Mundësi për investime nga bizneset frankofone

Ekonomia March 24, 2017 - 08:24

Bizneset frankofone do të njoftohen për mundësitë e investimeve në Kosovë. Kjo do të bëhet përmes Klubit të Bizneseve Frankofone, i cili do t’i hapë rrugë vendit që t’i rrisë marrëdhëniet ekonomike e tregtare me shtetet anëtare të kësaj organizate.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se hapja e këtij klubi e bën Kosovën pjesë të Frankofonisë. “Është shumë e nevojshme që bota të mësojë për potencialet e Kosovës, por edhe që afaristët kosovarë të përfitojnë nga përvojat dhe mundësitë që ofron bota sot. Klubi që po themeloni sot përbën një forum të tillë në të cilin shkëmbehen përvoja, shkëmbehen informata, por edhe lidhen partneritete dhe marrëdhënie bashkëpunimi”, ka thënë presidenti Thaçi.

Thaçi ka thënë se këto vite është investuar shumë në infrastrukturën teknike dhe ligjore, duke krijuar lehtësira për investitorët potencialë dhe duke ndikuar në përmirësimin e ambientit të përgjithshëm të të bërit biznes.

Thaçi ka thënë se qëllimi kryesor i shteteve frankofone është një zhvillim i qëndrueshëm që mbështet zhvillimin e qeverisjes efikase, zhvillimin ekonomik, ndërtimin e kapaciteteve, bashkëpunimin në mes shteteve. Presidenti Thaçi ka shprehur besimin se bizneset e Kosovës dhe vetë shteti i Kosovës do të përfitojnë shumë në çdo aspekt nga kjo iniciativë.

“Ky klub do të mundësojë që Kosova të promovojë vlerat ekonomike të vendit dhe mundësitë për investime edhe në shtetet më të largëta të aleancës së shteteve frankofone”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërsa kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë ceremonisë së promovimit të Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë ka thënë se ky klub është një mekanizëm shumë i rëndësishëm i përfaqësimit dhe i avokimit të bizneseve të vendeve frankofone, duke pasur parasysh, sipas tij, se këto shtete e kanë ndihmuar Kosovën në vazhdimësi në zhvillimin ekonomik dhe demokratik.

“Unë gëzohem sot që do të kemi fuqizim të këtij zëri dhe të këtij bashkëpunimi edhe me bizneset frankofone në Kosovë dhe ju siguroj që edhe politikat e tanishme dhe politikat e ardhshme ekonomike Qeveria dhe ministritë përkatëse do t’i bëjnë në përputhje me interesat tona të përbashkëta, të cilat janë interesa të bizneseve dhe interesa të zhvillimit tonë”, tha kryeministri.

Mustafa ka shprehur interesimin që përmes këtij klubi të informohen bizneset frankofone për mundësitë e investimeve në Kosovë, për ambientin ekonomik, për ambientin tregtar, për ambientin fiskal, për ambientin kreditor, për infrastrukturën me të cilën disponon Kosova në mënyrë që të jenë të hapur dhe të sigurohet një bashkëpunim sa më i mirë reciprok. “Bizneset që përfaqëson ky klub janë numerikisht shumë të rëndësishme dhe po ashtu edhe partnerët me të cilët ne do të mundnim të zhvillojmë marrëdhënie. Rrjedhimisht, ia vlen që ne të gjithë së bashku të kemi një qasje afirmative për një ambient biznesi në Kosovë dhe kjo qasje të jetë qasje e dyanshme, e interesave të dyanshëm për lidhje tona ekonomike, të cilat pastaj do t’i fuqizojnë edhe më tutje lidhjet tona politike dhe lidhjet tona demokratike”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka ftuar investitorët e huaj që të investojnë në Kosovë, pasi Kosova ofron perspektivë dhe shumë mundësi për investitorët e huaj.

"Ne jemi duke përmirësuar me hapa të shpejtë ambientin e të bërit biznes në Kosovë. Jemi duke punuar në thjeshtimin e procedurave ligjore, në eliminimin e barrierave burokratike dhe në funksionalizimin e ligjeve që stimulojnë sipërmarrësit e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe ligjet që garantojnë konkurrencën e lirë. Jemi të vendosur të mos tolerojmë asnjë faktor që pengon zhvillimin ekonomik të vendit, ngase prej këtij zhvillimi varet çdo proces tjetër që ka të bëjë me fuqizimin e shtetit ligjor, finalizimin e demokratizimit të shoqërisë dhe ecjen përpara në integrimet euroatlantike", ka thënë Veseli.