Eurostat e rendit Kosovën, si vendi me çmime të lira të rrymës

Ekonomia February 24, 2017 - 10:17

Shpeshherë është thënë se çmimet e energjisë elektrike në Kosovës janë të larta, por këto pohime i hedhen poshtë një raporti i Eurostat-it për çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, i cili Kosovën e rendite si vendin me çmime më të lira të rrymës.

Ekspertët e fushës thonë se krahasimi i tillë nuk duhet të jetë befasues, por në tarifat e energjisë elektrike ndikon gjendja e përgjithshme socio-ekonomike në Kosovë. Ibrahim Rexhepi ekspert i ekonomisë nga Aleanca Kosova e Re (AKR), ka thënë se raporti krahasues i Eurostat-it nuk duhet të jetë befasues, edhe pse gjithmonë ka pasur ankesa për çmimin e lartë të rrymës.

“Janë disa faktorë që kanë ndikuar në çmimin e rrymës, të cilët kryesisht ndërlidhen me momentin social- Kosova është vendi më i varfër, vendi me papunësi më të madhe, vendi që edhe në të ardhmen e afërt nuk sheh zgjidhje për këto probleme, vendi që ka mungesë të energjisë elektrike dhe ku shteti në forma të ndryshme intervenon që çmimi i energjisë elektrike të jetë i përballueshëm për konsumatorët”, tha ai.

Sipas Rexhepit, tregu i energjisë elektrike ende nuk është i liberalizuar. Ndërkaq, rregullatori i energjisë me rastin e përcaktimit për nivelin e çmimit ka parasysh, dy elemente-mbulimi i shpenzimeve të operatoreve dhe momentin social të konsumatoreve. Përderisa në këtë mënyrë kalkulohet çmimi, atëherë ai nuk është rezultat i gjendjen në treg, apo i ofertës dhe i kërkesës”, ka thënë Ibrahim Rexhepi nga AKR-ja, shkruan Telegrafi.

Ndërkaq, në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), treguan se i kanë marrë kërkesat nga operatorët për tarifat e energjisë elektrike dhe se janë duke i shqyrtuar. Derisa vendimi për tarifat e reja pritet të publikohet deri në fund të marsit. “Operatorët e Licencuar për shërbimet e energjisë elektrike, tashmë kanë dorëzuar në ZRRE kërkesat për azhurnimet vjetore për të hyrat e lejuara maksimale dhe tarifat e energjisë elektrike. Stafi profesional i ZRRE-së është duke i analizuar këto kërkesa dhe së shpejto do të vendosë në diskutim publik raportet konsultative, ku do të paraqiten kërkesat e operatorëve dhe vlerësimet preliminare të ZRRE-së. Tarifat aktuale do të jenë në fuqi deri me 31 mars 2017 dhe ZRRE do të sigurohet që para 1 prillit 2017, konsumatorët të njoftohen me tarifat e reja”, ka thënë zëdhënësja e ZRRE-së, Adelina Murtezaj.

Në ZRRE nuk e kanë komentuar raportin e Eurostatit rreth tarifave të rrymës. “Pa dashur të komentojmë vlerësimet e Eurostat-it, ZRRE dëshiron të sqarojë se tarifat e energjisë në Kosovë caktohen duke u bazuar në ligjet e energjisë, rregullat për përcaktimin e çmimeve, Metodologjinë për përcaktimin e tarifave dhe Balancën e Energjisë për vitin rregullativ përkatës. Bazuar në këto ligje dhe rregulla, dhe pas vlerësimeve të stafit profesional, Bordi i ZRRE merr vendimin përfundimtar i cili si parim primar ka përcaktimin e tarifave të mbështetura në kosto që arsyetojnë shërbime të kënaqshme për konsumatorët”, tha Murtezaj. Ndryshe në raportin e Eurostat-it për çmimet e energjisë elektrike për konsumatorët familjarë, prapa Kosovës renditen, Serbia, Maqedonia, Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Bullgaria, Mali i Zi, Moldavi, Estoni dhe vende të tjera.