Detyrimi pėr pagesė tė tatimit nė pronė pėr regjistrimin e automjeteve ėshtė i paligjshėm

Detyrimi pėr pagesė tė tatimit nė pronė pėr regjistrimin e automjeteve ėshtė i paligjshėm

SHPËRNDARJE

20 Mars 2017 • 21:48 •

Avokati i Popullit publikoi Raportin përkitazi me kushtëzimin nga komunat për pagesën e tatimit në pronë me rastin e regjistrimit të automjeteve Avokati i Popullit ka publikuar sot Raportin me rekomandime lidhur me kushtëzimin nga komunat për pagesën e tatimit në pronë, me rastin e regjistrimit të automjeteve.

Raporti është bazuar në ankesat e pranuara nga Avokati i Popullit lidhur me këto kushtëzime, të cilat zbatohen nga të gjitha komunat në Kosovë, në pajtim me Udhëzimin Administrativ nr. 07/2011 të Ministrisë së Financave(MF), i datës 13 korrik 2011.

Avokati i Popullit konsideron se kushtëzimi nga ana komunave, me të cilin qytetarët detyrohen të paguajnë tatimin në pronë, në mënyrë që atyre t'u lëshohet dëshmia për pagesën e taksës komunale, të nevojshme për regjistrimin e automjetit, nuk është një metodë e ligjshme për vjelje të tatimit në pronë.

Avokati i Popullit ka parasysh se vjelja e tatimit në pronë është jetike për funksionimin e komunave, por që metodat nëpërmjet të cilave kërkohet që të paguhen duhet të jenë të ligjshme dhe proporcionale, në pajtim me ligjin.

Së këndejmi, Avokati i Popullit i ka rekomanduar Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) të ndryshojë qëndrimin e saj zyrtar, duke nxjerrë një qëndrim të ri me konstatimin se kushtëzimet për ofrimin e shërbimeve të qytetarëve nga ana e komunave me pagesën e tatimit në pronë, nuk kanë bazë ligjore dhe janë në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe si të tilla nuk mund të aplikohen.

Po ashtu, Avokati i Popullit i ka rekomanduar MF-së ndryshimin e dispozitave të Udhëzimit Administrativ nr. 07/2011, që kanë të bëjnë me kushtëzimet e qytetarëve për pagesën e tatimit në pronë.

Raporti me rekomandime, në formatin e tij të plotë, u është përcjellë sot autoriteteve përgjegjëse dhe i njëjti u është përcjellë mediave dhe është publikuar në ueb faqen zyrtare të IAP-së.