Hoti: Pagat nuk do të ulen, por do të rriten

Ekonomia January 19, 2017 - 11:22

Ministri i Financave, Avdullah Hoti, ka siguruar punonjësit e sektorit publik, e sidomos Policinë, mësimdhënësit, mjekët, zjarrfikësit dhe të tjerët se Ligji për Pagat nuk parasheh uljen e pagave.

Këto komente ai ka thënë në konferencën për media për të sqaruar shqetësimet e ngritura për Ligjin për Pagat në sektorin publik, i cili është aprovuar në Qeveri në fund të dhjetorit 2016.

Ministri Hoti duke thënë se 80 mijë veta në sektorin publik marrinë paga nga buxheti i Kosovës, theksoi se po përgatiten që t’i rrisin pagat, raporton Ekonomia Online.

“Atë që e bënë ky ligj është harmonizimi i pagave, në veçanti në arsim, polici, shëndetësi, gjykata. Nuk do të ulen pagat, ne po planifikojmë që t’i rrisim pagat. Buxheti secilin vit po shkon duke u rritur dhe me të do të rriten edhe pagat”, ka thënë Hoti.

Duke thënë se pagat nuk do t’i ulen askujt Hoti bëri të ditur se pagat do të jenë në harmonizimin me punën të cilën e ka gjithsecili.

“Për momentin ka ndryshimin të pagave nëpër institucione, për të njëjtën pozitë dhe kjo nuk duhet të ndodh dhe pikërisht ky ligj e rregullon një gjë të tillë. Ky ligj nuk e përcakton pagën po përcakton hierarkinë e të gjitha pagave që merren nga buxheti i shtetit. Atë që bënë ky ligj është se respekton ndarjen e plotë të pushteteve”, ka shtuar Hoti.

Hoti: Pagat nuk do të ulen, por do të rriten from Ekonomia Online on Vimeo.

Ditë më parë kanë reaguar Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) dhe Sindikata e Policisë. Madje, drejtuesit e SBAShK-ut kanë shprehur pakënaqësitë për Ligjin për Pagat, duke theksuar se ky ligj degradon mësimdhënësit.

Ata kanë kërkuar që ky ligj mos të miratohet në Kuvendin e Kosovës, në të kundërtën do të marrin masa sindikale duke u futur në greva të përgjithshme.

Ministri Hoti ka thënë se Qeveria nuk ka në plan ulje të pagave, madje ka shtuar se mendojnë që të bëjnë rritjen e tyre, pasi për vitin 2017 edhe buxheti është më i madh.