Mungesa e liberalizimit të vizave, goditje për bizneset vendëse

Ekonomia March 22, 2017 - 13:09

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu ia ka dorëzuar kryeministrit Isa Mustafa një raport i cili identifikon barrierat e të bërit biznes në Kosovë.

Kryetari i OEK-ut tha se viti 2015 dhe ai 2016 kanë qenë vite të dialogut publiko privat, duke shtuar se pakoja e dytë fiskale do të jetë garancë e një stabiliteti ekonomik e social, raporton Ekonomia Online.

Megjithatë, ai tha se mungesa e liberalizimit të vizave është dëmi më i madh që po e godet biznesin vendës.

“Ju e dini që zhvillimet politike kanë bërë të veten në prishjen e imazhit të vendit. Duhet të bëhet më tepër të zgjidhet problemi i energjisë elektrike. Së shpejti po presim nga MTI që së shpejti të funksionalizohet ligji për tregti të brendshme si dhe ligji antidamping. Mungesa e liberalizimit të vizave është dëmi më i madh që e godet biznesin vendës. Edhe MSA që është një e arritur historike nuk mund ta ketë nivelin e arritshmërisë pa liberalizim. Le të jetë ky një mesazh dhe të ngritët në interesa politike interesi ekonomik”, tha Gërxhaliu.

Kryeministri Mustafa me këtë rast tha se rruga e të bërit biznes po lehtësohet dhe për këtë sipas tij dëshmon fakti që shumë biznese tanimë kanë filluar të krahasohen me ato të vendeve të BE-së.

“Më vjen mirë qe po hapet rruga e të bërit biznes në Kosovë dhe ambienti po përmirësohet çdo ditë. Bizneset tona kanë filluar të eksportojnë edhe jashtë vendit dhe mund të them që jemi të lumtur që kemi biznese të tilla të cilat janë krahasuese me bizneset e BE-së. E falënderoj OEK-un për punën që po bënë se bashku me asociacionet e tjera dhe vet bizneset”, tha ai.

Nga të gjeturat e raportit të Odës Ekonomike të Kosovës për identifikimin e barrierave të bërit biznes në vend thuhet se kostoja e energjisë elektrike, konkurrenca jo e drejtë, mungesa e stabilitetit politik janë pengesat më të mëdha në të bërit biznes në vend.

Në fund të raportit të Odës Ekonomike të Kosovës ishin dhënë edhe rekomandimet për Kuvendin dhe Qeverinë.Për Kuvendin: Intensifikim të angazhimit të Rregullatorin e Energjisë për ndryshim të sistemit të tarifave; Rritje të angazhimit për hartim dhe miratim të ligjeve që nxisin rritjen e sektorit privat.

Për Qeverinë: Investimet në kapacitetet e reja energjetike për të siguruar energji stabile dhe me kosto të përballueshme për bizneset; Rritje të përkrahjes financiare për projekte të efiçiencës dhe energjisë alternative në kompanitë e sektorit privat;Reformë në procedurat tatimore dhe inspektimet e ndryshme; Rikthimi funksional i Bordi për Ankesa dhe Parashtresa; Fuqizim të mekanizmave qe garantojnë sigurinë juridike të bizneseve dhe luftimin e ekonomisë jo-formale.

Image