Tregu i përbashkët rajonal përplas Mustafën dhe Ramën

Ekonomia March 16, 2017 - 22:17

Komisionari për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, ka shpalosur idenë e një tregut rajonal ballkanas, para kryeministrave të 6 vendeve të rajonit.

Në orët e mbrëmjes së të enjtes, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, tha se kjo ide është plasuar nga Shqipëria.

Por, gjatë ditës së sotme atë e kundërshtoi homologu i tij kosovar, Isa Mustafa, duke thënë se diçka e tillë nuk do të funksionojë.

Rama ka njoftuar publikun për idenë e tregut të përbashkët rajonal, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në Facebook.

"Sot në punimet e Samitit të Sarajevës, me Komisionerin Hahn dhe kryeministrat e Maqedonisë, Kosovës, Malit të Zi e Serbisë për tregun e përbashkët rajonal; një projekt strategjik ambicioz i propozuar nga Shqipëria, që tanimë ka hyrë në rrugën e planifikimit konkret", ka shkruar Rama në rrjetin social, në legjendën e një albumi fotografik nga samiti i kryeministrave ballkanas në Sarajevë.

Por, kryeministri i Kosovës, Mustafa, nuk është i një mendimi me Ramën. 

Më herët gjatë ditës, ai ka thënë se "synimi i Kosovës është të jetë pjesë e tregut evropian, ndërkaq me vendet e Ballkanit Perëndimor të lehtësojë dhe përparoj bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar".

Mustafa ka shtuar se "tregu i përbashkët, për të cilin po insistohet, qoftë ai unik Evropian, apo një treg i Ballkanit Perëndimor nuk mund të funksionojë pa lëvizjen e lirë dhe për Kosovën pa liberalizim të vizave”. /Express/