Yagcilar: Nuk do të ketë rritje të pagave, vetëm nivelizim

Ekonomia March 29, 2017 - 19:25

Reforma në Administratën Publike, ishte temë diskutimi në Komisionin për Administratë publike, ku ministri Mahir Yagcilar, raportoi rreth punës së bërë në këtë drejtim.

Yagcilar tha se po punohet mjaft shumë për reformat në Administratën Publike. “Mund të konstatohet se ekziston një vizion koherent i reformës së Administratës Publike në nivel shtetëror. Nga ana tjetër të gjitha dokumentet e lartshënuara përmbajnë sfidat objektivat dhe hapat kyç që nevojiten të përmirësohen”, tha ai.
Anëtarët e Komisionit patën kritika lidhur me reformat në Administratë, pagat e deputetëve por edhe për Ligjin për Paga.

Deputeti i Nismës Zafir Berisha tha se Administrata publike, po shfrytëzohet për të ruajtur ‘status quon’ në vend.
“Administrata po shfrytëzohet për ta ruajtur status quon në Kosovë dhe kjo nuk është e shëndetshme për shtetin e Kosovës. Pengesë për reformën e administratës publike janë ndërhyrjet politike apo gjendja financiare”, tha deputeti i Nismës.

Ndërsa deputeti i AAK-së Lahi Brahimaj ka ngritur çështjen e pagave të deputetëve, për të cilën u hap një debat për to.

Ndërkaq Zenun Pajaziti nga PDK-ja tha se nuk është sfidë paga e deputetëve, por sfidë mbetet harmonizimi i pagave të shërbyesve civil. “Nuk është sfidë paga e deputetëve në përgjithësi e komunitetit të politikanëve. Është sfidë harmonizimi i pagave i të gjithë atyre shërbyesve, që marrin pagë prej buxhetit të Kosovës”, tha ai.

Duke folur për Ligjin për Paga, Yagcilar sqaroi se qëllimi i këtij ligji është nivelizimi, e jo rritja e tyre.

“Edhe për deputetët, ministrat dhe zëvendësministrat që janë me mandat politik, duhet të planifikohen pagesat për ata që s’do të jenë deputet dhe ministra ose zëvendësministra për ata duhet të parashikohet një pagesë. Kjo s’ka lidhje me rritjen e pagave as të deputetëve as të ndonjë pozite tjetër. Në atë ligj nuk do të ketë zvogëlim, nuk do të ketë rritje, por nivelizim të pagave. Fillohet prej presidentit dhe tek çdo pozitë, mund të ketë rritje mund të ketë zvogëlim, qëllimi është të mos bëhet asnjë zvogëlim i pagave, sidomos në sektorët e rëndësishëm si shëndetësia, arsimi, policia, siguria, administrata publike”, tha ministri Yagcilar.

Ligji për Pagat është tërhequr nga Qeveria me kërkesë të Komisionit Evropian, pasi që ky i fundit ka kërkuar që ky ligj së bashku edhe me Ligjin për Shërbimin Civil dhe Organizimin e Administratës Shtetërore të shkojnë në një pako në Kuvend. Qeveria ka tërhequr ligjin dhe që të tri këto ligje do të procedohen në pako./Telegrafi/