Monitorim të Komunave kishte anuluar miratimin e planit zhvillimor komunal të Vushtrrisë, pasi që kishte konstatuar se në mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit të Vushtrrisë, më datën 12 janar 2017, me rastin e votimit ka pasur shkelje të dispozitave ligjore të Nenit 46, të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, pasi që nuk ka pasur kuorum për punën e Kuvendit dhe për të miratuar planin zhvillimor të Komunës së Vushtrrisë. Plani ishte miratuar pa opozitën, pasi që komplet opozita, si dhe disa këshilltarë të pozitës kishin lëshuar mbledhjen.

E ndërkaq herën e dytë Kuvendi i Vushtrrisë me vetëm votat e opozitës kishte miratuar planin zhvillimor komunal të Vushtrrisë me një ndryshim, që Zona e 8-të, e cila paraprakisht ishte shpallur zonë e gjelbëruar, tani ishte shpallur zonë ndërtimi. Me këtë ndryshim kompanisë “Emona City” i ishte hapur rrugë që të ndërtojë në pronën e vet prej rreth 1 hektar tokë në këtë zonë, në të cilën kishte planifikuar të investojë 5 milionë euro dhe t’i punësojë mbi 200 vushtrrias.

Opozita në Vushtrri, si dhe përfaqësuesit e kompanisë “Emona City” patën vlerësuar se kanë ngadhënjyer ndaj pozitës në Kuvendin e Vushtrrisë, në veçanti ndaj kryesuesit të Kuvendit, Shpëtim Zhegrova, i cili, sipas tyre, është i vetmi që “me kryeneçësi” ka këmbëngulur që kjo zonë, në të cilën ndodhet prona e kompanisë “Emona City”, të mbetet zonë e gjelbëruar.

Kryesuesi Shpëtim Zhegrrova dhe gjithë pozita patën lëshuar sallën, duke u arsyetuar me faktin se mbledhja nuk mund të mbahet, pasi që jo të gjithë këshilltarët komunalë dhe shoqëria civile nuk janë njoftuar tri ditë para se të mbahej mbledhja. Vazhdimin e kësaj mbledhjeje e kishe kryesuar Muharrem Shabani, ku pas një debati dhe me votat e këshilltarëve të mbetur ishte miratuar plani komunal zhvillimor i Vushtrrisë, me të vetmin ndryshim të propozuar nga partitë opozitare dhe të të pavarurit që Zona 8 të jetë zonë ndërtimi. Por edhe ky vendim i Kuvendit të Vushtrrisë është anuluar nga MAPL-ja, me të njëjtin arsyetim, se jo të gjithë këshilltarët komunalë dhe shoqëria civile janë njoftuar për mbledhjen e jashtëzakonshme. Në të dyja këto mbledhje pozita, respektivisht kryesuesi i Kuvendit Shpëtim Zhegorva, nuk kishte përfillur propozimin e kryetarit Bajram Mulaku, që miratimi i këtij plani të bëhet me konsensus të plotë të të gjitha subjekteve politike në Kuvend, qoftë edhe të debatohet me muaj. Para se ta lëshonte mbledhjen, kryesuesi Zhegrova ka kritikuar edhe kryetarin e Vushtrrisë, Bajram Mulakun, për shkak siç ka thënë Zhegrova, “të gjithë e dimë, por nuk po duam ta themi, as kryetari i Komunës nuk po dëshiron ta qartësojë se Gjykata ka marrë vendim të formës së prerë sa i përket Stacionit të Autobusëve dhe se Komuna është dënuar me mbi 4 milionë euro dhe mbi dikë duhet të bjerë përgjegjësia”.

Tani opozita ka riproceduar në Kuvend planin zhvillimor komunal 2016 – 2024, e cila ka thirrur seancë të jashtëzakonshme të Kuvend, e cila do të mbahet më 24 prill, duke siguruar nënshkrimet e 18 asamblistëve. Kërkesën për seancë të jashtëzakonshme e ka parashtruar këshilltari Rrahim Ajeti, i cili ka mbledhur 18 nënshkrime nga 35 asamblistë sa ka Kuvendi i Vushtrrisë.