Dalin në komunikacion autobusët e rinj të Prishtinës

Ekonomia January 12, 2017 - 08:00

Pas tre vjetësh debate të ashpra mes Komunës së Prishtinës dhe Ministrisë së Financave për blerjen e 51 autobusëve të rinj, të mërkurën është bërë përurimi i pjesës së parë prej 15 sosh, ndërsa pas dy javësh do të vijnë edhe 15 autobusët e tjerë, po ashtu pjesa e dytë prej 21 sosh do të vijnë në fund të muajit mars ose në prill të këtij viti.

Me këtë rast kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, theksoi se 51 autobusët e rinj nuk do ta mbulojnë transportin publik në Prishtinë, pasi që kryeqyteti ka nevojë për 160 deri në 200 autobusë.

“Sot pas 3 vitesh jemi këtu me autobusët e rinj pas shumë diskutimesh, pas shumë analizash që t’i kemi këta autobusë sot në Prishtinë. Në kredinë që kemi marrë nga BERZH-i, kushti është që gjysma të jenë në pronësi të sektorit publik dhe gjysma të atij privat. Megjithatë, kjo e mbulon një pjesë të madhe, për të mos thënë gjithë pjesën e pronësisë së sektorit publik. BERZH-i na ka dhënë një kredi jashtëzakonisht të favorshme, e cila përveçqë kredisë ka edhe një pjesë gati 1 milion euro që është asistencë teknike për reformimin e kompanisë së ‘Trafikut urban’, si dhe për planin e mobilitetit për Komunën e Prishtinës”, theksoi Ahmeti, shkruan sot Gazeta "Zëri".

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti, i cili tha se ky është ndër projektet me të rëndësishme që Qeveria e Kosovës e ka mbështetur për Komunën e Prishtinës.

Hoti tha se këtë vit në Prishtinë do të ketë projekte të tjera, ku ai përmendi fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza dhe stadiumin olimpik.

“Ky është një ndër projektet më të rëndësishëm që Qeveria e Kosovës e ka mbështetur për Komunën e Prishtinës dhe do të vazhdojmë edhe me projekte të tjera. Besoj këtë vit mund të fillojmë edhe me fabrikën për trajtimin e ujërave të zeza, me studionin olimpik dhe projektet e tjera. Besoj këto projekte që po mbështeten nga Qeveria tregojnë për mbështetjen që i japin dhe rëndësinë që po i kushtojmë kryeqytetit dhe vendit si Qeveri, e cila gjë nuk është se ka ekzistuar edhe më përpara” deklaroi Hoti.

Ndërsa Elena Petrovska, drejtoreshë për Kosovë në BERZH, është shprehur se pavarësisht sfidave, BERZH-i është përkushtuar shumë në realizmin e këtij projekti

“Është e rëndësishme të themi se ky projekt është projekti i parë i BERZH-it që ndërlidhet me një komunë dhe në Kosovë në tërësi, ky është vetëm i pari dhe të tjerët do të vijojnë. Ky projekt është pjesë e një momerandumi të mirëkuptimit që ne kemi nënshkruar me Komunën e Prishtinës, që është më i gjerë se kaq, d.m.th. nuk përfshin vetëm autobusët dhe kjo nënkupton që mbështetja e BERZH-it do të zgjerohet edhe më tutje përtej fushës së transportit publik”, ka thënë ajo.

Kurse Ivo Šilhavý, ambasador i Çekisë në Kosovë, ka thënë se shteti i tij e mbështet Kosovën jo vetëm politikisht, por edhe në përmirësimin e standardeve te jetesës së qytetarëve. /ZËRI/