Kërkohet mbyllja e fabrikave helmuese

Ekonomia February 23, 2017 - 08:24

Pas reagimit të shqiptarëve të Mitrovicës së Veriut për rrezikun që u kanoset nga helmet toksike që dalin nga puna e një fabrike për përpunimin e vajrave motorike, e cila ndodhet në afërsi të “Lagjes së Boshnjakëve”, kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga Ministria për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor që t’ua ndërpresë punën dy operatorëve të tillë që veprojnë në jug të Mitrovicës, shkruan sot Gazeta "Zëri" 

Dy operatorë, për të cilët në Komunën e Mitrovicës thonë se janë kompetencë e nivelit qendror, veprimtaria e të cilëve është përpunimi i vajrave motorike, kërkohet që të mbyllen pasi që ata duke i përpunuar vajrat motorike në fakt prodhojnë helme toksike, rrezikojnë shëndetin e të gjithë qytetarëve të Mitrovicës, në jug dhe në veri.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, tha se janë shtuar tej mase ankesat e qytetarëve të Mitrovicës, veçanërisht të atyre përreth lagjeve lindore të lumit Ibër, të “Lagjes së Boshnjakëve” në veri, të lagjes “2 Korriku” në jug, të Shupkovcit dhe të mjediseve të tjera për shkak të ndotjes së ambientit, respektivisht të ajrit nga operatorët e licencuar nga ministritë përkatëse për përpunimin e vajrave motorike.

Madje, Bahtiri tha se qytetarët kanë nënshkruar edhe një peticion për ndërprerjen e punës së këtyre operatorëve.

Disa nga drejtorët komunalë të Mitrovicës, si dhe inspektorët thanë se kanë shkuar disa herë tek këta operatorë për t’i kërkuar dokumentet për punë dhe për leje të punës, por ata kishin refuzuar t’ua japin.

Sipas tyre, këta operatorë zakonisht punojnë ditëve të festave, të shtunave e të dielave, si dhe natën vonë kur ka mjegull dhe të reshura, për t’iu ikur syrit të inspektorëve të Komunës.

Ata kanë deklaruar se nuk kanë kompetenca për ndërmarrjen e masave ligjore që mund t’i detyrojnë operatorët për ndërprerjen e punës apo zbatimin e standardeve për mosndotje të ajrit

Rrezikohet shëndeti

Pikërisht për këtë arsye kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, u ka kërkuar drejtorëve që urgjentisht t’i kontaktojnë ministritë përkatëse, në veçanti Ministrinë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor, në mënyrë që të marrin hapa të përbashkët për zgjidhjen e këtij problemi, i cili i ka shqetësuar dhe indinjuar qytetarët të cilët janë shprehur të pezmatuar me papërgjegjësinë e drejtuesve të operatorëve dhe kërkojnë me plot arsye ndërprerjen e këtyre aktiviteteve. “Nëse ministritë nuk ndërmarrin masat e nevojshme, ne duhet të gjejmë rrugë të tjera ligjore për ruajtjen e ambientit dhe realizimin e kërkesave të drejta të qytetarëve, shëndeti i të cilëve është rrezikuar nga këta operatorë të papërgjegjshëm”, tha kryetari Bahtiri. 

E ndërkaq shqiptarët e veriut të Mitrovicës, por edhe përfaqësues të Këshillit të Veriut kanë shprehur shqetësimin e tyre, për shkak të rrezikut për shëndetin e qytetarëve, siç kanë thënë ata, “nga erërat toksike që vijnë nga fabrika e përpunimit të vajrave motorike, që ndodhet në jug të Ibrit, fare pranë lagjes së tyre”. Ata kanë kërkuar mbështetje nga institucionet e Kosovës sepse, siç kanë thënë ata, “gjendja është e papërballueshme.  Florent Azemi, banor i “Lagjes së Boshnjakëve”, tha se me punën e fabrikës për përpunimin e vajrave motorike, që vepron në afërsi të lagjes së tij, është rrezikuar shëndeti i banorëve të kësaj lagjeje. Ai theksoi se me gjithë papunësinë e madhe dhe problemet e tjera sociale banorët e kësaj lagjeje po përballen edhe me rrezikun për shëndetin e tyre. Azemi ka apeluar edhe tek kryeministri Isa Mustafa që të ndërmarrë diçka për ta ndryshuar gjendjen.

“Qe 18 vjet nuk ka punësim, jetojmë në varfëri sepse nuk ka as mbështetje sociale. Nuk e kemi përkrah askënd, as institucionet e shtetit. Askush nuk përkujdeset për ne. Në kohë të fundit përballemi me erëra toksike, sigurisht se janë edhe kancerogjene. Ato vijnë nga një fabrikë për riciklimin e vajrave, që nuk është as 50 metra larg nga shtëpitë e lagjes, në jug. Ka me muaj që e kemi ngritur këtë problem, por të gjithë bëhen të shurdhër. Këto mbetje toksike e kanë rënduar tej mase mbijetesën tonë. Përveçqë nuk kemi ndihmë apo jemi lënë në harresë institucionale, neve po na vjen tash nga komuna e jugut në një formë edhe një helmim, për arsye se kemi kërkuar intervenimin mjekësor për disa herë radhazi nëpër qendra shëndetësore. Edhe pse Qeveria na ka harruar neve, ne nuk e kemi harruar atë. Është koha e fundit dhe ne u bëjmë apel institucioneve të Kosovës, në veçanti kryeministrit Isa Mustafa, që të shikojë nga veriu, duke marrë parasysh se kjo gjendje është e papërballueshme”, ka thënë Azemi.

 Kërkojnë ndihmë edhe nga Policia

Ndërkaq Bashkim Cimili, asamblist në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut, i ka thënë “Zërit” se me dhjetëra herë ka ftuar Policinë dhe të gjitha institucionet emergjente që të ndërmarrin masa emergjente për ta ndaluar veprimtarinë e një fabrike për riciklimin e vajrave motorike, e cila ndodhet në jug të Ibrit, fare pranë “Lagjes së Boshnjakëve”, për shkak të rrezikut nga helmet toksike.

“Unë këtë çështje e kam ngritur edhe në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut, kam kontaktuar edhe me kryetarin Rakiq dhe i kam kërkuar atij që ta thërrasë homologun e tij nga Jugu, Agim Bahtirin, sepse fabrika ndodhet në jug, që të gjejnë ndonjë mënyrë ta ndalojnë apo të paktën të merren vesh me pronarin për t’i rivendosur filtrat asaj fabrike. Ne kemi bërë kërkesë edhe përmes asamblistëve në jug, u kemi dërguar një kërkesë që të merren me këtë punë sepse kjo është çështje serioze që po ndikon negativisht në shëndetin e qytetarëve, por nuk ka pasur reflektim fare”, thotë Cimili.

Ndërsa Nexhat Uglanin, përfaqësuesve i Komunitetit Boshnjak në Kuvendin e Mitrovicës së Veriut, thotë se vetëm me protesta mund të zgjidhet problemi. Sipas tij, banorët nuk do të duhej që Festën e Pavarësisë ta presin në këtë gjendje të tillë, të rënduar për shëndetin e tyre. “Kjo është vetëm një parapërgatitje që popullata duhet të çohet dhe të dalë në rrugë për të protestuar, sepse Festa Pavarësisë do të duhej të ishte më e hijshme e jo kështu si është. Pavarësinë ende nuk e kemi përjetuar ne në këtë pjesë”, ka thënë Uglanin.