Aktakuzë kundër Shukri Bujës

Ekonomia February 14, 2017 - 08:12

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Bujës, ish-kryetar i Komunës së Lipjanit, ndërkaq aktualisht është deputet i Partisë Demokratike të Kosovës në Kuvendin e Kosovës

Shukri Buja, deputeti i partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Kuvendin e Kosovës, tetë zyrtarë të Komunës së Lipjanit dhe një pronar i një kompania private do të ballafaqohen me drejtësinë për: “Keqpërdorim të pozitës apo të autoritetit zyrtar”, nga Neni 422 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), “Dhënia e ryshfetit” nga Neni 344, paragrafi 1 i KPK-së, “Marrja e ryshfetit” nga Neni 343, paragrafi 1 i KPK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 345, paragrafi 1 i KPK-së, “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga Neni 294, paragrafi 1 i KPK-së, shkruan sot Gazeta "Zëri".

Në një komunikate për medie thuhet se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Departamentin për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë kundër dhjetë (10) të pandehurve për veprat penale: “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga Neni 422 i KPRK-së, “Dhënia e ryshfetit” nga Neni 344, paragrafi 1 i KPK-së, “Marrja e ryshfetit” nga Neni 343, paragrafi 1 i KPK-së dhe “Ushtrimi i ndikimit” nga Neni 345, paragrafi 1 i KPK-së, “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” nga Neni 294, paragrafi 1 i KPK-së. Sipas Prokurorisë, të akuzuarit janë: SH.B., N.Z., H.G,. M.S,. F.R., H.V., E.R., B.R., D.A., B.K.,. “Ne mesin e të akuzuarve është një ish-kryetar Komune dhe tetë zyrtarë të tjerë të asaj Komune, si dhe një ndërtues, për të cilët ekziston dyshimi i bazuar mirë në Kod, se në cilësinë e personave zyrtarë kanë shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar dhe kanë tejkaluar autorizimet e tyre, gjithnjë me qëllim që të përfitojnë çfarëdo dobie për vete apo për të tjerët dhe me këtë duke i shkaktuar dëm tani të dëmtuarave: Komunës në fjalë dhe ndërmarrjeve shoqërore nën menaxhimin e AKP-së, në atë mënyrë që duke vepruar në bashkëkryerje me dashje direkte, në mënyrë të kundërligjshme, kanë nxjerrë vendime me të cilat fillimisht kanë eksproprijuar dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe pronat komunale, me qëllim të eksploatimit të xehes së nikelit. Të njëjtit akuzohen edhe për një varg shkeljesh dhe keqpërdorimesh të tjera të kryera me dashje, të përshkruara si në aktakuzë”, thuhet në komunikatë.

Aty më tutje thuhet se aktakuza është ngritur nga një prokuror vendor i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cila i ka propozuar Gjykatës që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprat penale që akuzohen t’i shpallë fajtorë dhe t’i gjykojë sipas ligjit.