Ekonomia

Prishtina furnizohet me ujë 24 orë pa ndërprerë

Prishtina furnizohet me ujë 24 orë pa ndërprerë
17 mars 2017 • 08 : 30 • autori: Linda Bekteshi

Lëshimi në funksion i fabrikës së re të ujit në Shkabaj përfundimisht do ta zgjidhë çështjen e furnizimit më ujë të pijes në komunën e Prishtinës. Qytetarët e Prishtinës nuk do të ballafaqohen më me mungesë të ujit. Përkundrazi, ata qysh nga dita e sotme (e premte) do të kenë ujë 24 orë. Kështu së paku kanë deklaruar zyrtarë të Komunës së Prishtinës për gazetën “Zëri”, të cilët kanë thënë se prej datës 17 mars, nëse nuk ka ndonjë problem teknik, çështja e ujit do të rregullohet përfundimisht për kryeqendrën e Kosovës.

Madje, sipas tyre, projekti për furnizimin e Prishtinës është projekti më i madh që ka marrë përsipër kjo kompani, e cila aktualisht furnizon edhe komuna të tjera të Kosovës, siç është Podujeva, Lipjani e disa qytete të tjera. Nga ana tjetër, kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina”, ka konsideruar se ky projekt është ndër më të rëndësishmit që nga ekzistenca e “KUR-Prishtina”.

Erzen Vraniqi nga zyra për medie në Komunën e Prishtinës, ka thënë se prej 17 marsit të këtij viti Prishtina nuk do ta ketë problem më çështjen e furnizimit me ujë.

“Përjashto ndonjë problem teknik, si për shembull kapacitetet e gypave të lagjes apo diçka të tillë, që nga nesër Prishtina duhet të ketë furnizim me ujë 24 orë”, ka deklaruar ai për “Zërin”. Ndërkohë, ka bërë të ditur se kompania përkatëse gjatë ditës do ta nisë testimin, me ç’rast, siç edhe ai është shprehur, pritet të zgjidhet kjo çështje. “Nesër do ta fillojë punën fabrika, do të jetë periudhë testuese, mirëpo kapacitetet e saj janë 700 litra në sekondë, gjë që është më tepër se e mjaftueshme për të pasur ujë 24 orë në tërë qytetin”, ka shtuar ai.

Tutje, Vraniqi ka treguar se projekti për furnizimin e Prishtinës me ujë do të jetë projekti më i madh i kompanisë “Kur”, kompani kjo e cila furnizon edhe disa komuna të tjera të Republikës së Kosovës. “Fabrika në Shkabaj do të jetë pjesë e “KUR Prishtina”, e cila i furnizon me ujë edhe Lipjanin, Fushë Kosovën, Graçanicën, Obiliqin/Kastriotin dhe Podujevën, mirëpo gjithsesi Komuna e Prishtinës është klienti më i madh i tyre me më së shumti banorë/konsumatorë”, ka theksuar ai.

Ndërkaq, kompania rajonale e ujësjellësit “Prishtina” ka konsideruar se ndërtimi i kësaj fabrike është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm, që nga ekzistenca e ‘KUR –Prishtina’.  “Ndërtimi i kësaj fabrike është projekti më i madh dhe më i rëndësishëm që nga ekzistenca e ‘KUR- Prishtinës’. Ky projekt do t’i rrisë sasitë e ujit, ku faza e parë do të jetë 700 l/s”, thuhet në njoftimin e ujësjellësit “Prishtina”. Tutje thuhet se ndërtimi i kësaj fabrike për përpunimin e ujit në Shkabaj ka arritur koston në vlerë prej 35 milionë eurosh.

 

© zëri.info