Shtatë prona të AKP-së mbahen të uzurpuara në veri të Mitrovicës

Ekonomia March 03, 2017 - 08:25

Shtatë asete të ish-Ndërmarrjes Tregtare Shoqërore “Lux” të Mitrovicës, edhe më tutje mbesin të uzurpuara nga serbët e pjesës veriore të Mitrovicës. Aksioni i madh i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për lirimin e të gjitha pronave të uzurpuara që janë në menaxhim të saj realizohet në të gjitha pjesët e Kosovës, përveç në veri të Kosovës. Në aksionin në vitin 2016 për lirimin e pronave të AKP-së, që shoqërohej me polici, e në të cilat në disa raste merrte pjesë edhe kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, janë liruar pothuajse të gjitha pronat në jug, por asnjë në veri, pasi që aksioni nuk është zbatuar në atë pjesë.

Në një arsyetim të AKP-së, pas përfundimit të këtij aksioni, thuhej se në veri të Kosovës nuk është zbatuar vendimi i AKP-së dhe se ai është shtyrë për më vonë, për shkak të situatës së tensionuar, si rezultat i mosmarrëveshjeve në mes të serbëve dhe të institucioneve të Kosovës zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. Ndonëse nuk ishte thënë në komunikatën e AKP-së pas përfundimit të aksionit, AKP-ja është duke pritur një klimë më të volitshme për ta realizuar aksionin, pasi që në vitin 2015 AKP-ja kishte nisur një aksion, por ai ishte penguar nga serbët e pjesës veriore, sidomos nga kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, i cili aksionin e AKP-së e kishte quajtur “aksion kaubojsh”. Aksioni ishte pezulluar, siç kishte thënë AKP-ja, në koordinim me Policinë e Kosovës.

Në një njoftim të Agjencisë Kosovare për Privatizim, ishte thënë se aksioni për lirimin e pronave shoqërore do të ndërmerret gjatë ditëve në vijim, në mbështetje të plotë të Policisë së Kosovës, në të gjithë territorin e Kosovës. “Pezullimi i lirimit të pronave shoqërore në veri të Mitrovicës nuk ka lidhje me ndonjë mossukses të institucioneve. Kërkesa e Policisë në veri për asistim të lirimit të pronave i është dërguar më 18 maj, për datën 26 maj, ndërsa nuk ka qenë në plan që aksioni të realizohet më 26 maj, sepse aksioni është pezulluar më herët”, pati sqaruar AKP-ja pas dështimit të aksionit.

Në anën tjetër, kryetari i Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, aksionin e Agjencisë Kosovare për Privatizim (AKP) për lirimin e lokaleve dhe objekteve të ndërmarrjeve shoqërore, të uzurpuara në veri të Mitrovicës (7 lokale afariste të ish-“LUX”-it), e kishte quajtur aksion kaubojsh, i cili, siç kishte thënë Rakiqi, nuk do të lejohet të zbatohet në veri të Mitrovicës.  

 “Askush nuk na ka njoftuar për aksionin. Në Komunë askush nuk ka paraqitur asgjë, andaj nuk do të lejojmë kurrfarë aksioni kaubojsh. Aksioni nuk mund të realizohet pa konsultime me Komunën”, kishte thënë Rakiq. Por një aksion i njëjtë për lirimin e lokaleve dhe objekteve shoqërore të ndërmarrjes tregtare “LUX” ishte ndërmarrë për herë të parë në marsin e vitit 2014. Edhe atëherë ishte planifikuar një aksion i gjerë i lirimit të pronave shoqërore të uzurpuara që ndodhen në rrugën “Mbreti Peter”. AKP-ja atëherë ishte përpjekur t’i privatizojë rreth 10 lokale të “LUX”-it me sipërfaqe më të mëdha, të cilat ndodhen në rrugën kryesore të Mitrovicës së Veriut, por procesi i privatizimit megjithatë ishte shtyrë derisa të formohej Bordi i AKP-së. Pas shtyrjes, Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës së Veriut, kishte kërkuar që vendimi për shtyrje të privatizimit të mbetet në fuqi edhe pas kompletimit të Bordit të AKP-së.

Deri në marsin e vitit 2015 në veri të Mitrovicës janë privatizuar 75 lokale dhe objekte të ish-ndërmarrjes shoqërore “LUX”. Në mesin e lokaleve të LUX-it, që janë privatizuar në pjesën veriore të Mitrovicës, ndodhet edhe kafeneja “Dolce Vita”, e cila është e njohur si vendi ku rrinin të ashtuquajturat “Roja të Urës” dhe nga e cila ata u dilnin në rrugë shqiptarëve dhe keqtrajtonin barbarisht, sa herë që ata kalonin urën. Ky lokal ka qenë i njohur si “Zelenika Lux” dhe ai ishte uzurpuar nga serbët që prej aplikimit të masave të dhunshme të Serbisë në vitet e ’90-ta. Së fundmi këtë lokal e kishte marrë njëfarë Dragan Radosavleviq dhe e ka mbajtur derisa ishte bërë shkrumb e hi në gushtin e vitit të kaluar. Kjo kafene ishte privatizuar në valën e 23-të të likuidimit nga AKP-ja dhe atë e kishte blerë familja Peci nga Mitrovica. Shpallja e fituesit ishte bërë më 5 shkurt të vitit 2014. Por, uzurpatori, njëfarë Dragan Radosavleviq, kishte kundërshtuar duke këmbëngulur se kishte investuar në zgjerimin e lokalit dhe në rregullimin e tij.

“Unë për privatizimin nuk di gjë. Atë çka mund të them sigurt është se këtu i kam 43 metra katrorë, nga të cilët me investime kam arritur t’i zgjeroj në 166 metra katrorë. Me sa di unë privatizimi i lokaleve të LUX-it është ndërprerë”, kishte thënë ai. Gazeta ka mësuar se Radosavleviq ishte pajtuar me blerësin që ta zhvillojë veprimtarinë e tij në atë lokal, por që do t’i paguajë qira blerësit. Por, në gushtin e vitit të kaluar kafenesë “Dolce Vita”, në të cilën shpesh pinin kafe ministrja për Dialog, Edita Tahiri, dhe kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, i ishte dhënë flaka.