Tenderi për derivate, Muhaxheri 'lajthit' Prokurorinë

Ekonomia February 27, 2017 - 08:21

Komuna e Pejës, e cila drejtohet nga Gazmend Muhaxheri, dyshohet se ka vënë në lajthitje institucionet e drejtësisë në vend. Për ta mbrojtur një veprim të jashtëligjshëm, Komuna, e cila udhëhiqet nga Muhaxheri, institucioneve të drejtësisë u ka ofruar po ashtu një vendim të jashtëligjshëm.

Prokuroria Themelore në Pejë, në shtator të vitit që lamë pas, kishte nisur hetime ndaj Komunës së Pejës, pasi që zyra e Prokurimit e kësaj komune kishte vazhduar kontratën për furnizim me derivate prej më shumë se një viti, pa shpallur tender fare.

Në Prokurorinë Themelore në Pejë pranojnë se hetimet për rastin në fjalë janë mbyllur kohë më parë, pasi që, sipas tyre, në rastin konkret nuk ka pasur elemente të dyshimit të arsyeshme për ndonjë vepër penale të kryer nga ndonjë zyrtar i kësaj komune, pasi që, siç thonë ata, Komuna u ka ofruar një vendim se Bordi i Drejtoreve të kësaj komune ka marrë vendim, duke aprovuar kërkesën për vazhdim të kontratës pa shpallur tender fare.

Por, në anën tjetër zyrtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thonë se në këtë rast vendimet e Bordit janë të jashtëligjshme. Sipas tyre, Bordi i drejtorëve nuk ka kurrfarë kompetence, sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP-së) për vazhdim të kontratave.

Gazeta “Zëri”, duke u bazuar në Ligjin për Qasje në Dokumente Zyrtare, ka kërkuar nga komuna një kopje të vendimit të Bordit të drejtoreve dhe disa informacione shtesë rreth çështjes në fjalë, por nuk ka arritur të marrë përgjigje, ndonëse shefi i kabinetit të kryetarit të Komunës kishte premtuar përmes telefonit se përgjigjet do të na i dërgojë brenda ditës.

KRPP: Vendimi i bordit, joligjor

Zyrtarë të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP) thonë se në bazë të Nenit 13.10 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ për Prokurimin Publik një kontratë nuk mund të vazhdohet, të përtërihet, ose të përcillet nga një kontratë pasuese pa administrimin e procedurës së re. “Megjithatë, brenda një shume prej 10% të vlerës së kontratës një kontratë për furnizime/shërbime/punë shtesë, të cilat nuk ishin përfshirë, dhe as kryer në kontratën origjinale, por të cilat për arsye të paparashikueshme janë bërë të domosdoshme për ekzekutimin e kontratës, mund të ofrohet për OE-në përmes procedurës së negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë. Kur një kontratë e tillë shtesë është relativisht e parashikueshme, vlera e tillë duhet të përfshihet në vlerën origjinale të parashikuar të kontratës. Kjo nënkupton  se kohëzgjatja e kontratës publike duhet të përcaktohet që në fillim të procesit të prokurimit dhe nuk mund të vazhdohet pa administrimin e procedurës së re”, thuhet në përgjigjen dërguar “Zërit” nga Departamenti i Rregullave të KRPP-së. Aty më tutje thuhet se assesi Bordi i drejtorëve nuk ka kurrfarë kompetence sipas LPP-së për vazhdim të kontratave.

“Andaj një vendim i tillë është joligjor dhe është në kundërshtim me Nenin 38, paragrafi 2 dhe Nenit 13.10 të Rregullave dhe Udhëzuesit Operativ Për Prokurim Publik, sepse për zbatim të procedurave të të gjitha aktiviteteve të prokurimit përgjegjës janë Departamenti i Prokurimit, Zyrtari përgjegjës i prokurimit i cili i përgjigjet ZKA-së së Autoritetit Kontraktues. Gjithashtu, sipas LPP-së Neni 24, paragrafi 2, citojmë: Autoriteti Kontraktues është përgjegjës për të siguruar që të gjitha aktivitetet e prokurimit të autoritetit të tillë kontraktues të ekzekutohen në përputhshmëri të plotë me këtë ligj”, thuhet më tutje në përgjigje.

Prokuroria mbyll rastin

Në përgjigjen e Prokurorisë Themelore në Pejë thuhet se më 3 gusht të vitit 2016 Prokuroria ka autorizuar Njësinë për Krime Ekonomike për hetime paraprake.

“Më datën 20.09.2016 kemi pranuar raport të veçantë nga Njësia për Krime Ekonomike në Pejë me numër LP-31/2016, sipas të cilit raport komuna e Pejës dhe Operatori Ekonomik ‘Seferi Mont’ ka pasur kontratë të vlefshme që nga 11.02.2013 e deri më 11.02.2015, nga shpallja e tenderit në vitin 2013 për furnizim me derivate”, thuhet në shkresën zyrtare të Prokurorisë. Aty më tej thuhet se pas skadimit të kësaj kontrate Drejtoria e Administratës në Pejë i ka bërë kërkesë Bordit të drejtoreve që t’i vazhdohet kontrata Operatorit Ekonomik deri në përzgjedhjen e Operatorit të ri, ku sipas Prokurorisë, më 02.02.2015, Bordi i drejtoreve kishte marrë vendim numër 400-17987/2015, duke aprovuar kërkesën për vazhdim të kontratës pa shpallur tender me arsyetimin se Agjencia Qendrore e Prokurimit (AQP) në Prishtinë i kishte bërë kërkesë Ministrisë së Financave (MF) që ky autoritet të bëjë prokurimin qendror për disa artikuj të përbashkët, ndërkaq që sipas Prokurorisë komuna e Pejës deri në vendosje të kësaj çështjeje arsyeshmërisht është dashur të furnizohet me derivate. “Më datë 12.02.2015 Zyra e Prokurimit në Pejë ka aprovuar nënshkrimin e zgjatjes së kontratës mes Operatorit Ekonomik dhe fjalë dhe Komunës së Pejës me numër prokurimi 16319/12/081/111, deri ne zgjedhjen e operatorit të ri.

Pas shikimit dhe vlerësimit të këtij raporti dhe shkresave të tjera të lëndës, kjo Prokurori konsideron se në rastin konkret nuk ka elemente të dyshimit të arsyeshme për ndonjë vepër penale të kryer nga ndonjë zyrtar i kësaj komune, andaj rastin e mbyll me një raport i cili do të arkivohet në arkiv”, thuhet në fund të shkresës zyrtare të Prokurorisë Themelore në Pejës.