Korrupsioni pengesë kryesore për zhvillim ekonomik

Ekonomia March 27, 2017 - 12:14

Ambienti i të bërit biznes në Kosovë po cilësohet të jetë i kënaqshëm për ata që dëshirojnë të investojnë. Por, niveli i lartë korrupsionit po shihet si pengesa kryesore drejt zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.Kështu ka thënë për Ekonomia Online, Peter Hasslacher, drejtor i Odës Ekonomike Federale të Austrisë.

“Me kujtohet kur kamë ardhur në Kosovë ishte viti 2009 nuk isha i shokuar por situata ishte shumë më e komplikuar se tani. Kosova ditët e sotme ka bërë një zhvillim marramendës, përmirësime të mëdha të cilat mund të shihen”.“Mendoj që ambienti i të bërit biznes në Kosovë është i mirë, por natyrisht përmirësimet janë të domosdoshme si në luftën kundër korrupsionit dhe në disa çështje të tjera”, thotë ai.

Edhe përkundër kësaj ai shprehet i bindur se ka interesim të bizneseve austriake për të investuar në Kosovë.

“Ka një interesim të madh dhe ky është një avantazh për Kosovën sepse ka sipërmarrës shumë të mirë, njerëz të shkëlqyeshëm të biznesit, njerëz të biznesit që janë shumë të kualifikuar, me aftësi të mira, të cilët flasin shumë gjuhë të huaja, të cilët kanë afërsi apo marrëdhënie në shumë vende të huaja, viteve të fundi eksportet e Kosovës drejt Austrisë kanë pasur një rritje të madhe me më shumë se 30 për qind që është e jashtëzakonshme, por gjithashtu edhe investimet austriake në Kosovë kanë pasur një rritje nga 180 milionë në 220 milionë euro që është gjithashtu e jashtëzakonshme”, ka thëna ai/

I pari i Odës Ekonomike të Austrisë thotë se Kosova duhet te ndjek rrugën e vendeve të rajonit të cilat janë shumë përpara sa i përket zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.