Afaristi kosovar që ua dha punëtorëve pagën e 13-të

Ekonomia January 18, 2017 - 08:16

Burim Piraj, pronari i fabrikës së përpunimit të mishit “Meka”, e cila gjendet në fshatin Pllavë të komunës së Dragashit, gjatë vitit që lamë pas punëtorëve ua ka dhënë për herë të parë pagën e 13-të. Piraj thotë se sivjet po planifikon që punëtorëve t’ua japë edhe pagën e 14-të. Sipas tij, suksesi i biznesit është i garantuar vetëm kur punëtorët janë të kënaqur me punën e tyre

Është veprim i zakonshëm për një kompani të Zvicrës, por jo edhe të Kosovës. Kompania kosovare “Meka”, e cila merret me përpunimin e mishit, në fund të vitit të kaluar ua ka paguar të gjithë punëtorëve të vet edhe pagën e 13-të, për dallim nga shumica e bizneseve private në vend që ua vonojnë pagat punëtorëve apo edhe nuk ua paguajnë kontributet pensionale.

Pronari i kësaj kompanie, Burim Piraj, thotë se për herë të parë që nga fillimi i punës vitin e kaluar ka arritur t’ua paguajë 43 punëtorëve pagën e 13-të, e cila kishte obligime shtesë për kompaninë.

Megjithatë, ai shprehet i kënaqur me një vendim të tillë pasi që, siç thotë ai, suksesi i një biznesi është i garantuar vetëm kur punëtorët janë të kënaqur me punën e tyre.

“E kuptoj se në Kosovë punëtorët në sektorin privat shkelen shumë, mirëpo unë dua ta jap një shembull ndryshe. Jam i kënaqur që ua kam paguar punëtorëve pagën e 13-të, pasi që zhvillimi i biznesit tim po ndodh falë kontributit të punëtorëve. Dhe punën e tyre kam vendosur që t’ua shpërblejë me pagën e 13-të”, thotë Piraj për “Zërin”, duke shtuar se sivjet do të punojë që në dhjetor punëtorëve t’ua japë edhe pagën e 14-të.

“Gjatë vitit 2016 falë punës ne kemi arritur që t’i vëmë në punë edhe tri linja të reja të prodhimit. Behët fjalë për dy linja të reja të produkteve të konservuara, si dhe një linjë të prodhimit të gjellëve të gatshme. Ne si kompani nuk kemi kredi nëpër banka, të gjitha investimet i kemi bërë me mjete tona vetanake. Kështu që duke parë sukseset e kompanisë sonë ne kemi vendosur që t’i shpërblejmë me nga një pagë të gjithë punëtorët tonë. Momentalisht në kompaninë time punojnë 43 punëtorë”, ka thënë Piraj për gazetën “Zëri”.

Më tutje Piraj thotë se prodhimet e tij distribuohen në gjithë territorin e Kosovës, por edhe në territorin e Shqipërisë.

Ai thotë se falë cilësisë shitja e prodhimeve është duke u rritur nga dita në ditë dhe se prodhimet e tij synon t’i distribuojë edhe në shtete të ndryshme të Evropës, por edhe më larg. Ai thotë se si kompani ka të tentuar të marrin pjesë edhe në Panairin e Ushqimit në Dubai, por nuk kanë gjetur hapësirë.

“Për këtë çështje ne kemi kërkuar ndihmën e MTI-së që Kosovës si shtet t’i sigurojë hapësirë në këtë panair të madhe ushqimi. Synimi ynë është që prodhimet tona t’i ekspozojmë këtu”, thotë më tutje Piraj.

Ai thotë se kompania e tij do të ishte zhvilluar edhe më shumë sikurse të mos ishin përballur me probleme të vazhdueshme të energjisë elektrike. Sipas tij, shteti duhet t’i ndryshojë edhe politikat fiskale për t’i zhvilluar prodhimet vendor.

Përndryshe, fabrika për përpunimin e mishit “Meka” nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë në fund të vitit që lamë pas është zgjedhur si “Top-ndërmarrja e vogël më konkurrente e vitit”, në rajonin e Prizrenit. /ZËRI/