Tërhiqet nga investimi prej 700 mijë eurosh një kompani holandeze (Dokument)

Ekonomia January 18, 2017 - 08:23

Kompania holandeze “Green Soil Kosovo – LLC” ka njoftuar komunën e Mitrovicës se është tërhequr nga investimi prej 700 mijë eurosh në Zonën e Lirë Ekonomike në Mitrovicë, për ndërtimin e fabrikës për përpunimin e pemëve dhe të perimeve “të pasigurisë dhe kushteve jo të volitshme që ka ofruar komuna e Mitrovicës”. Mujka: “Green Soil Kosovo – LLC”  nuk aplikoi për leje. PDK-ja: Investitorët po i përzë kryetari Bahtiri

Një kompani, e cila kishte arritur marrëveshje me komunën e Mitrovicës që të investojë 700 mijë euro në një projekt që do ta realizonte në Zonën Industriale në Mitrovicë, është tërhequr nga investimi.

Kompania holandeze “Green Soil Kosovo – LLC”, ka njoftuar komunën e Mitrovicës se është tërhequr nga investimi prej 700 mijë eurosh në Zonën e Lirë Ekonomike në Frashër të Mitrovicës, për shkak siç thuhet në njoftim, “të pasigurisë dhe kushteve jo të volitshme, të cilat janë krijuar nga komuna e Mitrovicës”, shkruan sot Gazeta "Zëri".

“Në planifikimet tona investive ishte ndërtimi i një fabrike për përpunimin e pemëve dhe të perimeve që kryesisht planifikonim t’i grumbullonim në rajonin e Mitrovicës dhe të rrafshit të Dukagjinit, ku pastaj produktet tona do t’ia ofronim tregut vendor dhe pjesën kryesore do t’i eksportonim në pikat tona shitëse dhe përfaqësuese në Evropë. Investimet e planifikuara kanë qenë fillimisht 700 mijë euro, por me kalimin e kohës investimet do të ishin milionëshe. Por në ndërkohë jemi ballafaquar me vonesa procedurale, vetëm për ta marrë një përgjigje me shkrim nga zyra e kryetarit të Mitrovicës kemi pritur me ditë të tëra. Investitorët nga Holanda janë irrituar nga përgjigjja joadekuate, e  kur ia shtojmë edhe vonesat, atëherë pezmatimi i tyre ka qenë edhe më i madh. Ju e dini se sa janë të  ndjeshme kompanitë e huaja në vonesa të paarsyeshme”, thuhet në njoftimin e kompanisë  “Green Soil Kosovo – LLC”, për tërheqje nga investimet.Image

 Kontrata diskriminuese

Kjo kompani tutje e ka vlerësuar diskriminues për investitorin edhe kontratën për shfrytëzimin e parcelës.

“Sipas juristëve tanë kontrata ka qenë joprofesionale dhe tërësisht e njëanshme. Me këtë kontratë investitori diskriminohet skajshmërisht, ndërsa komuna mbrohet plotësisht. Kushtet vlenin vetëm për investitorin dhe assesi nuk ofrohet siguri, garancion dhe mbrojtje nga ana e komunës në rast të dështimit eventual të komunës në plotësimin e kushteve, të cilat ata ia kanë venë vetës, për ta rregulluar terrenin që të jetë i përshtatshëm për investime. Pra, këtu vihej në shënjestër vetëm investitori, të cilit i vihen kushte, duke anashkaluar krejtësisht obligimet e komunës dhe përgjegjësinë e saj, si ofruese dhe garantuese e parcelës”, thuhet mes të tjerash në arsyetimin për tërheqje nga investimet të kompanisë “Green Soil Kosovo – LLC”. Sipas këtij njoftimi, këto ishin arsyet që nxitën investitorët nga Holanda të tërhiqen nga investimet e mëtutjeshme në Parkun Industrial në Mitrovicë.  

Por ndryshe thotë nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, i cili duke konfirmuar njoftimin e kompanisë “Green Soil Kosovo – LLC” për tërheqje nga investimet, i tha “Zërit”, të martën, se kompania në fjalë nuk ka aplikuar fare për leje dhe se ajo nuk ka mundur t’i sigurojë mjetet për të investuar. “Komuna i ka përmbushur të gjitha obligimet me kontratë, tjetër gjë është që kjo kompani nuk ka aplikuar fare për leje ndërtimi. Ata nuk kanë mundur t’i sigurojnë mjetet për ta realizuar projektin e ndërtimit të fabrikës për përpunimin e pemëve dhe të perimeve. Kjo çështje ka kaluar në Komitetin për Politikë e Financa, ndërsa në mbledhjen e radhës së Kuvendit do të merret vendimi për shfuqizimit e vendimit dhe të kontratës me këtë kompani”, ka thënë Mujka. 

PDK-ja fajëson kryetarin Bahtiri

Në anën tjetër, PDK-ja në Mitrovicë gjithë fajin për dështimin e këtij investimi ia hedh kryetarit Agim Bahtiri. Sipas PDK-së, investitori ka ikur si pasojë e neglizhencës dhe papërgjegjësisë së kryetarit të komunës, Agim Bahtiri.  “Ai është duke i shfrytëzuar të gjitha potencialet e komunës për ta forcuar biznesin personal, në ndërkohë që nuk tregon as kujdesin më të vogël për bizneset tjera dhe për investitorët e interesuar. Ikja e kompanisë holandeze “Green Soil Kosovo – LLC”, nga Parku i Bizneseve në Mitrovicë, është rasti më eklatant i qasjes diskriminuese të kryetarit Bahtiri ndaj investitorëve potencialë. Drejtuesit e kësaj kompanie kanë treguar se për një përgjigje nga zyra e kryetarit kanë pritur më ditë të tëra dhe pa rezultat. Po ashtu kanë përmendur edhe gjendjen e infrastrukturës në Parkun e Bizneseve që nuk i plotëson kushtet për investitorët. E keqja është se kjo nuk është kompania e vetme që është detyruar të ikë nga Mitrovica. Gjatë kohës sa është duke qeverisur Bahtiri janë shuar shumë biznese, është rritur numri i atyre që kërkojnë punë dhe gjithashtu është rritur numri i atyre që marrin asistencë sociale”, thuhet mes tjerash në një komunikatë të degës së PDK-së në Mitrovicë, sipas të cilës, Bahtiri e ka vënë komunën në shërbim të biznesit të tij, ndërsa qytetarët mitrovicas i ka kthyer në skllevër.

“Ai e ka hapur një fabrikë për të përfituar vetë, por është duke i mbyllur shumë të tjera nga të cilat do të përfitonin mitrovicasit”, kanë thënë mes të tjerash në degën e PDK-së në Mitrovicë.

Image