Mustafa: Klubi i Biznesit Frankofon në Kosovë, mundësi për investime nga vendet mike

Ekonomia March 23, 2017 - 14:43

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në promovimin e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë.

Para të pranishmëve, kryeministri Mustafa tha se ky Klub është një mekanizëm shumë i rëndësishëm i përfaqësimit dhe i avokimit të bizneseve të vendeve frankofone, duke pas parasysh se këto shtete e kanë ndihmuar Kosovën në vazhdimësi në zhvillimin ekonomik dhe demokratik.

Më tej, kryeministri Mustafa vlerësoi se ky Klub do të jetë mundësi e mirë për bizneset e këtyre vendeve të informohen për mundësitë e investimeve në Kosovë, por edhe për sigurimin e një bashkëpunimi sa më të mirë reciprok.

“Gjatë këtij mandati ne kemi pasur bashkëpunim shumë të mirë me odat dhe me asociacionet e bizneseve në Kosovë, dhe ju siguroj se të gjitha politikat ekonomike dhe politikat fiskale, i kemi ndërtuar me një partneritet të plotë  me këto asociacione të bizneseve dhe me biznese. Unë gëzohem sot që do të kemi fuqizim të këtij zëri dhe të këtij bashkëpunimi edhe me bizneset frankofone në Kosovë, dhe ju siguroj që edhe politikat e tanishme dhe politikat e ardhshme ekonomike, Qeveria dhe ministritë përkatëse, do t’i bëjnë në përputhje me interesat tona të përbashkëta që janë interesa të bizneseve dhe interesa të zhvillimit tonë”, tha kryeministri, transmeton "Zeri.info".

Duke vlerësuar anëtarët e këtij klubi dhe veçmas vendet mike, siç janë Franca, Zvicra, Belgjika, Luksemburgu, dhe vendet tjera, kryeministri tha se me të gjitha këto vende, Kosova ka marrëdhënie të shkëlqyera dhe janë vende të cilat në vazhdimësi e kanë përkrahur zhvillimin ekonomik dhe zhvillimin demokratik të Kosovës.

“Unë vlerësoj se Asociacionet e Bizneseve luajnë një rol tejet të rëndësishëm në sigurimin e arritjes ekonomike, në zhvillimin e qëndrueshëm, në prosperitetin tonë të përbashkët edhe ekonomik edhe social. Kjo është një përkrahje tepër domethënëse e jona, sepse lidhjet e deritanishme politike që i kemi pasur deri më tani me vendet frankofone, po i forcojmë edhe me lidhje të fuqishme ekonomike”, tha kryeministri.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, ka shprehur interesimin që përmes këtij klubi të informohen bizneset frankofone për mundësitë e investimeve në Kosovë, për ambientin ekonomik, për ambientin tregtar, për ambientin fiskal, për ambientin kreditor, për infrastrukturën me të cilën disponon Kosova në mënyrë që të jenë të hapur dhe të sigurohen një bashkëpunim sa më i mirë reciprok.

“Bizneset që përfaqëson ky Klub janë numerikisht shumë të rëndësishme dhe po ashtu edhe partnerët me të cilët ne do të mund të zhvillojmë marrëdhënie. Rrjedhimisht, ia vlen që ne të gjithë së bashku të kemi një qasje afirmative për një ambient biznesi në Kosovë, dhe kjo qasje të jetë qasje e dyanshme, e interesave të dyanshëm për lidhje tona ekonomike, të cilat pastaj do të fuqizojnë edhe më tutje lidhjet tona politike dhe lidhjet tona demokratike”, tha kryeministri, përcjell "Zeri.info".

Mustafa, më tej ka folur për stabilitetin e plotë makroekonomik, buxhetor në Kosovë, për sektorin shumë të shëndoshë bankar, borxhin më të ulët publik, fuqinë punëtore të përgatitur dhe fleksibile e cila është e re dhe shumë e përshtatshme për të përballuar programe dhe teknologji të reja.

“Për këto dy vite kemi arrit rritje vjetore të GDP-së prej 4 për qind, me perspektivë që kjo rritje të jetë më e madhe. Planifikojmë që qysh këtë vit ta mbyllim me 5 për qind dhe viteve të ardhshme, për shkak të investimeve të mëdha që i presim sidomos në energjetikë, të kemi rritje edhe më të madhe ekonomike. Si qeveri e kemi marrë çmimin për Qeverisjen më të Mirë për Bizneset e Vogla dhe të Mesme, në Takimin Botëror të Përkrahësve të Bizneseve në Turqi, “Heritage Foundation” e ka renditur Kosovën si ndër vendet më avancuara në rajon sa i përket lirisë ekonomike. Këto nuk janë vlerësime me të cilat ne tani duhet të mburremi, por janë vlerësime të cilat neve na inkurajojnë që të punojmë edhe më shumë në mënyrë që të krijojmë një ambient të biznesit që do të jetë i përshtatshëm për të gjitha bizneset, dhe në këtë rast, në veçanti për bizneset që vijnë nga vendet frankofone, për çfarë unë jam shumë i lumtur sot, dhe është një shenjë e mirë për Kosovën, e stabilitetit të Kosovës dhe e një ambienti evropian në Kosovë”, tha kryeministri Mustafa.

Pjesëmarrës në promovimin e Klubit të Biznesit Frankofon në Kosovë ishin edhe presidenti Thaçi, kryeparlamenatari Veseli, zëvendëskryeministrat dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës, ambasadori francez,  Chabert, dhe përfaqësues të bizneseve dhe të odave ekonomike në Kosovë.