MSA-ja, 23 milionë euro më pak në buxhet

Ekonomia March 23, 2017 - 08:26

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur dje mbledhjen e radhës, ku ka miratuar Raportin Vjetor Financiar për vitin 2016, si dhe vendime nga përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore.

Raporti Vjetor Financiar për vitin 2016, sipas ekzekutivit të vendit, tregon rritjen e të hyrave në Administratën Tatimore prej 16 për qind, në Doganë me 10,5 për qind, dhe nga tatimi në pronë nëpër komuna, si rezultat i ligjeve për faljen e borxheve të cilat janë rritur me 27 për qind krahasuar me vitin paraprak, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Kjo rritje e të hyrave ka ardhur nga politikat fiskale të shtatorit 2015, në veçanti nga aktivitet që kanë ndërmarrë Doganat dhe Administrata Tatimore e Kosovës për luftimin e ekonomisë joformale” tha ministri i Financave, Avdullah Hoti.

Sipas ministrit Hoti, të hyrat shtesë kanë ardhur me lirimin e ofruar për sektorin privat me politikat fiskale të vitit 2015, që kanë dhënë efekt prej 47 milionë euro, e të cilat kanë mbetur në sektorin privat gjatë vitit të kaluar, përfitime të ndryshme për qytetarë prej 23 milionë euro për shkak të lirimeve të normës së TVSH-së nga 16 në 8 për qind dhe zbatimi i MSA-së nga data 1 prill 2016 që ka pasur një efekt prej 23 milionë eurove më pak në të hyra buxhetore.

Gjatë kësaj mbledhje është miratuar edhe Nisma për Negocimin e Marrëveshjes për Bashkëpunim Financiar (Projekti i Subvencioneve) për vitin 2016, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Republikës Federale të Gjermanisë.

Kjo marrëveshje përfshin grantet nga Gjermania për rritje ekonomike dhe nxitje të punësimit në zonat rurale, shkarkimin e ujërave të zeza në jugperëndim të Kosovës, menaxhimin e mbeturinave dhe disa masave shoqëruese, ngrohje komunale dhe shërbime financiare për nxitjen e punësimit në sektorin e bujqësisë.

Qeveria miratoi vendimin për formimin e grupit punues me përfaqësues të ministrive relevante dhe në bashkëpunim me ekspertët e Bankës Botërore për përgatitjen e Koncept-Dokumentit lidhur me Draftligjin për Inspeksionet.

Njëra ndër reformat më të rëndësishme që lidhen me punën e institucioneve kosovare është Reforma e Inspeksioneve, që nënkupton riorganizimin thelbësor në mes të 36 autoriteteve inspektuese, konsolidimin e tyre në jo më shumë se 15 apo 16 sosh dhe amendamentimin e ligjeve që rregullojnë punën e këtyre autoriteteve inspektuese, si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal.

Pjesë e këtij grupi punues do të jenë ministri përkatës, si dhe Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Zyra e Bankës Botërore.

 Po ashtu, është miratuar vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për Odën Ekonomike të Kosovës për organizimin e panairit tradicional të përgjithshëm ndërkombëtar “Prishtina 2017”. Panairi që mbahet 19-22 prill 2017 në Qendrën e Panaireve në fshatin Bërnicë të Prishtinës, vitet e kaluara ka tërhequr numër të madh të vizitorëve dhe ka promovuar bizneset kosovare dhe është bërë ndër ngjarjet më të rëndësishme në promovimin e biznesit në Kosovë.

Përndryshe, gjatë kësaj mbledhjeje kabineti qeveritar ka marrë vendim edhe për emërimin e Bordit Menaxhues të Lotarisë së Kosovës si dhe e ka bërë emërimin e z. Shpend Tërdeva, Sekretar të Këshillit të Sigurisë së Kosovës.