Qeveria i tregon Bankës Botërore se çfarë po e pengon zhvillimin e vendit

Ekonomia March 27, 2017 - 23:20

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim një delegacion të nivelit të lartë të Bankës Botërore, të cilët po qëndrojnë në Kosovë, në kuadër të një vizite në shtetet e rajonit.

Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm edhe ministrat Blerand Stavileci dhe Ferat Shala, kryeministri Mustafa i ka njoftuar për të arriturat e Kosovës në zhvillimin ekonomik, për stabilitetin makroekonomik dhe buxhetor si dhe për reformat strukturore që po ndërmerren, bën të ditur një komunikatë nga Qeveria.

"Kryeministri Mustafa foli për rëndësinë e madhe që ka për Kosovën adresimi i çështjes së energjisë si një nga pengesat në zhvillimin edhe më të shpejt të vendit. Kryeministri Isa Mustafa i ka njoftuar të pranishmit edhe për prioritetet tjera të Qeverisë së Kosovës, duke shprehur përkushtimin e plotë për reforma të mëtejshme në kuadër të zhvillimit të vendit dhe i falënderoi për përkrahjen e vazhdueshme të Bankës Botërore", thuhet në njoftim.

"Anëtarët e delegacionit të Bankës Botërore u interesuan për aspektet e ndryshme të zhvillimit ekonomik, duke vlerësuar punën dhe rezultatet e deritashme të Qeverisë së Kosovës", bën të ditur njoftimi.