PDK-ja e LDK-ja, 'betejë' për ta marrë 'Trepçën'

Ekonomia February 28, 2017 - 08:47

Vonesat në formimin e Bordit Mbikëqyrës dhe të atij Menaxhues të “Trepçës” për sindikalistët e gjigantit ekonomik kosovar vijnë për shkak të “betejës” në Prishtinë në mes të PDK-së dhe të LDK-së për ta marrë “Trepçën” nën menaxhim

Ndërmarrja “Trepça” edhe pas miratimit të ligjit ende është duke funksionuar sikurse përpara, pasi që Qeveria e Kosovës akoma nuk ka vendosur për themelimin e Bordit Mbikëqyrës të “Trepçës”. Pa këtë bord drejtori i “Trepçës”, Ahmet Tmava, thotë se nuk mund të zbatohet as Ligji për “Trepçën”. Tmava i ka thënë “Zërit” se është në kontakte të vazhdueshme me Qeverinë e Kosovës dhe se pritet që shpejt të formohet Bordi Mbikëqyrës, i cili pastaj do ta zgjedhë edhe Bordin Menaxhues.

Në anën tjetër, sindikalistët e “Trepçës” vazhdojnë të jenë këmbëngulës që asnjëri nga bordet të mos ketë në përbërje njerëz të politikës, por ekspertë të fushës. Shyqyri Sadiku, kryetar i Sindikatës së Pavarur të minatorëve të “Trepçës”, thotë se që në vitin 1989 minatorët kanë ngritur zërin kundër diferencimeve dhe nuk kishte besuar kurrë se diferencime të ngjashme do të ndodhin edhe tani.

“Pas 18 vjetësh nga lufta, të drejtat tona shkelen në forma të ndryshme”, thotë Sadiku, i cili ka porositur Qeverinë e Kosovës që Bordi Mbikëqyrës të përbëhet prej ekspertëve e jo prej njerëzve të politikës. Sipas tij, sindikata ka disa kërkesa, ndërkohë ka veçuar krijimin e Bordin Mbikëqyrës të “Trepçës” me ekspertë dhe me njerëz të “Trepçës”. Ai është i bindur se në “Trepçë” ka njerëz të fushës, të cilët janë të zotët që ta çojnë gjigantin ekonomik përpara. Sadiku mendon se duhet t’i shpallet luftë korrupsionit në “Trepçë” dhe që të punohet për zbatimin e të gjitha ligjeve. (Lexoni shkrimin e plote ne numrin e sotem te gazetes Zeri ose versionin online me parapagim online.zeri.info )