Ujë, pa reduktime

Ekonomia March 18, 2017 - 08:36

Që nga e premtja banorët e kryeqytetit të Kosovës do të kenë furnizim të pandërprerë me ujë gjatë 24 orëve. Lëshimi në funksion i fabrikës së re të ujit në Shkabaj ka zgjidhur problemin e furnizimit me ujë të pijes në komunën e Prishtinës.

Kjo fabrikë që në total ka kushtuar 35 milionë euro është përuruar të premten në një ceremoni, ku kanë marrë pjesë krerët më të lartë të shtetit, si dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në vend.
Përveç banorëve të Prishtinës ujë të pijshëm 24 orë do të kenë edhe banorët e Fushë Kosovës dhe të Obiliqit, ndërsa do të përfitojnë dhe komunat e Podujevës, Graçanicës, Drenasit, Lipjanit dhe Shtimes.

Do të përfitojnë 6 komuna

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa, ka thënë se me këtë projekt nuk po zgjidhet problemi vetëm për Prishtinën, por edhe për gjashtë komunat tjetra.

“Është kënaqësi e madhe që ne po zgjidhim problemet më të rënda të qytetarëve, problemin e ujit, problemin e energjisë, atë të ngrohjes, që nuk e kanë rënduar vetëm Prishtinën, si komunën më të madhe të Kosovës dhe kryeqendrën e Kosovës, por kanë ngarkuar edhe komunat e tjera”, tha kryeministri.

Mustafa ka thënë se edhe gjashtë komunat që janë të ndërlidhura me këtë ujësjellës rajonal do të kenë ujë më shumë, për arsye të furnizimit më të madh. “Unë veçmas jam i kënaqur sepse edhe mua më ka rënë hise para pesë vjetëve kur e kemi përgatitur dokumentacionin për këtë investim që ta nënshkruajmë, që ta përcaktojmë strukturën e financimit. Më vjen mirë që Komuna e Prishtinës i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta në shumën prej pesë milionë eurove, programi IPA i Bashkimit Evropian, po ashtu Banka Zhvillimore Gjermane prej 20 milionëve dhe kështu kemi arritur që t’i realizojmë dhe t’i kryejmë përafërsisht në afatin e paraparë”, tha kryeministri Mustafa.

Objekti më i mirë në Ballkan

Udhëheqësi i Ujësjellësit Rajonal Prishtina, Ilir Abdullahu, e ka quajtur objekt me rëndësi të veçantë dhe nga më të mirët në regjionin e Ballkanit objektin e fabrikës së re në Shkabaj. “Me lëshimin e punës me kapacitet të plotë të këtij impianti do të arrihet një furnizim i qëndrueshëm me ujë për banorët e Prishtinës, Fushë Kosovës, Obiliqit dhe indirekt do të përfitojnë komuna e Podujevës dhe ajo e Graçanicës, por do të përfitojnë gjithashtu edhe komunat të cilat ne i menaxhojmë, Drenasi, Lipjani dhe Shtimja. Para nesh janë edhe sfida tjera, si impiantet e trajtimit të ujërave të zeza, në mënyrë që të kemi një Kosovë shumë më të pastër”, ka thënë Abdullahu.

Kryetari i Kuvendit të  Kosovës, Kadri Veseli, tha se përmirësimi i standardit jetësor të qytetarëve është obligim i përditshëm i të gjithë atyre që bartin përgjegjësi institucionale. “Nuk duhet të humbim kohë dhe energji në agjenda shterpe të politikës ditore. Është koha që të gjithë të fokusohemi në zhvillimin ekonomik të vendit, në ngritjen e mirëqenies së qytetarëve, hapjen e vendeve të reja të punës, para së gjithash në industritë prodhuese të sektorit privat”, ka thënë Veseli.

Ai tha se pas këtij projekti institucionet duhet të punojnë shumë që edhe në komunat tjera të Kosovës të zgjidhet problemi me ujë të pijes.

“Për ne vetëm një rrugë është e hapur, rruga drejt zhvillimit dhe integrimit euro-atlantik. As nuk kemi e as nuk do të lejojmë dilema në këtë vizion”, tha Veseli.