Zbulohen 106 vetura të padoganuara, shiteshin për pjesë

Ekonomia March 17, 2017 - 08:27

Një numër i veturave të llojeve të ndryshme, të cilat kanë kaluar pa i kryer procedurat ligjore të doganimit, janë gjetur në disa deponi të automjeteve në Mitrovicë, ka njoftuar Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale në Mitrovicë.

Sipas një njoftimi të Policisë Rajonale në Mitrovicë, duke u thirrur në një burim informativ të cilin e kishte pranuar Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia e Autokrimeve, se në disa lokacione ku ndodhen deponi të veturave dyshohet për disa vetura që u janë shmangur procedurave dhe obligimeve doganore, Njësia e Autokrimeve dhe një njësi mobile e Doganës së Kosovës kanë bërë kontrollimin e  tri deponive të tilla në rajonin e Mitrovicës dhe kanë konstatuar se veturat e padoganuar dërgohen në këto deponi dhe pastaj çmontohen dhe shiten për pjesë të automjeteve.

“Policia dhe Dogana e Kosovës gjatë kontrollit të tri deponive kanë gjetur dhe kanë evidencuar 106 vetura të llojeve të ndryshme, të cilat dyshohet se u janë shmangur obligimeve doganore. Për procedurat e mëtutjeshme, për shmangie doganore merret Dogana e Kosovës. Me të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka sugjeruar që të vazhdohet me procedurën e hetimeve të mëtutjeshme”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Mitrovicë.

Edhe vitin e kaluar Policia e Kosovës kishte hetuar rastet e regjistrimit me dokumente të falsifikuar të rreth 400 veturave në rajonin e Mitrovicës, pronarët e të cilave u kishin ikur obligimeve doganore.

Në anën tjetër, Policia e Kosovës bashkë edhe me Doganën e Kosovës kanë ndërmarrë një aksion në veri të Mitrovicës për identifikimin e mallrave të llojeve të ndryshme, që dyshohet se janë vënë në qarkullim pa i paguar taksat doganore. Aksionin e ka iniciuar ATK-ja dhe Dogana e Kosovës, të mbështetur nga Policia e Kosovës. Të gjitha mallrat që janë gjetur nëpër lokale, depo dhe objekte të ndryshme të shitjes dyshohet se janë mallra të kontrabanduara. Sipas Policisë, mallrat e gjetura kryesisht janë pije alkoolike dhe cigare.

“Mbi 9 mijë litra lëngje, 1200 litra pije alkoolike dhe mbi 8 mijë pako cigare janë konfiskuar në veri të Mitrovicës me një aksion të Doganës së Kosovës të realizuar në pjesën veriore të qytetit. Pjesa më e madhe e tyre janë gjetur në ‘Lagjen e Boshnjakëve’. Është kryer kontrolli i disa firmave të cilat dyshohet se merren me kontrabandën e mallrave”, thuhet në njoftimin e Doganave të Kosovës. Në njoftim nuk precizohet se në cilat firma është kryer kontrolli, por konstatohet se ndaj personave përgjegjës është iniciuar procedurë gjyqësore. Gjithashtu nuk është bërë i ditur përkatësia etnike e personave përgjegjës për kontrabandim të mallrave.