Për 10 vjet, 6 miliardë euro nga diaspora

Ekonomia February 20, 2017 - 08:09

Gjatë 10 vjetëve të fundit bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës dërguan në Kosovë hiç më pak se 6 miliardë euro. Mjetet kryesisht janë dërguar përmes bankave komerciale, por edhe përmes agjencive për transfere të parave, shkruan sot, gazeta Zeri.

Vetëm përmes rrugëve zyrtare bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë në shtete të ndryshme të botës për 10 vjet kanë dërguar në Kosovë më shumë se 6 miliardë euro.

Por, njohës të rrethanave ekonomike në vend vlerësojnë së shuma reale e mjeteve të dërguara është shumë më e madhe.

Dërgesat e mëdha nga diaspora vlerësohen të jenë të barabarta me shumën e pagave e të gjithë punëtorëve të sektorit publik dhe privat që marrin në vendin tonë.

Duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës shihet se gjatë dhjetë muajve të parë të vitit që lamë pas nga diaspora për në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur hiç më pak se 566,7 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare shihet se gjatë vitit 2015 në Kosovë në formë të dërgesave kanë ardhur 655 milionë euro, ku 121 milionë euro kanë ardhur përmes bankave komerciale, 281 milionë euro përmes agjencive për transfere të parave, si dhe 225 milionë euro përmes rrugëve të tjera.

Gjatë vitit 2014 në Kosovë sipas BQK-së në formë të dërgesave kanë ardhur 622 milionë euro, në vitin 2013 kanë ardhur 573 milionë euro, në vitin 2012 kanë ardhur 516 milionë euro, në vitin 2011 në Kosovë kanë ardhur 492 milionë euro, në vitin 2010 kanë ardhur 584 milionë euro, në vitin 2009 në Kosovë kanë ardhur 585 milionë euro, në vitin 2008 në Kosovë kanë ardhur nga bashkatdhetarët tanë 608 milionë euro, si dhe në vitin 2007 sipas të dhënave zyrtare të BQK-së bashkatdhetarët tanë që jetojnë në shtete të ndryshme të botës dërguan në vendin tonë 515 milionë euro.

Gjermania prin me dërgesa

Gjithnjë duke u bazuar në të dhënat zyrtare të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se bashkatdhetarët tanë të cilët jetojnë në Gjermani prijnë me shumën e mjeteve që ata dërgojnë në Kosovë, ku vetëm për 9 muajt e parë të vitit që lamë pas ata dërguan 110 milionë euro.

Pas Gjermanisë janë bashkatdhetarët tanë që jetojnë në Zvicër ku për 9 muaj ata në Kosovë dërguan 67,1 milionë euro.

Gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2015 nga Italia në formë të dërgesave në vendin tonë kanë ardhur 16,7 milionë euro, nga Asturia për në Kosovë për nëntë muaj kanë ardhur 10,8 milionë euro, nga Belgjika kanë ardhur 6,8 milionë euro, nga Amerika për në Kosovë gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2016 kanë ardhur 20,6 milionë euro, nga Suedia kanë ardhur 10,4 milionë euro, nga Franca 11,1 milionë euro, nga Norvegjia 6 milionë euro, nga Kanadaja 4,7 milionë euro, nga Anglia 8,9 milionë euro, nga Danimarka 1,2 milion euro për 9 muaj, nga Finlanda 2 milionë euro, nga Holanda 2,1 milionë euro, nga Sllovenia për në Kosovë gjatë 9-mujorit të parë të vitit 2016 kanë ardhur 3,1 milionë euro, si dhe nga shtete të tjera për nëntë muaj në formë të dërgesave në Kosovë kanë ardhur 16,9 milionë euro.

Diaspora mban gjallë Kosovën

Ibrahim Rexhepi, njohës i rrethanave ekonomike në vend, thotë se diaspora po mban gjallë Kosovën.

Sipas tij, shuma e mjeteve që ata dërgojnë brenda vitit mund të jetë dukshëm më e lartë se ajo që tregohet në forma zyrtare, megjithatë, sipas tij, edhe këto raporte tregojnë se totali i dërgesave është i barabartë përafërsisht me shumën e përgjithshme të pagave që punëtorët marrin në Kosovë apo gati sa dyfishi i pagave në sektorin publik.

“Për këtë arsye pa diasporën, pa dyshim se do të kishim nivel shumë më të lartë të varfërisë dhe probleme shumë më të rënda sociale. E keqja qëndron në faktin se krejt këto para shkojnë kryesisht për konsum familjar dhe fare pak prej tyre përfundojnë në investime, përkatësisht në hapjen e vendeve të reja të punës ashtu që kosovarët të lirohen nga varësia e madhe që kanë prej diasporës”, ka thënë ai.