KEDS-i na faturon 8 milionë euro në vit për rrymën e serbëve të veriut

Ekonomia April 07, 2017 - 08:07

8 milionë euro është vlera e energjisë që shpenzohet brenda një viti në veri të Kosovës, e cila edhe më tutje u faturohet të gjithë qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën. Nga përfundimi i luftës e deri më tash serbët në veri kanë shpenzuar energji elektrike prej më shumë se 100 milionë eurosh, shkruan sot, gazeta Zeri.

Më shumë se 8 milionë euro energji elektrike, e cila shpenzohet nga serbët në veri të Kosovës, edhe më tutje vazhdon t’u shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë në gjithë Kosovën. Nga përfundimi i luftës e deri më tash serbët në veri kanë shpenzuar energji elektrike prej më shumë se 100 milionë eurosh. Humbjet komerciale dhe teknike të energjisë elektrike në vend edhe më tutje vazhdojnë të jenë tejet të larta, ndonëse sipas kontratës së privatizimit ato është dashur të ulen nga viti në vit.

Zvogëlimi i humbjeve të energjisë elektrike dhe modernizimi i rrjetit të shpërndarjes ishin njëri nga arsyet e privatizimit të distribucionit. Por, ndonëse kanë kaluar disa vite nga privatizimi i rrjetit, ndryshimet pothuajse nuk po vërehen fare. Madje ditë më parë KEDS-i është gjobitur nga ZRRE-ja pasi ka aplikuar reduktime në emër të punimeve në rrjet e që në realitet një gjë të tillë nuk e ka bërë fare.

Sipas të dhënave zyrtare, të marrë nga Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE), nga viti 2013 deri në vitin 2015 humbjet kanë rënë për  4,5 për qind deri sa caku i përcaktuar nga ZRRE-ja që duhet të arrihej për këtë periudhë ishte 8,5%. Pra, 3% për vitin 2013, 3% për vitin 2014 dhe 2,5% për vitin 2015.

ZRRE-ja konfirmon

Në anën tjetër, zyrtarë të Zyrës së Rregullatorit për Energji Elektrike (ZRRE) konfirmojnë për gazetën “Zëri” se brenda një viti qytetarët serbë në veri të Kosovës shpenzojnë energji elektrike në vlerë prej rreth 8 milionë eurosh, e cila shpërndahet nëpër fatura të qytetarëve shqiptarë.

Adelina Murtezaj, zyrtare për medie në ZRRE, thotë se humbjet në veri të vendit janë humbje që shkaktohen për arsye politike dhe janë jashtë mundësive të operatorit për të ndikuar në uljen e tyre.

“Ato nuk llogariten as si humbje teknike dhe as komerciale. Operatorët e dinë sasinë e energjisë që hyn në rrjet në këtë pjesë të vendit, por për shkak se nuk mund t’i lexojnë njehsorët e secilit konsumator kjo energji sipas strukturës tarifore nuk mund të kthehet në vlerë financiare të saktë. Megjithatë, duke marrë parasysh çmimin me shumicë të energjisë elektrike llogaritet që vlera e sasisë së energjisë së konsumuar në këtë pjesë të vendit të jetë rreth 8 milionë në vit”, ka thënë Murtezaj për gazetën “Zëri”.

Në pyetjen e gazetës “Zëri” se pse KEDS-i energjinë që po ua dërgon serbëve në veri po ua faturon qytetarëve shqiptarë, Murtezaj thotë se ligjet e energjisë kanë paraparë që gjatë llogaritjes së të hyrave maksimale të lejuara të operatorëve të rregulluar të konsiderohen te humbjet e arsyeshme të cilat janë jashtë ndikimit të operatorit, siç është rasti me veriun e vendit.

“Prandaj është e paarsyeshme dhe do të ishte e papërballueshme financiarisht për operatorin që këto humbje t’i lihen atij si barrë”, ka thënë ajo.

Për këtë çështje gazeta ia ka dërguar disa pyetje edhe zyrës për medie të KEDS-it, por këta janë përgjigjur shumë shkurt rreth skandalit në fjalë.

“Fatkeqësisht, për shkak të arsyeve politike dhe të sigurisë ne ende nuk jemi duke operuar në veri. Kjo çështje i tejkalon kompetencat tona dhe ne ju lusim që pyetjet që kanë të bëjnë me veriun t’i adresoni tek autoritetet relevante”, ka thënë Viktor Buzhala, zyrtar për medie në KEDS.

Humbjet u zvogëluan vetëm për 4,5%

Adelina Murtezaj, zyrtare për medie në Zyrën e Rregullatorit për Energji Elektrike, thotë se para privatizimit të OSSH-së ka përcaktuar caqet që duhet të arrihen nga operatori në mënyrë që të ulen humbjet në rrjetin e energjisë elektrike.

“Humbjet e lejuara nga ZRRE-ja për vitin 2013 janë aprovuar në nivelin prej 27,40% ndërsa Operatori i Distribuimit i ka rritur ato në nivel prej 31,03%. Për vitin 2014 humbjet e lejuara kanë qenë në nivel prej 24,40%, ndërsa niveli i realizuar është 28,46%, ndërsa për vitin 2015 niveli i lejuar i humbjeve nga ZRRE-ja ka qenë 21,90%, ndërsa niveli i realizuar është 26,55%.

Pra në përqindje Operatori i Sistemit të Shpërndarjes nga viti 2013 deri në vitin 2015 ka reduktuar humbjet në nivelin prej 4,5% pikë, ndërsa caku i përcaktuar nga ZRRE-ja që duhet të arrihej për këtë periudhë ishte 8,5% (3% për vitin 2013, 3% për vitin 2014 dhe 2,5% për vitin 2015)”, ka thënë ajo. Sipas saj, në mosrealizimin e këtyre humbjeve një pjesë e tyre është e trashëguar nga mbajtësi paraprak i licencës për OSSH (KEK) në vlerë prej 1,8%.

“Është me rëndësi të theksohet se për pjesën e parealizuar të uljes së humbjeve Operatorit nuk i pranohen në të hyrat e lejuara maksimale, pra konsumatorët nuk paguajnë për pjesë që nuk është investuar në përmirësimin e rrjetit dhe përforcimin e operimeve të operatorit”, ka thënë më tutje Murtezaj.

E në anën tjetër zyrtarë të KEDS-it nuk dëshirojnë të japin shumë informacione rreth humbjeve të energjisë elektrike në vend, prej momentit të privatizimit e deri më tash.  

“Humbjet teknike dhe komerciale gjithashtu janë të rregulluara dhe të njohura nga ZRRE-ja. Për vitin 2016 humbjet e njohura nga ZRRE-ja ishin 19,4 për qind. Edhe pse ky numër ishte më i lartë, kjo është shifra që ZRRE-ja e njeh dhe i ka ngarkuar konsumatorët si pjesë e tarifave. Diferenca është mbuluar nga KEDS-i. Edhe pse përqindja e humbjeve është duke rënë çdo vit, është ende e lartë dhe vjen si pasojë e shumë konsumatorëve të papërgjegjshëm që e keqshfrytëzojnë energjinë elektrike”, ka thënë zëdhënësi KEDS-it, Viktor Buzhala